Një pilot gjerman dhe përfaqësuesi shqiptar i një firme që kryen prej kohësh shërbim helikopter në Shqipëri janë ndaluar sot në Rinas. Gazeta Dita shkruan sot se “Pesha e episodit që ka pasuar një protestë në Ambasadën Gjermane në Tiranë është rënduar pasi gjatë replikave mbi arsyet e ndalimit është përmendur emri i kryeministrit shqiptar”.

Po sipas saj, Një oficer i pikës së kontrollit i ka pohuar përfaqësuesit gjerman të interesuar se urdhëri për ndalim është marrë pas një telefonate nervoze për “prishje të qetësisë së kryeministrit në Dhërmi” pasi helikopteri që drejtonte piloti gjerman i ka “kaluar dy herë sipër”.

Kurse nga raporti zyrtar mësohet se piloti gjerman dhe përfaqësuesi shqiptar i firmës janë nisur dje nga Rinasi në një fluturim rutinë me të njëjtën procedurë që kanë kryer edhe më parë fluturime.

Atyre u është dhënë OK për fluturimin me destinacion Greqinë si të gjithë herët e mëparshme pasi kanë paraqitur rregullisht itinerarin dhe planin e udhëtimit dhe pasi janë kryer kontrollet përkatëse.

Por e njëjta pikë kontrolli në Rinas që u ka dhënë OK në nisje i ka ndaluar në kthim pa dhënë fillimisht asnjë arsye. Pas rreth 2 orësh tensioni u kanë komunikuar akuzën e “shkeljes së kufirit”, sepse nuk kanë “vulosur pasaportat” në dalje nga Rinas.Ka pasuar protesta e dy të ndaluarëve që kanë këmbëngulur se ka qenë e njëjta pikë kontrolli në Rinas që u ka dhënë OK një ditë më parë dhe që kanë udhëtuar në të njëjtën mënyrë rreth 40 herë të tjera.

Pas presionit në rritje dhe telefonatave të shtetasit gjerman me zyrat qendrore të firmës dhe Ambasadën policët kanë nxjerrë si pretekst prishjen e qetësisë së kryeministrit që po pushon në Dhërmi. Sipas dëshmisë së pilotit gjerman kontrollorët kanë qenë nervozë dhe një prej tyre komunikonte vazhdimisht në telefon.

Detajet mësohen nga një raport i pilotit gjerman për firmën dhe Ambasadën.Ai ka sqaruar pranë Ambasadës se ka qenë në një fluturim me destinacion Greqinë dhe se ka kaluar në Rinas rregullisht si herë të tjera me të njëjtat procedura. Piloti që posedon edhe një certifikatë të NATO-s ka sqaruar se në asnjë rast nuk u është kërkuar të vulosin pasaporta dhe se është absurde që i njëjti ekip që i ka përcjellë në nisje të sillet në mënyrë të ndryshme në kthim.

Edhe pala greke ka konfirmuar se bëhet fjalë për personel; pilot dhe operator bordi dhe nuk paraqitet e nevojshme vulosja e pasaportave. Pala greke sqaroi gjithashtu që pilotit i është kërkuar të bëjë një rrotullim të dytë përpara se të hynte në korridorin e duhur për shkak të trafikut ajror.

Me sa duket ka qenë pikërisht në këtë moment që pilotit gjerman i është dashur të fluturojë edhe njëherë mbi Dhërmi ku nëse besohet versioni i shfaqur gjatë replikave në Rinas ka ndeshur me zemërimin e kryeministrit shqiptar.

Një përfaqësues i firmës gjermane tha se ndjen keqardhje për incidentin. Sipas tij keqardhja është e shtuar edhe prej faktit që helikopterët janë vënë në dispozicion për urgjenca mjekësore, udhëtime shtetarësh dhe raste aksidentesh të rënda si dhe së fundmi për nevoja të bazës së Pashalimanit.

“Të gjitha këto shërbime janë bërë me kërkesë të shtetit shqiptar. Ne nuk kemi marrë madje ende as pagesat për të cilat duke ditur vështirësitë e rasteve dhe rrethanat humanitare në shumë raste nuk kemi këmbëngulur” – shkruhet në një notë proteste të firmës drejtuar autoriteteve në Rinas.

Është hera e dytë që qetësia e kryeministrit në Dhërmi bëhet pretekst i policisë në episode të tilla, por këtë herë është përfshirë edhe një shtetas i huaj. Gushtin e kaluar dy drejtues të policisë së Vlorës u pushuan dhe një tjetër u paralajmërua nga eprorët. Atyre iu komunikua se nuk mundën të ndalonin disa zhurma që depërtuan nga një disko verore në rezidencën qeveritare ku pushonte kryeministri, por kjo nuk u konfirmua asnjëherë zyrtarisht.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: