Sokol Kushta i bën një “skaner” Flamurtarit, por edhe kampionatit në tërësi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat analizon gjithçka, duke nisur nga klubet dhe për të kaluar te FSHFja e arbitrat. Sipas tij, Tiranën e rrëzoi sistemi, ndërsa Kukësi e meritoi titullin kampion.

U mbyll një tjetër sezon me Flamurtarin që rrezikoi mbijetesën deri në fund. Pse kjo situatë?
Ju më pyesni se përse vazhdon kaq vite kjo gjendje te Flamurtari?! Unë ende nuk e di se kush komandon te Flamurtari! Çfarë posti ka ky që administron klubin, apo drejtori? Ka vite që klubi është një institucion “hermetik”. Një ndërmarrje ku të gjithë punojnë me frikë dhe pa dëshirë, vetëm se janë hallexhinj e për një rrogë dhe atë kur e marrin…

Idrizi kërkon privatizimin e shpejtë të klubit, por bashkia po e zgjat procesin. A ka ndikuar ky ngërç në fushë?
Privatizimi duhet të bëhet dhe unë jam i mendimit që kryebashkiaku duhet të dalë dhe të bëjë një njoftim zyrtar. Duhet tender dhe në të të marrin pjesë kompanitë e interesuara, që mund të jenë shumëkombëshe. Për mua nuk duhet të jetë vetëm një person. Unë nuk e di kush merr pjesë në blerje, sa dhe si janë aksionet. Megjithatë, privatizimi nuk është një “copë keku”, që të mbushin duart njerëzit. Pa u miratuar ligji mbi sportin në parlament, si do të bëhet kjo? Bashkia nuk duhet të nxitohet duke ia dhënë një njeriu të vetëm klubin, por le të hapë tender në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Është e drejta e kryetarit të vendosë.

Çfarë u sugjeroni drejtuesve për një sezon të ri, për një ekip dinjitoz?
Unë nuk mund t’u sugjeroj dot asnjë gjë. Ata nuk kanë dashur asnjëherë asnjë mendim nga unë, sepse duan njerëz lëpirës dhe servilë. Unë s’e bëj dot. Prandaj ata janë në rrugën e gabuar.

Trajneri Duro tha se 50% e ekipit është skarco. Jeni dakord me këtë?
Unë trajnerin e vlerësoj shumë. Ai thotë 50% janë skarco. OK. Por nuk pyeti kush i mori këta dhe pse duhet të ishin 10-12 të huaj kot? Çfarë po bëjnë me produktin vlonjat.
Ata ua kanë mbyllur rrugët të rinjve prej blerjeve të shumta. Për mua, ekipi ka nevojë për 4 afrime serioze dhe tre elementë nga kampionati ynë, plus vlonjatët, nëse do të ketë ngelur ndonjë. Tani do ta shikojmë se si Duro do t’i rikuperojë ata “që nuk bëjnë”.

Si i gjykoni verdiktet e sezonit dhe akuzat e shumta për aleanca apo për gjyqtarët?
Kampionati ishte në aparencë i fortë. Pati momente të vështira dhe u bë i egër. Lobingjet ekzistojnë edhe në botë midis ekipeve, por në Shqipëri nuk ka norma. Këtu bëjnë lobing edhe me djallin për të arritur diçka. Kur diskutohej Laçi me Teutën dhe Flamurtarin, papritur me një kthesë del Tirana. Dhe ata kanë fajet e veta, sepse janë pjesë e këtyre lobingjeve.

Sa kanë ndikuar arbitrat?
Arbitrat kanë një pjesë të veçantë në këto rezultate. Janë pjesa më e keqe e këtij kampionati, duke qenë se në ndeshje të caktuara kanë gabuar me dashje dhe ky është skandal. Janë përdorur në mënyrë skandaloze nga FSHF-ja. Dikur kam komentuar për presidentët që votojnë qorrazi. Asnjë nuk diskuton për ligën, për shoqatën e arbitrave që të jetë mënjanë. Por, kur votojnë për 5 sekonda dhe qajnë për 4 vjet. Shkojnë tek Armandua (i referohet Dukës) për një top, për një arbitër, për një letër, për një biletë. Domethënë, presidenti është zoti i këtyre që vënë lekët, ndaj mirë t’u bëhet.

Partizani ka qenë shumë i ashpër me FSHF-në dhe e ka akuzuar se ka vendosur titullin. Jeni i këtij mendimi?
Partizani ka gjynahet e veta, sepse kampionati fitohet duke mundur të gjitha ekipet, të mëdha apo të vogla qofshin. Plus ka dhe një të keqe që është kundër presidentit, sa edhe Shulku ish-lojtar i tyre nuk i ndihmon dot. Është në hall, nuk ka faj.

A e meritoi Kukësi titullin kampion?
Po, e meritoi.

Çfarë shije ju la finalja e Kupës së Shqipërisë, pasi pati shumë aludime për tolerime nga Skënderbeu?
Ishte një finale përmbyllëse, për të ulur pak zhurmën e krijuar. Tri ditë zgjasin çudirat, dihet kjo. Prandaj ekipet duhet të mblidhen bashkë të vendosin për organet jetësore që kanë në dorë ekipet e futbollit, të jenë pa dallime për të tërë.Tirana kupa

A mendoni se një ditë do të binte edhe Tirana nga kategoria?
Tirana doli nga kategoria. Është skandal, por e vërtetë. Nuk e meritonte që të binte, por ishte pjesë e këtij sistemi. I njëjti sistem tërhoqi Tomorin nënkampion dikur, apo Partizanin, Dinamon, Flamurtarin, Peqinin, Elbasanin, Besën, Bylisin, Lushnjën, Fierin etj. Po të shikosh Kategorinë e Parë, do të ketë më shumë ekipe që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb