TIRANË- Gjatë aktivitetit qëndror të Tiranës, për zgjedhjet e 25 qershorit, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i dha një mesazh të qartë kryedemokratit Lulzim Basha pas akuzave të këtij të fundit nga Dibra se PDIU-ja ishte e zhytur thellë në qypin e turshive. Idrizi tha se gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e kryeqytetit Basha nuk mbajti asnjë premtim, por e ktheu atë në ndërmarrje të kunatit.

Ai shtoi ndër të tjera se tani e di hallin që ka kryedemokrati, pasi nuk po kërkon vota për veten e tij.

“I përgjigjem nga këtu dikujt që e ka marrë peng një parti të madhe që shumica e kanë prit si partinë e madhe pluraliste. Unë e Mesila kemi qwnë një nga themeluesit e saj, por si është e mundur sot që kjo parti e madhe të jetë marrë peng nga kjo parti. Ai nuk kërkon vota për partinë e vetë se ja kërkojnë nga ana tjetër. E di shumë mirë që e ka qejf ujin e detin e di se bashkinë e ktheu në ndërmarrjen e kunatit, po i kujtoj ku e ka premtimin që do jepte 100 mln lekë për varrezat e Kllogjrit”,- tha Idrizi.

Më tej ai e këshilloi Bashën: “Shif hallin tënd se i joti është më i madh se i joni”.

Mes të tjerash Idrizi shtoi: “Shqiptarët kanë gjithçka, por duhet ta kuptojnë se nuk mund të rrinë njëherë në çadër, e pastaj të bëjnë presione që s’do futen në zgjedhje, pasi këto zgjedhje janë serioze për fatet e gjithë shqiptarëve. Votoni nr.13, një slogan të shkëlqyer”.

Çështja Çame
Duke folur për çështjen Çame, Idrizi tha se “politika shqiptare e mbante si çamçakëz në gojë nga frika greke, ndaj u deshën energjitë tona që historia të ndërronte kah”. Ai theksoi se falë PDIU “Çështja Çame” u kombëtarizua dhe ndërkombëtarizua, kur para disa vitesh vetëm ideja e saj sillte dhunë.

“Ua lamë partive të tjera deri në vitin 2004, kur Shoqata “Çamëria” kërkoi një rezolutë në Parlament dhe përfunduan duke u rrahur sikur të ishin në Parlamentin e Serbisë a Greqisë. Kauza jonë e drejtë është kauzë e të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

Si fushatën më të bukur të jetës e cilësoi Idrizi këtë të këtyre zgjedhjeve ndërsa tha se fitorja e jashtëzakonshme do të shndrisë si diamant. Kreu i PDIU nënvizoi faktin se forca që ai drejton do dyfishojë mandatet të cilat nuk përcaktohen në sondazhe apo biseda kafenesh.

Deklarata e plotë e Idrizit

Unë jam kryetar i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe gjatë kësaj fushate kam shkuar kudo në Shqipëri. Më duhet të udhëheq një fushatë të vështirë, të pazakontë, por padyshim më e bukura e jetës sime, e kjo për mua është beteja e shtatë elektorale… e me ju kam dalë gjithmonë fitues. Është e bukur, sepse si kurrë më parë shoh frymë, entuziazëm të jashtëzakonshëm për fitoren tonë të sigurtë, e cila do të shndrisë si diamant. Si të gjitha fitoret e mëdha, fillesa nis nga bashi i qyteteve, nga kryeqendra, nga Tirana. Këtu nga Tirana do të shpërndahet në 25 qershor kudo në Shqipëri lajmi i mirë se PDIU në këtë qark do të fitojë disa deputetë. Prej këndej do të shenjohet fitorja e madhe e PDIU-së, e cila në korsinë e saj do të shembë të gjitha paragjykimet. Jam i bindur që në këto zgjedhje do të dyfishojmë mandatet tona, por kjo nuk është bindje që krijohet në sondazhe apo biseda kafenesh. Jo, është një bindje e plotë që të krijohet, tek takon njerëzit, tek isheh ata në sy, kur dallon tek ta dëshirën për të fituar, dëshirë që vjen nga mirëkuptimi, sepse të gjithë tashmë e dinë që ne kemi Veç një Atdhe! Tirana do të shpallë fitoren e Mesilës, Marinit, doktor Arjanit.

Ne jemi të gjithë njerëz të këtij qyteti, me histori të ndryshme në pjesmarrjen aktive në jetën e tij, por vetëm me një qëllim që për ne përfshihet në një fjalë “Veç një Atdhe”! Ne jemi partia e të gjithë shqiptarëve që mendojnë se shpresa jonë është në një atdhe të bekuar. Kemi 27 vjet që kemi parë shumë parti politike të krijuara këtu. Disa kanë ardhur në skenë si pasojë e zënkave të brendshme, disa të sherreve me udhëheqësit e partive të tyre, ose si parti që e nisën si anti-sistem dhe më pas mbetën të izoluara se u gëlltitën nga vetë sistemi që kundërshtonin. Por, PDIU është rast krejt i veçantë, sepse është duke u rritur përditë. Ne jemi partia që e duam këtë vend. Kjo është arsyeja pse PDIU është rritur përditë, se ne jemi parti që na thërret kauza, parti që rrimë në këmbë dhe nuk bëjmë pauza sa vijmë në pushtet.Ne jemi duke u rritur, sepse kauza jonë është e çdo shqiptari. Kauza e shqiptarëve të Çamërisë është betejë e përbashkët për ta parë Shqipërinë bashkë nga Preveza deri në Mollën e Kuqe. Megjithëse ne vazhdimisht na kanë sulmuar, për shkak të forcës tonë, ne kemi parë që PDIU është forcuar kudo dhe është zmadhuar ndjeshëm, këtu në Qarkun e Tiranës, i cili nuk është në një territor të vogël; fillon këtu ku jemi ne sot, por vazhdon në Vorë, Kavajë dhe deri në Rrogozhinë, Kamëz e Paskuqan nga Peza në Dajt. Unë jam shumë krenar për kauzat që kemi mbrojtur së bashku me pesë deputetët e PDIU-së. Të dashur miq, PDIU partia e interesit qytetar. Nuk votuam ligjin për importin e plehrave, sepse nuk e duam këtë tokë ta mallkonim për brezni të tëra. Ne e duam Shqipërinë ashtu si na e ka dhënë i madhi Zot. Ne ligjvënësit e PDIU u bëmë barrikadë për të mbrojtur familjen shqiptare nga degjenerimi, teksa donin të na imponin martesën anti-natyrë, anti-njeri. Kemi dhënë votën për reformat e mëdha si ajo teritoriale dhe reforma në drejtësi pa kushte. Ju ftoj të ngrihemi në këmbë sot, të gjithë qytetarëve që mendojnë si ne, sepse ne kemi “Veç një Atdhe”! Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi parti që mbrojmë kauza. Kjo është arsyeja, pse ne rrimë në politikë. Jemi të gjithë shqiptarë dhe duhet të jemi krenarë për vendin tonë.

Kemi 27 vjet që kemi luftuar për demokraci dhe pluralizëm, por kemi 27 vjet që bëjmë vetëm zig-zage në rrugën tonë drejt Europës. A e dini pse? Sepse ata që kanë patur në dorë pushtetin e donin integrimin dheEuropën, vetëm kur janë në qeveri, kur janë në opozitë dalin komitë, ndërsa ne e duam kombin, shtetin, integrimin në çdo kohë. Kjo është arsyeja që ne propozojmë ligjin për referendume, se nuk mund të vendosin vetëm dy-tre njerëz për fatin tonë, por të vendosim të gjithë për rrugën që dëshirojmë të ndjekim në ndihmë të së ardhmes së fëmijëve tanë. Ne jemi partia e atyre që besojnë në Zot, besojnë në pronë, besojnë në familje. Ne e shohim që shqiptarët po ikin përditë, 53 % duan ta braktisin këtë vend dhe ky vend po shpopullohet. Shqiptarët po ikin e kjo duhet të ndryshojë sado që të jetë çmimi duhet të ndryshojë. Nuk e meriton shqiptari, toskë a gegë që të mbetet ardhacak kurdoherë në tokë të huaj. Politika duhet ta nisë korrigjimin nga vetja. Ne kemi detyrimin të bëjmë reforma, por së pari politika të shohë deformimin e saj, e pastaj të ketë mundësi të bëjë reforma për shqiptarët. Ne nuk po shohim reforma, si nevojë shoqërore për ndryshim. PDIU ka qenë gjithmonë jashtë konfliktit, jashtë dasive, jashtë kujtdo që i sheh shqiptarët të ndarë. PDIU është një portë e hapur për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që mendojnë si ne, se kemi “Veç një Atdhe!” Kjo fushatë është kthyer në fushatë barcaletash, gjë që nuk ështëaspak serioze. Askush nuk flet për programe politike, por janë kthyer të tërë në gaztorë që janë vënë në një garë të ethshme kush gjen batutën më të bukur për të tallur e sharë njëri-tjetrin. Ne jemi të bindur se vetëm identiteti ynë spikatur si shqiptarë na bashkon. Vetëm paradigmat e atdhedashurisë sjellin reforma dhe pakte të mëdha kombëtare. Drejtimi ynë është integrimi europian, por ata flasin për të sa herë janë në pushtet kurse në opozitë ngrenë çadra, një herë njëra palë e një herë tjetra. Në radhë të parë identiteti jonë kombëtar është shumë i rëndësishëm. Kjo sjell qytetarë me shumë dinjitet, sepse një qytetar pa dinjitet nuk mund të kërkojë llogari dhe një qytetar që nuk mund të kërkojë llogari është i detyruar të shohë filma të ndryshëm nga “Liza në botën e çudirave” deri tek “Romeo dhe Zhuljeta”. Por, shqiptarët kanë halle të mëdha dhe ne duhet t’u përgjigjemi halleve dhe problemeve të tyre, ndaj duhen bërë projekte zhvillimi.

Para disa vitesh ne thamë se Çështjen Çame do ta kombëtarizonim. Regjimi komunist tentoi t’i vriste moralisht shqiptarët e Çamërisë, por sot falë djemve tanë në Kuvendin e Shqipërisë nxorëm rezolutën për Çështjen Çame që detyron politikën ta zgjidhë këtë çështje. Kemi bërë me dhjetëra aktivitete për ta kombëtarizuar Çështjen Çame. U jam mirënjohës të gjithë atyre që i janë bashkuar Çamërisë. Partitë e tjera i ndajnë në të majtë e të djathët dhe krahina, por ja ku po u them që boll na ndan varfëria, s’ka nevojë për ndarje të tjera. Vetëm ne i duam të gjithë shqiptarët bashkë, ne kemi një vend që Zoti i ka dhënë gjithçka përveç mendjes së politikanëve. Ne sot flasim për Çështjen Çame, por s’mjafton; ne e kemi bërë pjesë të Brukselit dhe kemi trimëruar politikën shqiptare që të flasë, ta pranojë, ta përfshijë në programe qeveritare dhe partiake. Çështjen Çame politika shqiptare e mbante si çamçakëz në gojë nga frika greke, ndaj u deshën energjitë tona që historia të ndërronte kah.

Deri para 13 viteve ne ja lamë fatin e çamëve partive të tjera, megjithëse Shoqata “Çamëria” është organizata e dytë e krijuar në pluralizmin e brishtë shqiptar. E para ka qenë vetëm Partia Demokratike. Por, ne e pamë sa vështirë e pati politika shqiptare, qoftë dhe për ta përmendur Çështjen Çame. Ua lamë partive të tjera deri në vitin 2004, kur Shoqata “Çamëria” kërkoi një rezolutë në Parlament dhe përfunduan duke u rrahur sikur të ishin në Parlamentin e Serbisë a Greqisë. Kauza jonë e drejtë është kauzë e të gjithë shqiptarëve. Kjo tashmë është kuptuar qartë, prandaj uragani ynë i fitores nis nga kryeqendra e shqiptarisë, Tirana. Këtu mandatet tona do të jenë shumë, sepse ne kemi “Veç një Atdhe!” Pllaka e Çamërisë në sheshin “Skënderbej” të shtunën i bëri të largohej grupi i Dropullit. As tani nuk e kuptoj përse, por i them grekofonëve se ne atë pllakë do ta marrim nga sheshi e do ta çojmë aty ku e ka vendin, në Çamëri. Ne s’kemi qenë kundër kërkujt, madje me minoritarët kemi qenë dhe do të jemi në paqe përherë. Pa votat e rëndësishme të PDIU-së nuk mund të bëhej reforma administrative.

Ne jo vetëm dhamë votat që Himara të jetë si është sot, por ngulmuam që pakica greke të ketë bashkitë e veta, dy syresh Finiqin dhe Dropullin. Tani, a ka njeri të më shpjegojë pse ikën dropullitët? Për një pllakë apo se menduan që do u çohej Osman Taka e t’u kërcente mbi shpinë? Jo, dropullitë, gurët janë të rëndë dhe peshojnë në vendin e tyre, kurse zakonet janë në ndërgjegjet tona. Ndaj mendoj se askush nuk duhet të vjedhë apo përdhosë traditat tuaja, ashtu si dhe nuk duhen nëpërkëmbur tonat. Kështu që edhe për pakicat e ndryshme që jetojnë në tokën tonë i ftojmë të votojnë për ne, sepse ne kemi “Veç një Atdhe”! “Veç një Atdhe” edhe për minoritarët!

Të dashur miq, biznesi është motori i zhvillimit, jemi i vetmi vend në botë që të gjithë duam të hymë të punojmë në shtet. Duhet të ndahemi nga kultura që shteti është mbi gjithçka. Mbi gjithçka është qytetari. PDIU pas 25 qershorit do të jetë pjesë e qeverisjes, por me kusht që Çështjen Kombëtare dhe atë të Çamërisë ta bëjë pjesë të programit qeveritar, në të cilin do të plazmojë idetë e saj.

Fjala vjen, nuk ka familje shqiptare që nuk ka një të afërm në emigracion, por çfarë bëjmë ne për ta? Ata na mbajnë me paratë e tyre, por ne i trajtojmë si mos më keq. Ka problem me përfaqësitë diplomatike tonat kudo. Është problem i madh që djemtë dhe vajzat e emigrantëve të mos dinë shqip. Ja përse kemi propozuar një Ministri të Emigracionit.Jemi 10 milionë shqiptarë në të gjithë botën. Ja pse kemi propozuar që çdo shqiptar me kombësi shqiptare të marrë shtetësinë shqiptare. Ta bashkojmë Shqipërinë me Kosovën, nga ekonomia dhe kultura, arsimi e t’i bëjmë kufijtë midis nesh konvencionalë. Ne shqiptarët nuk mund të rrimë mirë, kur fqinji ynë vuan për bukën e gojës duhet të jemi solidar për çdo shqiptar që vuan. Ja pse kërkojmë një Pakt Kombëtar të Solidaritetit. Për këto dhe shumë të tjera votoni numrin 13! Votoni PDIU! Veç një Atdhe!

(m.a/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: