Kukësi nuk ia doli që të mundë në “Zeqir Ymeri” Vllazninë duke humbur në këtë mënyrë kryesimin e kampionatit që e mbante prej kohësh. Por pas ndeshjes klubi verilindor duket se ka gjetur ‘fajtorin’ për mos arritjen e 3 pikëshit, gjyqtarin Andi Koçi. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare, klubi shpjegoi se ky gjyqtar kishte dhënë vendime kundër tyre dhe e akuzoi për “prirje të dukshme kundër verilindorëve”.

Deklarata e klubit
Pasi pamë me kujdes edhe në video ndeshjen që Kukësi zhvilloi sot kundër Vllaznisë, klubi shprehet shumë i indinjuar me gjykimin tendencioz të gjyqtarit Andi Koçi. Ky i fundit, me papërgjegjshmëri të plotë dhe mungesë profesionalizmi, sot na mohoi një penallti të pastër, të cilën moviola pas takimit e përcaktoi krejtësisht të rregullt. Të gjithë e panë qartë 11-metërshin e mohuar ndaj nesh, përveç këtij gjyqtari.

Theksojmë se penalltia e Eminit në minutën 22′ nuk është i vetmi rast ku gjyqtari vendosi kundër Kukësit. Në të 25′ Pejiç u konsiderua në pozicion jashtë loje, por ky episod është mjaft i dyshimtë. Në pjesën e dytë, në të 56′ u anulua një gol i diskutueshëm i kroatit, teksa në të 65′ faulli i Eminit nuk ishte jashtë zone, por brenda saj, krejt ndryshe nga ajo që u vendos nga Koçi. E gjitha kjo panoramë tregon se ky gjyqtar nuk është serioz dhe ka një prirje të dukshme kundër verilindorëve.

Kjo nuk është hera e parë që Koçi ka një sjellje të tillë ndaj klubit tonë dhe për këtë arsye e shpallim “non grata” për të gjitha ndeshjet e mbetura, brenda dhe jashtë fushe, në këtë sezon futbollistik. Këtë kërkesë do t’ua dërgojmë Komisionit të Arbitrimit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb