Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, ishte e ftuar speciale e ceremonisë festive tashmë të përvitshme me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Provincë.

Ceremonia e zhvilluar një nga sallat e Parlamentit të Ontarios/ Kanada, përcolli emocione të bukura për të gjithë shqiptarët që shijuan e duartrokitën perfomancën e sopranos.

Mbremja festive u moderua nga aktorja dhe këngëtarja kanadeze, Ana Golja që ka mbështetur komunitetin e shqiptarëve edhe më herët. Po kështu, të pranishëm në aktivitet ishin edhe dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo.

Veprimtaria u organizua nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze(Toronto) dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, Ruki Kondaj. Me këtë rast shoqata nderoi me titullin anëtar nderi disa persona, mes tyre edhe sopranon Inva Mula shkruan ‘ata’

Vitin e kaluar, parlamenti i Ontarios e ktheu në ligj propozimin e nje grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month”(muaji i trashëgimisë kulturore).

Nisma erdhi nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze e Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, sot presidente nderi e shoqatës dhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: