TIRANE- Demokratët pësuan një humbje të thellë më 21 qershor, por analiza e zgjedhjeve do të nisë vetëm në muajin shtator.

Kryetari Lulzim Basha mësohet se do të nisë një sërë takimesh me bazën e partisë, ku do të ndërmarrë takime me strukturat PDsë. Basha do ta nisë këtë analizë në muajin shtator, me një tur takimesh në çdo bashki, ku do të mbledhë strukturat e bashkive, të deleguarit, deputetët si dhe të zgjedhurit lokalë. Nga këto takime pritet të analizohet se ku është gabuar në strategjinë elektorale të së djathtës. “Analiza do të jetë e ndarë në çdo bashki, pasi secila ka specifikat e veta dhe asnjë nuk është e ngjashme me tjetrën. Është mënyra më e mirë për të punuar në grupe të vogla dhe për të gjetur problemet e zonës përkatëse.

Në këto zgjedhje për herë të parë, kreu demokrat, Lulzim Basha, testoi për herë të parë aftësinë e tij për të menaxhuar aleatët, për ngritjen e strukturave dhe përzgjedhjen e aleatëve. Megjithëse ky nuk qe një test me rezultat pozitiv, duket se pozitat e Lulzim Bashës nuk janë në rrezik dhe se baza demokrate kërkon më shumë “ndëshkimin” e krerëve lokalë dhe të deleguarve, se sa dhënie llogari nga kryetari i partisë. Vetë ish-kreu demokrat, Sali Berisha, duket se i ka ardhur menjëherë në ndihmë pasardhësit të tij, ku e zhveshi atë nga përgjegjësia e rezultatit të dobët.

“Zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje të cilat përcaktojnë fatin e liderit edhe zgjedhjet e përgjithshme në disa raste ka që e përcaktojnë. Janë një grup vendesh të caktuara, që nëse liderët humbasin zgjedhjet thonë ‘goodbye’, ka shumë vende të tjera të cilat thotë ‘përpara me mua’. Kështu që zgjedhjet lokale nuk e përcaktojnë”, është shprehur z. Berisha.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb