Pas rreth dy muajsh nga momenti i nisjes së hetimeve, bazuar në provat e gjetura, Prokuroria po shqyrton mundësinë e vazhdimit të procedimit penal për veprën penale të parashikuar në nenin 296 të Kodit Penal me titull “humbja e dokumenteve sekrete”. Sipas kësaj dispozite, “humbja e dokumenteve apo materialeve të tjera që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i janë besuar për ruajtje apo për përdorim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Hetimi filloi për shpërdorim detyre në ditët e para të muajit prill 2017, pas kallëzimit që Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme bëri në Prokurori. Rreth dy javë pas padisë së bërë nga SHCBA, ishte ish-kryeministri Sali Berisha që e bëri publike ngjarjen me një postim në faqen e tij në Facebook.

Ndërkohë, hetimet kishin nisur dhe organi i akuzës ka verifikuar zyrën dhe ambientin ku ishin mbajtur dokumentet sekrete të humbura dhe, pasi e ka përcaktuar këtë ambient, ka kërkuar kamerat e sigurisë. Përgjigjja që ka marrë Prokuroria, ka qenë se ambienti ku mbaheshin dokumentet sekrete nuk kishte kamera sigurie, që të vëzhgonin lëvizjet që bëheshin në atë zyrë, shkruan Panorama.

Kjo duket se ka qenë një pengesë serioze në lidhje me hetimin që po zhvillohet, pasi mungesa e pamjeve filmike në këtë rast lë në errësire gjithë hyrje-daljet, por edhe veprimet që janë kryer në zyrën e kasafortës. Pas përgjigjes për mungesën e pamjeve filmike, prokuroria ka verifikuar gjithë protokollin dhe informacionet në lidhje me lëvizjen e dokumenteve që nuk gjendenve që nuk gjenden.

HETIMET
Prokuroria ka saktësuar se cilat kanë qenë dokumentet e humbura dhe, sipas burimeve nga grupi i hetimit, të gjitha shkresat kanë qenë të klasifikuara, por jo “tepër sekret” në nivelin e klasifikimit. Po kështu, organi i akuzës ka arritur të saktësojë se bëhej fjalë për shkresa që përmbanin informacione në lidhje me çështje dhe persona aktualë. Më saktësisht, burimet nga grupi i hetimit thanë se “dokumentet ishin krijuar gjatë muajit dhjetor 2016”.

Sipas tyre, bazuar në gjurmët e lëna në protokollin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, del se dokumentet kanë qarkulluar në disa duar dhe më pas janë dërguar në kasafortën ku duhej të ruheshin. Por më pas, kur janë kërkuar, është parë se dokumentet në fjalë nuk gjendeshin dhe kjo ka krijuar edhe situatën e alarmit. Çështja është hetuar fillimisht nga SHCBA, që ka bërë menjëherë kallëzimin penal dhe

më pas ka vazhduar hetimi edhe nga Prokuroria. Kjo e fundit theksoi se nxjerrja e dokumenteve nga kasaforta ku duhej të ruheshin, nuk është protokolluar. Për këtë arsye personat që i kanë nxjerrë shkresat nuk arrijnë të dokumentojnë se ku i kanë lënë. Bazuar në këtë fakt, prokuroria ka kualifikuar akuzën në “humbje të dokumenteve sekrete”. Kjo pasi nga deklarimet e marra por edhe nga verifikimet e kryera, lëvizja e dokumenteve pa kryer shënimet përkatëse në protokoll duket të ketë qenë më tepër një neglizhencë sesa diçka e qëllimshme.

Gjithsesi, Prokuroria deklaroi se po heton “3-4 persona” që kanë pasur akses në kasafortën ku ndodheshin dokumentet. “Pavarësisht se këta shtetas mund të mos kenë dashur ardhjen e pasojës, ata do të mbajnë përgjegjësi penale për humbjen e dokumenteve”, kanë bërë me dije burimet e hetimit. Ky është rasti i parë që dokumente të këtij niveli e kësaj sasie humbasin nga zyrat e shtetit në vitet e fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb