TIRANE- Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka komentuar atë çka ndodhi në seancën e jashtëzakonshme plenare, të 11 prillit, ku u diskutua krijimi dhe përbërja e komisionit “ad hoc” për verifikimin e kandidatëve për institucionet e vettingut. Këto komisione do të verifikojnë kandidatët e institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deputetët e Kuvendit, pa opozitën miratuan kandidaturat e dy anëtarëve të PS-së Vasilika Hysi, Ulsi Manja, dhe atë të LSI-së, Luan Rama.

Por gjatë votimit, vetëm kreu i PDIU Shpëtim Idrizi nuk ka marrë votat e nevojshme për të qenë anëtar i komisionit “ad hoc” për vettingun.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në “News24”, kreu i PDIU tha se artifica të kësaj natyre, si ajo e qëndrimit të mbajtur në Kuvend, duhet të shmangen, ndërsa theksoi se duhet t’i jepet rëndësia e duhur reformës në drejtësi.

Si e përceptoni ju atë që ndodhi në Kuvend?
Për gjëra kaq themelore siç është reforma në drejtësi, artifica të tilla i bëjnë dëm procesit. Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, dhe zbatimi i vettingut nuk mund të fillonte me një gjë të tillë. Nuk ndaj opinionin që dy partitë e mëdha të kenë mazhorancën, pasi ata kanë përgjegjësinë për këtë sistem që ne po anatemojmë sot. Kreu i Parlamentit i ka dërguar një letër të gjithë grupeve parlamentare për të paraqitur kandidaturat. Edhe ne paraqitëm kandidaturën tonë, nisur edhe nga fakti që mazhoranca ka 3 grupe parlamentare. Emri i propozuar nga PDIU, ishte në kuadër të kësaj. Në Konferencën e Kryetarëve, u tha se PDIU meqë nuk është e përfaqësuar me ministër, trajtohet si minorancë. Por këtë nuk mund ta pranonim. Ne tashmë përfaqësohemi në kabinet qeveritar me zv.ministër. Megjithatë nuk ka rëndësi fakti i kësaj artifice. Në këto kushte doli ideja që të vazhdoja të garoja në pjesën e mazhorancës.

Si jua shpjeguan këtë?
Ne nuk pranuam. Edhe disa anëtarë të Konferencës së Kryetarëve nuk e pranuan këtë. Dhe më ngeli të garoja me Ulsi Manjën. Por theksoj se ne të gjithë duhet të kuptojmë se reforma në drejtësi është një proces shumë serioz.

Zonja Doda, deklaroi se ky votim e dëmton koalicionin qeveritar. Është veprim tinzar apo jo?Nuk mund t’i shtoj më shumë asaj që thashë. Po e përsëris, imagjinoni sot jemi në një krizë të madhe politike, përfaqësimi, elektorale. Kjo vjen nga mungesa e besimit të palëve. Për sa i përket marrëdhënieve brenda koalicionit, nuk të lë shije të mirë.

Partia juaj mori vota të konsiderueshme në zgjedhjet e kaluara. Cilat janë pritshmëritë tuaja në zgjedhjet që vijnë? Shpesh Rama ju përdor për të trembur Metën, por dhe Meta ju përdor për të trembur Ramën?
Mendoj dy gjëra. E para, PDIU ka peshën e vet në skenën politike shqiptare. Të garantoj që në zgjedhjet e ardhshme do dyfishojmë mandatet tona. Për shkak të peshës që kemi, dhe rolin që po luajmë në përpjekjen për t’u ulur në bisedime. Deduksioni i dytë, është fakti i gabuar që dikush mund ta përdorë PDIU-në, por kjo vjen si pasojë e kodit zgjedhor që kemi nga partitë e mëdha. Ju kujtoj se pas vitit 2005 ka ikur koha e partive shtojcë.

Nëse Meta largohet nga qeveria, dhe nëse PD nuk futet në zgjedhje ju me kë do të shkoni?Është e vështirë t’i përgjigjesh shumë nëse-ve që ju më pyesni. Ne sot jemi në një moment të rrezikshëm për vendin. Shumë institucione do humbin legjitimitetin, dhe ne do shkojmë në një pikë që s’dimë çfarë do bëhet. Unë nuk e imagjinoj dot sot edhe me praninë time, se si palët në 2017-n, një vend kandidat për BE, të mos arrijë të bëjë zgjedhje trasnparente dhe pa bërë zgjedhje me të gjitha palët. Ne kemi bërë propozime konkrete për të hyrë në bisedime.

Lulzim Basha nuk dëgjon më asnjë variant, as Europën…
Zgjedhjet e njëanshme janë më të këqijat që mund të bëhen, e thënë edhe nga ndërkombëtarët.

Ilir Meta mund të hidhet në këtë anë…
Meta mund të hidhet në një anë, Basha mund të hidhet në një anë. Mund të bëjnë çdo gjë, por kanë përgjegjësitë e tyre. Unë po ndalem tek ajo që ka propozuar PDIU. Ne i kemi kërkuar opozitës të kthehet në Kuvend. Kemi kërkuar dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor. Në propozimin tonë kërkojmë ta kthejmë Shqipërinë në një zonë zgjedhore. Të gjithë partitë të kenë numërues. PD ka të gjithë të drejtën e zotit të kërkojë zgjedhje të lira e të ndershme, por nuk mund të kërkojë qeveri teknike. Ka të drejtë të kërkojë garanci.

Si do bëhet kjo gjë? Çfarë mjete ka për dhënë garanci?
Ka shumë mënyra. Ka vende, ku psh. ministri i Brendshëm, i Transportit, japin dorëheqjen 3 muaj para zgjedhjeve. Nëse opozitës dhe ne të tjerëve do na jepej një kosë për të korrur kanabisin, kjo nuk është zgjidhje.

Ju a do jeni në krahun e opozitës në këto procese?
Ne jemi për atë që të ulemi në një tryezë, t’i japim zgjidhje problemit. Opozita nëse do bashkë me mazhorancën, mund të ulet dhe të dialogojë. Ne kërkojmë që të gjithë palët të përfshihen në zgjedhje. Duam që vota e gjithë shqiptarëve të jetë e barabartë. Çdo zgjidhje jashtë kësaj, për PDIU është marri. Ju mendoni se në këtë vend do të vijë ndonjë investitor kur shikon që çdo 4 vjet në këtë vend ngrihet një çadër. PDIU ka paraqitur disa pika, dhe përpiqemi që me peshën që kemi të luajmë rolin e katalizatorit.

Në të dy qeverisjet e Ramës dhe Berishës keni qenë pjesë. Deputetja Doda tha se marrëveshja me PS është respektuar shumë pak…
E kam thënë unë më parë. Zonja Doda ndoshta e ka riktheksuar. Ne e kemi thënë edhe më herët, që nëse nuk na duan, jemi të aftë të vazhdojmë rrugën tonë. PDIU në skenën politike shqiptare i ka trimëruar partitë politike shqiptare. Nëse deri dje dikush kur i përmendej çështja çame ikte me vrap, sot jemi në një qëndrim tjetër falë PDIU. Marrëveshja që ne kemi patur me PS e cila daton nga një thirrje që na kanë bërë kur u bë reforma administrative. Pa votat e PDIU nuk realizohej reforma territoriale, dhe ne kemi luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Jo vetëm për bashkinë e Konispolit, apo Himarës, apo më gjerë. Kontributi ynë është shumë i rëndësishëm. E them këtë për t’iu përgjigjur dikujt që tha ne kemi më shumë vota se ata. Sa i takon respektimit të marrëveshjes, kjo ngelet për t’u parë, se kemi për të bërë një marrëveshje tjetër. Ne do rrinim në këtë mazhorancë dhe çdo mazhorancë tjetër që do të mbante qëndrime të drejtpërdrejta çështjen çame. Kjo qeveri e bëri pjesë të saj këtë çështje. Ideja jonë është që pleqtë që janë 80 apo 85 vjeç duam të vijnë të dëshmojnë për ato masakra që janë bërë në Shqipëri.

Ç’është pretendimi thelbësor?
Ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, nuk kërkojmë pronat, ne kërkojnë atdheun tonë. Ne kërkojmë të kthehemi në shtëpitë tona, dhe të kemi të drejtat e mohuara. Më bën përshtypje që ajo padrejtësi historike vazhdon i jep sot e kësaj dite efektet e saj tek shqiptarët e Çamërisë. Akoma e sot, ata nuk shkojnë dot të vizitojnë shtëpitë e tyre në Çamëri, ndonëse ne kemi vizat e liberalizuara.

Si është e mundur sot ne kemi ca dokumente pronësorë. Shumë nga shtëpitë tona nuk janë të zëna, janë me sekuestro preventive. Hera e parë që po i trimërojmë ne dhe po flasim.

Zoti Idrizi partia juaj ka patur ndarjet e veta. Kam patur Dashamir Tahirin këtu që është pjesa çame me demokratët, me një parti të djathtë. Ai tha që ai ju afroi ju në PDIU dhe ju e përzutë…
Të fundit njëri që do i jepja përgjigje do ishte një çami, ai gjithsesi mbetet brenda familjes së gjerë. E kam të vështirë sepse kam bërë një rrugëtim me të. Jam bërë deputet për herë të parë në 2005. Në 26 qershorin e 2006 unë jam ngritur në parlament dhe jam marrë vazhdimisht me përkrahjen e shoqatës “Çamëria” dhe PDI-së sot jemi të bashkuar. Kam shkuar në të gjitha thirrjet e Tahir Muhedinit. Në vitin 2009 ai doli deputet i PDI-së unë isha i PS-së dhe meqë në parlament ishin dy deputetë çam vendosëm të bënim një parti politike që çështja çame të ishte më e fortë. Kam bërë rrugëtimin bashkë me të dhe u bashkuan dy partitë që është sot PDIU sot deri në 2015. Në këtë vit u votua që të bashkoheshim me PS-në. Pas dy ditësh e shoh zotin Tahiri në mitingun e PD-së në Vlorë. Ne ramë dakord si grup parlamentar dhe në Këshillin Kombëtar. Nëse zoti Tahiri kishte më për zemër PD-në se PDIU-në është çështje e tij. Sot e di që do të garojë me PR-në, është punë e tij.

PD e ka fituar një betejë atë për dekriminalizmin. Partia juaj si është?
Nuk mund ta quajmë zotin Tahiri dot.

Më thonë për një farë Mane?
Është spekulim. Të gjithë deputetët e partisë sonë e kanë votuar dekriminalizimin. Ne nuk dimë deri sot të kemi, por në çdo rast është përgjegjësi personale jo politike. Të gjithë kandidatët do të firmosin formularët e dekriminalizimit.

Ju ku do të kandidoni?
Unë besoj që do të kandidoj në Tiranë. Edhe për faktin që jam kryetar partie dhe më duhet të lëviz në të gjithë Shqipërinë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja?
PDIU nuk është një parti e re. Është beteja jonë e katërt zgjedhore dhe politike. Pa numërues ne na kanë lënë në përzgjedhje 50-65 mijë vota. Ne mendojmë se do t’i dyfishojmë mandatet tona.

Edhe pse është krijuar një parti e re me Artur Dojakën?
Për çështjen çame i ftoj të kontribuojnë të gjithë. S’mund ta kemi ne ekskluzivitetin. Janë të mirëpritur të gjithë. Kjo partia që thoni ju ka nja 4 vjet që nuk ka aktivitet politik.

(el.sp/e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: