Nga: Dorjana Bezat

TIRANË- Një operacion policor i ngjashëm me një skenar filmash aksion ka ndodhur mesditën e së martës në Tiranë. Një mjeti “Touareg” i është bërë shenjë nga Policia Rrugore që të ndalojë, pasi ka qenë duke ecur në kundravajtje, por mjeti nuk i është bindur policisë dhe ajo është vënë në ndjekje të tij.

Në ndihmë të policisë kanë ardhur dhe Forcat operacionale. Për t’i shpëtuar ndjekjes, në zonën e “Zogut të Zi”, “Tuaregu” ka përplasur qëllimisht 3 mjete në lëvizje duke shkaktuar kaos në trafik. Pas rreth 30 minutash ndjekje policia ka mundur ta bllokojë mjetin “Tuareg” në zonën e quajtur “kupola” pranë Drejtorisë së Doganës ku është detyruar të qëllojë dhe në ajër për të neutralizuar të drejtuesin e tij.

Drejtuesi i mjetit është vënë në pranga dhe pas kontrollit fizik atij i është gjetur edhe një armë zjarri, e cila u sekuestrua nga policia. Pas verifikimit policia ka dyshime se i arrestuari është një person i rrezikshëm, i dyshuar për vepra të rënda kriminale dhe “gjobëvënie”.

I arrestuari me origjinë nga Lekbibaj i Tropojës, u shoqërua në Policinë e Tiranës ku po merret në pyetje për të zbardhur plotësisht ngjarjen. (Foto ilustruese)

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: