TIRANE- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka shpjeguar sot arsyet se pse i ka kërkuar në mënyrë zyrtare Presidentit Bujar Nishani që të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë për çështjen e Klement Balilit.

Sakaq ai nuk ka ngurruar t’u japë përgjigje zërave dhe akzuave se edhe ai ka qenë i pranishëm në inaugurimin e hotelit të Klement Balilit “Santa Quaranta”.

“Unë nuk kam asnjë kompleks ndaj askujt, se kam dëgjuar shumë histori dhe përralla. Kam dëgjuar që ka qenë Meta në inaugurimin e hotelit të Sarandë. Po ju them që Ilir Meta do të shkojë në çdo hotel që do të ftohet nga çdo qytetar, në çdo kioskë që do të bëhet, nëse do ketë mundësi. Dhe nuk do të shkoj nëse nga Policia apo SHISH do t’i thobë që z.Meta mos shko aty se ky merret me këtë lloj trafiku. Për histori të tilla nuk kam asnjë lloj lmeraku apo kompleksi. Kam dëgjuar edhe nga doktori që flet për këtë. Po mos harrojmë që personi në fjalë ka qenë edhe aktivist i PD. Dua t’i them që unë nuk jam për dënime kolektive. Nëse personi në fjalë ka probleme me ligjin, të përgjigjet para drejtësisë. Unë nuk kam asnjë kompleks pse një i afërm i tij është kryetar i një bashkie, në Delvinë. Çdo njeri duhet të paguajë vetë për shkeljen e ligjit, dhe për problemet që ka me ligjin dhe drejtësinë. Koha e dënimeve kolektive ka ikur”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit është ndalur dhe tek arsyet konkrete të kërkesës së tij drejtuar Presidentit Nishani, pasi arrestimi i Balilit sipas tij, ishte edhe një kërkesë e ndërkombëtarëve.

“E kërkova mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pasi ky ka qenë një shqetësim i ngritur nga SHBA, edhe nga ambasadori Lu. Në takimin që unë pata me ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit që mbulon luftën kundër krimit të organizuar, si dhe programet e drejtësisë si ky që ne kemi me OPDAT, i vetmi shqetësim konkret që më ka ngritur për të ardhmen, ka qenë mos arrestimi i Klement Balilit. Me emër. Një shqetësimin i agjencive ligjzbatuese amerikane. Më ka kërkuar dy herë që të tërheq vëmendjen e institucioneve për t’i dhënë një zgjidhje kësaj. Kur kjo çështje ngrihet në një nivel kaq të lartë, do të thotë që shqetësimi është i madh. Dhe kur vihet një lloj pikëpyetje e aftësisë së Shqipërisë për të arrestuar një të kërkuar nga drejtësia”, sqaroi Meta.

“Unë kam komunikuar edhe me kryeministrin, edhe me ministrin e Brendshëm edhe për Manjanin, edhe me Ambasadën e SHBA, mendova se institucioni më i rëndësishëm për ta zgjidhur këtë çështje është Këshilli i Sigurisë Kombëtare se po të ishte bashkëpunuar më mirë Kelement Balili do ishte kapur”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb