KAVAJE- Duke mos gjetur zgjidhje për hallet e tyre në disa raste, qytetarët kanë zgjedhur që t’i drejtohen drejtpërsëdrejti kryeministrit Edi Rama. Këtë gjë ka bërë një ditë më parë administratorja e një biznesi në Spille, në Kavajë, pasi një specialist dhe dy inspektorë të Tatimeve, i morën abuzivisht 40 mijë lekë të reja.

Pas kësaj, policia nisi hetimin, duke arrestuar tre tatimorët.

“Më datë 21 korrik gjatë orëve të mbrëmjes nga strukturat e Policisë është finalizuar operacioni i koduar FND, i cili u realizua pas një denoncimi të bërë nga një subjekt privat drejpërsëdrejti tek kryeministri Edi Rama. Me marrjen e dijenisë për këtë denoncim, u organizua puna për vënien në lëvizje të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me strukturat e tjera të policisë, dhe Prokurorinë e Kavajës.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– Ermal Harrizaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në drejtorinë e hetimit tatimor Tiranë.
– Ervin Kule, 29 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në drejtorinë rajonale Tiranë.
– Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në drejtorinë rajonale Tiranë.

Arrestimi i këtyre personave u bë pasi më 21.07.2017 të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll tatimor pranë një subjekti në Spille, në Kavajë, me administratore shtetasen A.M. Duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë asaj shumë prej 40 mijë lekë të rinj”, u shpreh kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Ardi Veliu në një konferencë për mediat.

Sakaq, policia po vijon punën për dokumentimin e rastit, dhe hetimin nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve.

Ndërsa materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së rrethit Kavajë për veprën penale “Korrupsion pasiv” i personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe “shpërdorim i detyrës”.

Në fund të fjalës së tij, kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u bëri një thirrje qytetarëve dhe sipërmarrësve: “Policia e Shtetit u bën thirrje çdo sipërmarrjeje apo subjekti tregtar që gjenden në kushtet shtrënguese si pasojë e sjelljes abuzive të punonjësve të shtetit, të denoncojnë pa ngurrim. Si dhe i siguron të gjithë për gatishmërinë për të reaguar në kohë reale në mbështetje të çdo viktime të shpërdorimit të detyrës”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: