TIRANE-Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg një 19-­vjeçar, të akuzuar për “mashtrimin” e këngëtares shqiptare nga Shkupi, Adelina Tahiri. I riu Aleks Manaj ka shpërdoruar besimin e këngëtares, së cilës i ka ofruar ndihmë për t’i parkuar automjetin e saj “Volkswagen Passat”. Ai e kishte ndihmuar për këtë veprim edhe herë të tjera, por këtë radhë, pasi ka hipur në makinë, Manaj është larguar me shpejtësi. Ai u ndalua nga policia pa mundur të largohet nga kryeqyteti.
Pas ndalimit rezultoi se Manaj nuk kishte patentë për drejtim mjeti. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë në mars të këtij viti, kohë kur këngëtarja ishte e angazhuar në një spektakël televiziv në Shqipëri.

Gjykimi i 19-­vjeçarit përfundoi në një seancë të vetme të zhvilluar në muajin korrik. Ai u shpall i fajshëm për dy vepra penale, atë të “mashtrimit” dhe “drejtimit të mjetit në gjendje të parregullt”.
Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kërkoi një dënim me 2 vjet burg për të pandehurin Manaj, ndërsa i pandehuri kërkoi dënim të butë dhe pezullim të dënimit me burg.
Në caktimin e masës së dënimit, Gjykata mbajti parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe të të pandehurit, faktin që i pandehuri ishte i dënuar me parë, gjendjen e tij familjare, si dhe pendimin e tij të thellë për veprën e kryer.

Referuar vendimit të zbardhur të gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, ngjarja nga e cila u dëmtua këngëtarja Tahiri është shënuar më 16 mars 2016. Në orën 20:30 të kësaj date, shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Aleks Manaj. Prangosja e tij është bërë për faktin se në të njëjtën ditë ai kishte mashtruar këngëtaren Adelina Tahiri se do t’i parkonte makinën e saj, me targa KS 9512AJ, tip “Volkswagen” në afërsi të “V…”, tek ish­Blloku, por ia ka marrë asaj këtë mjet dhe është larguar.

(d.b/BalkanWeb)

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: