TIRANE- Një konflikt i nisur në tavolinë rreth një muaj më parë, teksa pinte kafe me dy komshinj, dyshohet të jetë bërë shkak për plagosjen e mbrëmshme të Eduard Dukës në zonën e Kinostudios. Të paktën këto janë të dhënat e para të policisë.

Burime të BalkanWeb bëjnë me dije se Duka ka sqaruar në atë kohë në polici, se sherri me grushte e shqelma me dy komshinjtë kishte nisur pasi ishin kapur me fjalë, ndërsa njëri prej tyre e kishte sharë edhe nga gruaja.

Konfliktin e kanë çuar edhe në komisariatin nr.4, nga i cili kanë dalë të sqaruar, por që nga ajo kohë nuk kanë folur më me njëri-tjetrin, referuar të njejtave burime.

Kur ka kaluar më pak se një muaj, Dukës i bëhet atentati në të njëjtën zonë ku edhe u konfliktua. Duke njohur konfliktin policia shpalli në kërkim dy personat e sipërpërmenduar, por pa përjashtuar dhe pistat e tjera të hetimit.

Kujtojmë se nga të shtënat e mbrëmshme teksa qëndronte në kafë, Duka mori plagë të lehta në krahë dhe po merr mjekimin e nevojshëm në QSUT. Në momentin që ndodhi ngjarja, 34-vjeçari ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, në një lokal shumë pranë Komisariatit të Policisë Rrugore, ndërsa autorët kanë qëlluar nga një makinë, e më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i Policisë
“Më datë 20.03.2017, rreth orës 20:20, në vendin e quajtur “Kinostudio”, pranë një Bar Kafe, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E.D., 34 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj ngjarje janë shtetasit: – L. D., 30 vjeç, banues në Tiranë – E D., 26 vjeç, banues në Tiranë Shtetasi E. D. është qëlluar me një armë zjarri të kalibrit 7.65 mm, i cili është plagosur në krahë dhe ndodhet në S.Q.U., nën kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre gëzhoja të kalibrit 7.65 mm. Shtetasit e shpallur në kërkim, me shtetasin e dëmtuar, më parë kanë pasur një konflikt midis njëri tjetrit dhe konkretisht më datë 08.02.2017, konflikt i cili është trajtuar nga Komisariati Nr 4. Po punohet për kapje e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vrasje me paramendim, mbetur në tentativë, në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga Nenet 78-22-25 dhe 278/2 të Kodit Penal.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: