TIRANË – Dy deputetë të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, e bëjnë fakt, idenë e hapjes së dosjeve të diktaturës. Sot në mesditë, ata kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, projektligjin për hapjen e dosjeve, tre vjet pasi ai u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Për më tepër, Doda ka premtuar se ajo do të jetë në Kuvend për ta mbrojtur këtë projektligj e madje i bëri ftesë edhe kolegëve të saj, të majtë e të djathtë që ta mbështesin. Ajo tha për mediat se “se të gjithë krahët, të majtë dhe të djathtë, duhet të bashkohen në këtë akt tejet të rëndësishëm për vendin.”

E pyetur sesi do ta mbrojë këtë projektligj, në kushtet kur PD-ja e ka bojkotuar Kuvendin, Doda i kërkoi të gjithë deputetëve të jenë për ta mbështetur këtë nismë ligjore. “Tre vjet më pare, kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Ligjin e Lustracionit, – tha ajo, – unë premtova se do ta paraqisja sërish atë. Paraqitja e sotme është pa dyshim një vendim dhe premtim para elektoratit.”

Ndërsa, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi vërejti: “Është në ndërgjegjen tonë si Studentë të Dhjetorit dhe deputetë për të vënë në vend hapin që duhet të bënte politika që prej 20 vjetësh, Ligjin e Lustracionit. Ne e kemi mbështetur këtë nismë të shoqërisë civile. Ajo nuk i drejtohet ndonjë partie politike, por ndërgjegjes politike dhe që të tregohemi dinjitozë, e gjithë politika shqiptare duhet të bëjë katarsisin e vet.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb