PRISHTINE- Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur mes Serbisë dhe Kosovës. Ai shprehu në Bruksel se “Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë përpara dhe të mos e rrezikojnë atë që është arritur”.

Deklarata e Hahn vjen pas tensioneve të krijuara rreth një treni me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë, i cili u nis të shtunën nga Beogradi drejt Mitrovicës dhe u kthye në kufi me Kosovën. “Ata nuk duhet të rrezikojnë atë që është arritur në dialog. Duhet të shikojnë përpara dhe jo të kthehen prapa”, tha Hahn. Ndalimi i trenit për të hyrë në Kosovë nxiti një ‘luftë fjalësh’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që presidenti serb Tomisllav Nikoliç, deklaroi se “është i gatshëm të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme”.

Treni, që për autoritetet serbe do të qarkullonte në linjën Beograd Mitrovicë deri në gjysmën e muajit shkurt, u cilësua nga autoritetet në Prishtinë si “provokim” dhe iu kërkua BE-së ndërhyrja për ta ndaluar atë. Qeveria e Kosovës vendosi në kufi me Serbinë forcat policore për të ndaluar hyrjen e trenit. Kryeminstri i Kosovës Isa Mustafa tha se treni u ndalua “për të mbrojtur sovranitetin e vendit”. Ndërkohë, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, pas një takimi me shërbimet serbe të sigurimit, ditën e shtunë, tha se “kishte marrë vendimin ta kthente trenin prapa në Beograd” duke akuzuar autoritetet në Prishtinë se “po luan lojëra lufte”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: