TIRANE- Shqipëria është e vendosur në vijimin e reformave që janë në funksion të procesit të integrimit europian të vendit. Këtë e ka ritheksuar sot ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë një një takimi me ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Gjermanisë, Micheal Roth.

Teksa falenderoi ministrin Roth për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit, Gjosha theksoi se puna për përmbushjen e 5 prioriteteve ka vijuar dhe do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe cilësor.

Ministri gjerman ndërkaq, theksoi se zbatimi i reformës në drejtësi është vendimtar për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë me procesin e integrimit dhe shprehu mbështetjen gjermane në këtë drejtim.

“Pavarësisht vetëdijes se Shqipërinë e presin një sërë sfidash përpara, qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë shtysat e duhura në mënyrë që të ruajnë besimin te ky proces tejet i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, u shpreh ministrja Gjosha.

Bashkëbiseduesit u ndalën tek roli i rinisë dhe shoqërisë civile, si dy prej aktorëve më të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit të integrimit dhe gjetjen e mekanizmave për ti përfshirë ata sa më shumë në këtë proces.

Duke u ndalur tek rëndësia që ka për vendin hapja e negociatave, ministrja Gjosha shprehu besimin se tashmë janë të gjitha kushtet që të nisë sa më shpejt zbatimi i ligjit të vettingut, i cili do t’i hapte rrugën negociatave me BE.

“Ky hap me procesin do të ishte shumë pozitiv për vendin tonë, por nga ana tjetër do të na vendoste në një raport të ri me Bashkimin Europian, i cili do ta kishte më të lehtë monitorimin e reformave që ne po ndërmarrim”, tha Ministrja Gjosha.

Ndërkaq, ministri gjerman duke u shpreh se “procesi i integrimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, shihet si perspektiva e vetme për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve”.

Micheal Roth rikonfirmoi mbështetjen që Gjermania i kushton procesit të integrimit vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe vlerësoi progresin e bërë me reformat e ndërmarra në konsolidimin e shtetit ligjor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb