TIRANE- Një vit më parë ai luftoi me vdekjen, për shkak të një infarkti. Ndërsa sot Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t, ka ndarë me të gjithë momentin më të keq të jetës, por dhe të familjes së tij.

Me anë të një postimi në faqen e tij në ‘Facebook’ ka kujtuar ‘kthimin’ e tij në jetë. Por pavarësisht se ka kaluar një vit nga ngjarja, Lame nuk ka mundur t’i japë përgjigje një pyetjeje.
lame status
STATUSI
“Kthim! Miq, Sot mbush vitin që prej ditës kur vendosa të qëndroj ende këtu, në këtë pjesëz tokësore të Pafundësisë. Në këto 365 ditë, ende s’i kam dhënë dot përgjigje pyetjes në dukje shumë të thjeshtë: I kujt qe vullneti që të kthehesha sërisht? Ndoshta Universi është organizuar në një të atillë mënyrë, që ca pyetjeve të mos mundemi kurrë t’u japim udhë. Dhe përmes këtij mundimi drejt njohjes, kalon edhe e gjithë përpjekja për të mirën. Shumë nga gjërat që premtova t’i bëj që atëhere, ndoshta nuk i kam bërë, paçka se e kisha shpirtin të zhveshur në eter. Por zemra e mishtë që përleshej mes bisturish të çelikta, më bën sot t’ju kujtoj të gjithëve se sa i hollë është tehu që ndan atë se ku do jemi, këtej apo andej. Eshtë aq i hollë, sa nuk ja vlen ta mprehim edhe më tej atë me pakujdesitë tona të zhurmës së përditshme. I thashë, më tha, s’i flas, do t’i bëj këtë, i keqi, do ta zhduk, ja ngeca, do ta marr, se jap, t’ia marrim, ta prishim, s’dua, se bëj, s’ma bën, e plot e plot të tjera ankthe, me të cepat e theptë të të cilëve gërricim ditët tona. Jua thotë këtë dikush që e pa atë teh, e jo veç e pa, por edhe e ndjeu në mish të vet. Ky vit që shkoi, më ka bindur edhe më tej në dobinë e dhënies. Universi është shumë i pafund për të patur kohë ta marrim të gjithin brenda vetes, edhe në qofshim aq të pangour. Ndaj e vetmja mënyrë për të marrë diçka më shumë, është të japim. E kam thënë, s’ka rëndësi çfarë: panem, amor, vitam… Dhe se fundi, sa herë bëni dicka, bëjeni me shpirt dhe ndjejeni deri në shpirt, sepse ç’do herë mund të jetë e fundit”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: