Politikani i njohur dhe themelues i PD-së, Preç Zogaj, flet për situatën në të cilën ndodhet PD-ja, kritikat brenda saj, gabimet e Bashës, arsyet e humbjes në zgjedhje, rolin e ndërkombëtarëve, a duhet të vijojë marrëveshja Rama-Basha; rolin e Berishës në legjislaturën e ardhshme dhe raporti i ri me LSI-në si opozitë.

Për një kohë të gjatë historia e tij ka qenë ajo e PD-së. Në kulmin e zhurmës dhe në një moment kritik për PD-në, Preç Zogaj, përmes një interviste për revistën “Mapo”, arrin t’i japë kuptim shumë pikëpyetjeve që ngrihen për të tashmen dhe ardhmen e partisë kryesore të së djathtës, pas humbjes më të madhe që ka pësuar në një palë zgjedhje gjatë 27 viteve…

Zogaj, Partia Demokratike si opozitë mori 195 mijë vota më pak krahasuar me rezultatin e 2013-ës. Çfarë mendoni se e penalizoi më shumë PD-në në këto zgjedhje?
Janë disa faktorë të peshave të ndryshme që u kombinuan për keq në tërësi dhe prodhuan këtë rezultat. Nëse do t’i rendisja nga pikëpamja e dëmit që i kanë shkaktuar PD-së apo të numrave që mungojnë në apelin e saj në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 në vend të parë do të vendosja shitblerjen e votës, në vend të dytë eksodin e ri masiv të shqiptarëve gjatë qeverise katërvjeçare “Rama një” ku sipas mjaft vëzhgimeve dhe sondazheve zgjedhësit demokratë rezultojnë më të shumtët në numër dhe në vend të tretë disa mangësi dhe veprime të Bashës, PD-së dhe opozitës që rezultuan gabime në dritën e asaj si shkuan gjërat dhe si u zhvillua gara elektorale në këto zgjedhje.

A ndani të njëjtën pikëpamje me z. Basha se zgjedhjet janë ilegjitime pasi ato u blenë e u shitën? A ishte ky shkaku kryesor i humbjes së PD-së apo analiza duhet bërë më gjerë se sa kaq?
Që ta nis nga fundi, nuk e kam dëgjuar ndonjëherë Bashën t’ia faturojë komplet humbjen shitblerjes. Ai dhe eksponentë të tjerë të PD-së po flasin edhe për gabimet e kryetarit. Në lidhje me shitblerjen, unë e kam pikëpamje, e kam bindje, e kam parë me sy, e di, të gjithë e dinë, s’ka njeri që nuk e di se shitblerja e votës në zgjedhjet e 25 qershorit, me paratë e drogës kryesisht, regjistroi një rekord të panjohur në tokën e Europës.

Fakti i fakteve është zhvlerësimi me tre lekë i kursit të euros gjatë katër javëve të fushatës elektorale, një dukuri që asnjë ekspert nuk po arrin ta shpjegojë jashtë kuadrit elektoral. Ka ndodhur një çudi. Nga l janari i vitit 2017 deri në 19 maj 2017 kur bëhet marrëveshja Rama-Basha, pra për rreth pesë muaj kursi i euros ka pësuar një zhvlerësim vetëm me 0, 27 lekë. Me hyrjen e PD-së në zgjedhje dhe deri në fund të fushatës, pra për rreth një muaj, kursi në fjalë ka pësuar një zhvlerësim me tre lekë. Për të çuar në një zhvlerësim të tillë në një periudhë kaq të shkurtër kohe duhet të injektohet në tregun monetar vendës një shumë kolosale kryesisht në Euro, shumë të cilën nuk e arrin dot as një sezon shumë i suksesshëm turistik.

Ekspertët e opozitës duhet ta kalkulojnë këtë shifër për të nxjerrë pastaj shifrën reale apo të përafërt të parave që janë përdorur për të blerë vota. Do të dalë që kjo shifër përfaqëson “investimin” më të madh të qeverisë në mandatin e saj. Zhvlerësimi apo kurba e Euros në pazarin e stërmadh të votave ka ecur paralelisht me kurbën e rënies së PD-së në sondazhe. Kujtohuni. Dy ditë pasi PD-ja nisi fushatën e saj, sondazhi italian i televizionit Ora News e nxirrte PD-në 36 për qind. Një javë më vonë, në sondazhin e dytë, 37 për qind. Në sondazhin e tretë regjistrohet rënia e parë e opozitës për të mbërritur te shifra 29 për qind e zgjedhjeve reale! S’ka shpjegim tjetër në këto përmasa veç efektit të shitblerjes masive dhe intensive.

Kjo periudhë sa më sipër përkon edhe me fushatën zoti Zogaj. Kritikët dhe kundërshtarët e Bashës ia vënë fajin fushatës së tij për këtë rënie…
Nuk përjashtoj gabime në fushatë, por assesi të asaj shkalle që të zbresin opozitën me tetë pikë në pesëmbëdhjetë ditët e fundit. Nuk ka ndodhur e nuk ndodh në asnjë vend demokratik të botës. Mandej opozita kishte shumë avantazhe që i përdori dhe që do të çonin logjikshëm në kompensimin e dëmeve nga ndonjë impostim i gabuar. PD ishte e vetmja forcë politike që konkurroi me një program shumë konkret, i hartuar në bashkëpunim me ekspertët e CDU-së gjermane.

Erdhi vetë këshilltari i zonjës Merkel, jo shaka, dhe u bëri thirrje shqiptarëve votojeni këtë program. Vetë Basha u fokusua kryesisht te programi. Dhe kjo ishte shumë e drejtë. Zgjedhjet për këtë bëhen. Nga ana tjetër, kandidatët e PD-së zhvilluan me program në dorë dhjetëra dhe deri në njëqind e dhjetë apo njëzet takime secili, ndërkohë që kandidatët e partive qeveritare, së paku në qarkun e Lezhës bënë pak, shumë pak ose aspak. Jo, jo. Nuk ia lë fushatës unë gjithë fajin. I lë sa mund t’i lihet. E përsëris: është mekanizmi kriminal i shitblerjes faktori që shkakton këtë rënie.

Por nuk shohim që partnerët ndërkombëtarë të kenë shfaqur shqetësime për shitblerjen siç reklamon Basha, qoftë edhe për faktin se nuk janë denoncuar shumë raste.
Raste janë denoncuar, jo aq shumë është e vërtetë. Sepse nuk është e lehtë të kapen. Janë shumë të pakët ata që denoncojnë fqinjin, shokun apo të afërmin, aq më tepër kur ekziston perceptimi i bazuar në fakte se policia është me të fortët që vijnë e të bëjnë gjëmën po i padite. Por e vërteta të nxjerr kokën. Në shumë rrugë e mënyra. Zhvlerësimi i madh i Euros në fushatë është një tregues.

Këtij fakti të fakteve u shtohet kapja që kanë bërë vëzhguesit e OSBE-së, të cilët nënvizuan në raportin e tyre paraprak se pesë për qind e firmave në qendrat e vëzhguara ishin vënë nga një dorë. Këto janë firma e kartave të blera ose të falsifikuara që nëse përkthehen në votë shkojnë mbi shtatëdhjetë mijë vota të blera e të manipuluara.

Vetë ambasadori amerikan, zoti Lu, pati dhënë alarmin në fillim të vitit se politikanë të korruptuar dhe krimi do të blejnë vota në zgjedhjet e qershorit. Kjo ndodhi. Shitblerja është damka e këtyre zgjedhjeve dhe më keq akoma është dënimi me vdekje i zgjedhjeve si të tilla, është fatkeqësi e madhe kombëtare, duke qenë se unë nuk shoh se si mund të zgjidhet me votë blerja e votës. Nuk është thjesht fjala për PD-në, por për demokracinë. Mekanizmi kriminal i shitblerjes nuk lejon dhe nuk do të lejojë asnjë alternativë të marrë frymë nëse nuk çmontohet. Partnerët tanë amerikanë dhe europianë do të vijnë te kjo gangrenë e tmerrshme e zgjedhjeve shqiptare.

Unë kam kuptuar se këta partnerë, amerikanët dhe gjermanët sidomos, kanë prej muajsh si përparësi të angazhimit të tyre në Shqipëri Reformën në Drejtësi. Është padyshim në të mirë të Shqipërisë. Për këtë, dikush ka mbyllur një sy apo të dy sytë për shitblerjen e votës. Por, kjo nuk mund të zgjasë. Jam i bindur se as SHBA, as Gjermania nuk do të tolerojnë në perspektivën e afërt një qeveri që ka instaluar fenomenin e shëmtuar, fyes për civilizimin, të blerjes, dhunimit, rrethimit të votës me paratë e drogës dhe korrupsionit, duke shfrytëzuar varfërinë që vetë ka krijuar.

Aksionet e Ramës pas fitores së 25 qershorit, ku spikat shpallja e aksionit kundër kanabisit, duket se shkojnë pikërisht në këtë drejtim. Duket se kryeministri po i del përpara këtij “gjykimi” ndërkombëtar në lidhje me akuzat që opozita i ka bërë në këtë rrafsh…
Shpalljet e Ramës për të bërë tabula rasa në administratë apo për të goditur baronët e kanabisit vërtetojnë një për një akuzat e opozitës për degradimin e skajshëm të administrimit dhe për kalbëzimin e vendit gjatë qeverisjes së tij. Pyetja që nuk ka laborator politologjie që ta gjejë, nëse nuk futen në llogari paratë e drogës, është se si u rritën tri partitë e qeverisë në këtë qeverisje të degraduar? Tani që do të qeverisë vetëm, Rama ka marrë shpatën.

Jam dakord me këto shpallje dhe me të tjera që do të vijnë më pas në këtë rrafsh. Më vjen keq ta them, por Rama është në pamundësi absolute për të vendosur ligjin. Ai ka fituar shumicën përmes krimit elektoral të blerjes dhe dhunimit të votës. E gjithë malavita e vendit, që jeton dhe vepron në paligjshmëri flagrante, njihet në pushtetin e tij. Goditjet që nuk prekin këtë bastion të pushtetit të tij kanë qenë, janë e do të jenë demagogji.

Gabimi im është se i besova Ramës, ka thënë Basha, ndërkohë që edhe ju keni theksuar në një prononcim tuajin se Rama e preu në besë Bashën. A jeni dakord me këtë deklaratë të Bashës?
Unë kam presupozuar se marrëveshja Rama-Basha kishte vetëm një kuptim: të ndalonte shitblerjen dhe dhunën. Kjo nuk ndodhi. E vetmja Parti parlamentare që nuk bleu vota dhe nuk ushtroi dhunë ishte PD. PS ishte në ballë të shitblerjes, ndjekur nga LSI dhe mjaft kandidatë të PDIU.

Nga kjo pikëpamje kam thënë se Rama preu në besë Bashën. Por Basha nuk ka bërë gabim që e besoi. Ky është mendimi im. Njerëzit jetojnë në besim. Është mizore të mos jetosh në besim, të jetosh gjithnjë në dyshim, që është gjeja më e rëndë që mund të të ndodhë, që të shtyn pa ndjerë në poshtërsi të vogla, siç thotë shkrimtari i madh Jozef Kondrad.

Folët për veprime që kanë rezultuar gabime, a mund të rendisësh tre prej tyre sipas peshës që mendon se kanë pasur në gjithë qasjen e PD-së dhe Bashës në fushatë?
Shiko, e cekëm dhe më lart më duket: Humbja duket frymëzuese për të hedhur mbi të shigjeta. Humbja çfarë nuk mban. Kush ngrihet i pari…Ç’t’i vijë në mendje. Unë jam i rezervuar të marr pjesë në këtë festival. Jam i rezervuar nga pasiguria. Kam shumë mendime që pres t’i shtjelloj, duke pritur debat dhe kundërshtime, në analizat që do të bëhen.

Për momentin, meqë nuk më shkon ta lë pa përgjigje pyetjen tuaj, mendoj se një veprim që ka rezultuar gabim është mosvotimi qëkurse u ngrit çadra i organeve të vettingut nga grupi i PD-së. Kjo krijoi ekuivoke për kauza të dyzuara të çadrës, i dha mundësi Ramës të bënte kalë beteje vettingun duke fshehur aty të gjitha rraqet dhe dështimet e tij dhe kryesorja, sipas meje, ngriti një mur me partnerët kryesorë që ishin investuar për këtë reformë. Kam parasysh amerikanët dhe gjermanët. Organet e vettingut u votuan më fund. Mendoj gjithnjë se PD-ja do të kishte patur një bonus të madh po t’i votonte në fillim. Siç e pati kur votoi reformën kushtetuese për reformën në drejtësi verën e vitit të kaluar.

Po marrëveshja me tij dhe Ramës? Shumë prej kritikëve të Bashës sulmojnë marrëveshjen si gabim të madh…
Jo, nuk e mendoj ashtu. Pse marrëveshja duhej të penalizonte Bashën dhe jo Ramën që u detyrua të lëshonte më shumë se gjysmën e qeverisë së tij?

Një tjetër debat në PD ka qenë dhe mbetet mënyra se si Basha hartoi listën e deputetëve dhe qëndrimin që ai mbajti ndaj një pjese të deputetëve demokratë që përfaqësonin një pjesë të rëndësishme të historisë së PD-së… Çfarë përshtypje ju ka lënë kjo lëvizje e Bashës?
Kam folur për këtë temë. Lista ngërthen emocione të mëdha sepse lidhet me karrierën politike. Nga ky këndvështrim reagimet kundër listës janë të pritshme, ca më shumë kur hartuesi i saj nuk është lideri karizmatik historik në pushtet, para të cilit pakkush ndihet. Në thelb, lista dhe problematika që ajo prodhon janë derivate të sistemit që kemi.

Prej shumë vitesh askush nuk votohet me këtë sistem, pesha elektorale e njërit dhe tjetrit nuk matet me votë, kjo rrethanë e shton subjektivizmin e kryetarëve kur bëjnë listat. Pastaj edhe ajo rrethana tjetër, enigmatike, tjetërsuese dhe poshtëruese shpeshherë, si të kesh një vend në orbitën që popullon mendjen e kryetarit në prag të fushatës, si të hysh në zemrën e tij që ai të të rendisë në një vend të sigurt në listë, si të presësh verdiktin që nuk dihet si do të jetë…Të gjitha këto i krijon sistemi në fuqi i kryetarëve. Problemi nuk është i lehtë se ka edhe ky sistem logjikën e vet.

Çdo kryetari, në çdo kohë, i duhet të balancojë dy parime, dy aksioma që duken kundërshtuese në pamje të parë: Qarkullimin e elitave në një anë dhe konservimin e investimeve politike në anën tjetër nisur nga sentenca që e përmendte shpesh Xhulio Andreoti “nuk improvizohet klasa politike”. Preferenca ime ka qenë dhe është futja e garës dhe votës kudo, pra konkurrenca për çdo nominim, për çdo post në parti. Sepse vota, sipas mendimit tim, gabon më pak se subjektivizmi i një njeriu të vetëm. Basha e ka thënë gjatë fushatës: është hera e fundit që shkohet me listën e kryetarit.

Zoti Zogaj, si nga themeluesit e PD-së dhe njohësit e gjithë historisë së saj, çfarë do të thotë një rikonfirmim i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, me një proces të kontestuar nga një pjesë e demokratëve, themelues, ish-drejtues dhe ish-ministra të saj?
Zgjedhjet për kryetar partie të PD-së përkuan në kohë nga pikëpamja statutore me daljen e saj me një humbje të rëndë nga zgjedhjet politike. Shpërthimet me tone dhe fraza ostrakiste (dëbuese) të disa prej kritikëve e rënduan gjendjen aq sa të mos dëgjoheshin më propozimet e ndërmjetme. Kjo bëri që Basha, në vend të vullnetit të mirë, t’i referohej në germë statutit të partisë që nuk parashikon dorëheqje të kryetarit kur humb zgjedhjet.

Zgjedhjet e 22 korrikut ishin statutore, Lulzim Basha u rikonfirmua me votën e shumicës dërmuese të demokratëve që morën pjesë në këto zgjedhje me parimin ‘një anëtar-një votë’. Rivali i tij në garë, Eduard Selami, i tha të gjitha ato që i kishte menduar si gabime dhe dështime të Bashës dhe i tha me një etikë dhe elegancë impresionuese që duhet të jetë standardi i luftës brenda llojit. Pavarësisht se gara nuk ishte e barabartë, sipas tij, Selami e kishte këtë avantazh se kishte përballë një rival të sulmueshëm për shkak të humbjes ku vetë nuk kishte përgjegjësi.

Mendoi se u penalizua mbi të gjitha nga galvanizmi i situatës brenda anëtarësisë së angazhuar në fushatë, galvanizmim që në këtë rast ndihmoi Bashën. Fitorja e Bashës është shumë e qartë. Si çdo fitore ajo ka patur e ka edhe kundërshtarë, por demokracia brenda partisë kështu funksionon: kush fiton shumicën merr drejtimin, pakica integrohet në projektin e fituesit, palët bashkohen dhe shkojnë përpara.

A e ndan apo e ribashkon PD-në ky rikonfirmim i tij, pas humbjes së 25 qershorit dhe përplasjeve për mënyrën se si u zhvillua kjo garë në PD?
Garat gjithmonë ndajnë. Procesi që vjen prapa ribashkon. Apeli im ky është: në jetën politike brenda PD-së të gjithë të vënë PD-në të parën. Sidomos tani që është në opozitë dhe ka përballë një shumicë që është fryrë e bërë shumicë me shitblerje votash. Të vënë PD të parën jo vetëm me slogane. Me veprime, me akte, me një komunikim që shërben përafrimin, tolerancën.

Si kryetar legjitim Basha duhet të japë i pari shembullin, ta udhëheqë këtë proces, duke krijuar një mjedis konkurrues në parti dhe duke reflektuar propozime racionale të kritikëve. Një identitet politik ndërtohet e forcohet përmes mosdakordësive, thotë filozofi dhe politologu konservator Skruton në librin e tij “Si të jesh i djathtë”, botuar nga UET në përkthimin e Fitim Zekthit. Po aty ai ka paragrafë të shkëlqyer për rolin e individit kritik brenda familjes politike, që ngre pyetje e shtron të vërteta të cilat konformizmi i masës nuk i percepton dot.

Çfarë mendoni se duhet të korrigjojë Lulzim Basha në këtë mandat të ri nga gabimet e 4 viteve të para? A mund të ringrihet e si mund të ringrihet PD-ja?
Basha i ka thënë më herët shumicën e gjerave që kanë thënë e po thonë rivalët dhe kritikët e tij. Nga kjo pikëpamje atij i mbetet që në vijimësi të bashkojë fjalët me aktet për çdo çështje që lidhet me demokracinë e brendshme në parti, e tjerë. Në periudhën e afërt një analizë e thellë dhe një projekt për fitoren janë emergjencë. Mandej edhe mbështetja ndërkombëtare që duhet rikuperuar. Ajo që mund të them tani është se ringritja është fati i PD-së. Nuk shoh fat tjetër. E kam ndjesi, e kam bindje të brendshme.

A mendoni se Basha tashmë i rizgjedhur duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Ramën sipas marrëveshjes se 18 majit dhe nëse po, a e ndihmon apo e dëmton kjo PD-në?
Marrëveshja që lidhet me reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore patjetër që duhet të vazhdojë. Në këtë rrafsh PD-së i shkon të jetë protagoniste. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, identifikimi biometrik i zgjedhësve, votimi elektronik, vota e emigrantëve, e tjerë, janë reforma dhe zgjidhje që i duhen vendit dhe PD-së njëherësh.

A keni ndonjë koment për qëndrimin e deritashëm të Berishës për zhvillimet e brendshme në parti dhe si e shihni rolin e tij në legjislaturën e ardhshme, duke qenë deputeti më i vjetër i një grupi parlamentar kryesisht me figura të reja jo vetëm në moshë, por edhe në eksperiencë politike?
Mendoj se Berisha ka mbajtur një qëndrim korrekt në respekt të statutit, të legjitimitetit të zgjedhjeve në parti, të diversitetit, të nevojës për të kontribuar të gjithë për bashkimin. Kjo legjislaturë do të jetë interesante sepse na propozon një përballje në aulën e Kuvendit të kryeministrit dhe shefit të opozitës, duke qenë se Basha është deputet. Është një situatë e re për Berishën. Për arsye politike të kuptueshme, ai nuk mund të ketë protagonizmin e legjislaturës së shkuar. I mbetet atij të gjejë pozicionin e ri. Mendoj se do ta gjejë.

A do jetë PD-ja në gjendje të bëjë një opozitë të fortë apo opozitën e fortë do e bëjë LSI në parlamentin e ri, siç edhe ka premtuar Kryemadhi dhe drejtues të tjerë të kësaj partie?
Pa diskutim. Opozita e PD-së në Kuvend dhe jashtë Kuvendit do të jetë e fortë, e pjekur, profesionale. Në grupin e PD-së ka plot politikanë me përvojë, oratorë të zotë, opozitarë të sprovuar. Ka edhe të rinj që do të spikasin. Nga ana tjetër, politikanë dhe oratorë të zotë PD ka plot edhe jashtë Kuvendit, njerëz mediatikë, funksionarë, ish-funksionarë, ish të zgjedhur dhe të zgjedhur në strukturat e saj. Besoj se edhe ky grup përfaqëson një pol komplementar të opozitarizmit përkrah grupit parlamentar. Opozita e PD-së kësaj radhe do të jetë model i forcës së argumentit dhe arsyes.

LSI do të bëjë opozitën e saj. Dalja e LSI-së në opozitë është një nga lajmet më të mira të kësaj vere. E kanë seriozisht, me sa shoh unë. U pa te dorëheqja fisnike e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, te përjashtimi i këshilltarëve bashkiakë që nuk respektuan vendimin e grupit për çmimin e ujit e të tjerë. Këto janë akte. LSI-ja duhet të kalojë një provë të fortë opozitarizmi, përkundër asaj që thuhet rëndom për të sikur i tërheq kërraba nga qeveria. Besoj se do ta kalojë me sukses, pavarësisht firove.

A duhet të bashkëpunojë PD-ja me LSI-në për të qenë një opozitë në bllok ndaj qeverisë së re Rama? Cili duhet të jetë kufiri ndarës mes tyre?
Opozitat nga natyra e tyre shkojnë drejt bashkëpunimit. Për momentin është e rëndësishme që Kuvendi ka një opozitë të fortë me dy subjekte. A do të këtë dhe si do të jetë bashkëpunimi në të ardhmen, këtë le t’ia lëmë kohës.

(Marrë nga Revista “Mapo”)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb