TIRANE- Partia Demokratike dhe Partia Republikane janë dy forcat opozitare që duhet t’i kthejnë buxhetit të shtetit fondet që morën për zgjedhjet e 25 qershorit. Shkak për këtë penalizim është bërë numri i ulët i votave që kanë marrë më 25 qershor.

Kështu Partia Demokratike duhet t’i kthejë buxhetit të shtetit 1.7 milionë lekë të rinj, ndërsa Partia Republikane 2 milionë lekë të rinj. Vendimi që pritet të miratohet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ditën e hënë, do të miratojë fondin shtesë për PS, LSI, PDIU dhe PSD-në e Skënder Gjinushit.

Në listën e partive të penalizuara nga rezultati i ulët e votave janë edhe 11 parti të vogla politike, përfshirë dhe Frymën e Re Demokratike të Bamir Topit, të cilat kanë shënuar një rezultat dukshëm të dobët në zgjedhje dhe nuk arritën të kalonin pragun e 3 përqindëshit që i bënte ato parti parlamentare.

FRD duhet të kthejë në buxhet 1.1 milionë lekë, ndërsa Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, duhet t’i kthejë shtetit rreth 470 mijë lekë.

Sfida, Aleanca Demokratike, Partia Aleanca Demokristiane, Partia Komuniste e Shqipërise, Partia Aleanca Popullore për Drejtësi, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar do t’i kthejnë buxhetit 325 mijë lekë, aq sa iu akordua nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve paradhënie për fushatën elektorale.

Fonde shtesë nga buxheti i shtetit do të përfitojnë vetëm 6 parti. Kështu Partia Socialiste do të marrë 2.8 milionë lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrë 1.3 milionë lekë, Partia e Shpëtim Idrizit PDIU-ja 1.4 milionë lekë shtesë, PSD-ja e Skënder Gjinushit 223 mijë lekë, ndërsa Libra e Ben Blushit 501 mijë lekë shtesë nga buxheti i shtetit.

Në total për partitë me rezultat pozitiv krahasuar me vitin 2013, do të ndajnë midis tyre fondin prej 6.3 milionë lekësh.

Në relacionin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve sqarohet qartë se një votë e krahasuar me numrin e zgjedhësve që votuan më 25 qershor vlen 42 lekë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: