Kush ka lindur rreth viteve ’50-’60, padyshim që është njohur me historinë e trishtë të Ganimet Cukut. Shumë prej tyre, edhe mund ta kenë njohur, ose kishin fatin që të shoqëroheshin me një nga femrat më të bukura të Tiranës, që la gjurmë përmes sharmit të saj dhe kokëfortësisë kundër sistemit diktarorial.

Ajo ishte një vajzë nga Tirana dhe një ndër femrat më të lakuar të kohës. Jo kushdo mund ti afrohej. Kishte zëra se ajo kishte shumë të dashur dhe se u merrte lekë.

Jeta e saj bëri bujë nga shëtitjet në Bulevard, vëmendja e meshkujve deri në vetëvrasjen e saj në në stallë derrash në Grabian të Lushnjes ku ajo i dha fund jetës bashkë me të ëmën.
ganimet-1

ganimet

ganimet-2
Ajo njhet si një kurtizane që merrte para nga të dashurit e saj, por kjo është mohuar prej tyre.

Në fakt Ganimet Cukës i pëlqenin djemtë e pashëm, e që shijonte shoqërinë e tyre, këtë e pohojnë të gjithë, qoftë Ahmet Golemi, ish-i dashuri i saj i cili e tha këtë në një prononcim për Panorama para disa kohësh. Por ai ka refuzuar të pranojnë se për këtë Ganimeti merrte para.

Meshkujt e përndiqnin, i shkonin pas aromës që linte mbrapa në shëtitore.Djemtë e Tiranës ishin të ‘marrosur’ pas saj. Të tjerë, të ardhur nga të katër qoshet e kryeqytetit, sajonin ndonjë punë asaj lagjeje për ta parë. Shikimet nuk u ndesheshin, sepse Ganimeti rrallëkujt ia hidhte sytë.

Ahmet Golemi, kampion boksi në atë kohë, i përmbushte të gjitha kushtet për t’iu afruar. E theu akullin, që të shijonte pastaj ëndrrën, për tri vite me radhë, deri sa e ndaluan. E rënë në gjurmët e Sigurimit të Shtetit, historia e tyre u pengua. Gjatë historisë së tyre që e lakmonin të gjithë, sado i ri që ishte, kishte marrë sinjalizime të heshtura se ajo nuk ishte grua për të. Kjo, jo vetëm pse ishte gati 5 vite më e madhe në moshë se ai. Një zhurmnajë e vjetër në Tiranë, nga ato që jehojnë ende sot, gati 50 vite pas vdekjes së saj, e bënte të padenjë për të krijuar një marrëdhënie familjare.

Ajo vinte nga një familje e pasur, me babanë tregtar të vjetër të Tiranës. Zërat thonë se nuk kishin parë ndonjëherë që meshkujt të hynin pa hesap në shtëpinë e saj, sikundër flitet në romanin “Përballë pasqyrës së një gruaje” të shkrimtarit Ismail Kadare. Të gjitha të dhënat në romanin e Kadaresë të çojnë te vila e Ganimetit, të cilën ai e ka quajtur Margaritë.

Ganimet Cuka ishte një nga femrat më të bukura të Tiranës në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Ajo kishte mbaruar Institutin “Nana Mbretëreshë” të Tiranës dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Në vitin 1945, një oficer i misionit anglez u dashurua marrëzisht pas saj, por ai u detyrua të largohej brenda 24 orëve, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ndërsa Ganimetit i vunë prangat në duar dhe e rrasën në një qeli burgu të Tiranës. Në burg atë e torturuan barbarisht, ndërsa disa funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit tentuan ta përdhunojnë. E mbajtën disa muaj në hetuesi, por nuk mundën ta bënin të pranonte se ishte agjente e zbulimeve të huaja, prandaj u detyruan ta lironin. Kur doli nga burgu, e lanë pa punë, që të vdiste urie. Për të mbijetuar, ajo merrej me zbukurimin e vajzave të Tiranës, ditën e martesës. Ajo ishte tepër krenare dhe e sfidonte regjimin, duke bërë çdo mbrëmje shëtitjen e saj në bulevardin “Zogu I”.

Asnjëherë nuk u përkul të kërkonte mëshirë. E internuan së bashku me të ëmën në një ditë tetori me shi të vitit 1967. Për herë të parë në jetën e saj, Ganimeti u pushtua nga një dëshpërim i tejskajshëm. Asnjë rreze shprese nuk shihte në horizont. E shtrydhi trupin për disa ditë dhe net pa gjumë, për të gjetur rrugën e shpëtimit por më kot. Më në fund, ajo arriti në përfundimin se vdekja ishte shpëtim për to, ndërsa vetëvrasja e tyre do të ishte sfidë dhe akuzë për diktaturën e Enver Hoxhës. Ia tregoi dhe nënës plakë vendimin e saj dhe, si e përqafoi, i tha të vdisnin së bashku. Të nesërmen, ajo bleu 10 metra litar dhe e ndau në dy pjesë të barabarta. U ul pranë tavolinës dhe shkroi një letër. Kujt ia drejtonte dhe çfarë ishte shkruar në të, askush nuk e mori vesh, përveç operativit të Sigurimit të Shtetit.

Si mbaroi letrën, hipi në karrige dhe vari mbi një tra dy litarët e bërë lak. Pasi pinë kafen e mëngjesit, hipi nënën mbi karrige, i hodhi litarin në qafë dhe i ra karriges në shkelm. Nëna mbeti e varur. E çoi karrigen një metër më larg, hipi sipër saj dhe vendosi lakun në fyt. Shtrëngoi dhëmbët fort që, kur të vdiste, të mbetej e bukur. E rrëzoi karrigen me këmbë dhe mbeti e varur si nëna e saj.

Në mbrëmje vonë, kufomat e viktimave i hodhën në një gropë që ndodhej buzë kanalit, i cili kalonte pranë stallës së derrave, pa u vendosur asnjë shenjë dalluese mbi pirgun e dheut që i mbuloi./konica.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb