TIRANE- Presidenti i ri, Ilir Meta përveç akuzave që i lëshoi mbrëmjen e sotme, nuk ka kursyer as ironitë në drejtim të kryeministrit Edi Rama si dhe liderit të PD-së, Lulzim Basha.

Në emisionin të ‘Pa Ekspozuarit’ në ‘News24’ Meta theksoi se Rama dhe Basha erdhën me lugë në brez, ku kryeministri erdhi nga emigrimi dhe u bë ministër, ndërsa lideri i demokratëve u bë zëdhënës i Berishës.

“Të dy me lugë në brez, njëri erdhi ministër nga emigracioni, tjetrin e mori një muaj zëdhënës Doktori, e bëri ministër gjithë kohën. I dha edhe partinë. Këta mendojnë se njerëzit duhet të votojnë për ta edhe kur nuk i takojnë, kur nuk i dëgjojnë, edhe kur i gënjejnë, edhe kur i mashtrojnë, sepse mendojnë që janë parti të mëdha. Mendojnë se partitë e mëdha lindin të tilla dhe ashtu do të jenë përgjithmonë. Ata harrojnë se kanë marrë dy dhurata, të cilat nuk mbahen dot me pahir dhe nuk mundet t’u imponosh shqiptarëve me dhunë, me presion, me “do të heqim, do të bëjmë…”. Më 25 qershor do t’i shkarkojmë këta të dy. Nuk ka nevojë Shqipëria për rilindje, që pjellin vetëm zhgënjim, vetëm mashtrim, që e çojnë atë 27 vjet mbrapa. Në qoftë se do të ketë dy parti në Shqipëri, njëra nga këto do të jetë edhe LSI-ja, si partia më e madhe. Kjo është e padiskutueshme!”, pohoi Meta.

Pjesë nga intervista
I hodhi OSHEE-në, burgjet. Burgjet jua mori juve. ALUIZNI-n ia mori vetes dhe ia hodhi atij. Çfarë mori tjetër nga këto ndërmarrjet? Mori një tortë të madhe, edhe drejtorët e tjerë. Kalojmë te momenti i fushatës. U përpoqëm të ndriçonim ndonjë gjë, por ju kaq deshët të thoshit.

Çfarë të ndriçojmë më shumë? Janë edhe dy javë. Do të ketë zhvillime deri më 25-26 qershor. Ndriçimi do të vazhdojë.

Ditë pas dite ata hedhin dritë tek ajo që kanë bërë dhe që kanë biseduar, madje z. Rama bën humor, është prepotent, është bërë arrogant, i shan të gjithë, na shan ne gazetarët. E ke vënë re që na shan të gjithë ne gazetarët? Për shembull, Erdogani mori gjithë atë pushtet, por nuk i shan gazetarët e mëdhenj. Ai të fut në burg apo diçka tjetër, por nuk të shan në atë mënyrë. Ai del dhe i bën të gjitha kundër nesh. Ka fituar vëlla më të madh se ty në krah, apo nuk është i madh?

Nuk është çështje vëllazërie, është një interes i përbashkët, është një hall i madh. Le ta kalojnë bashkë sa të munden.

Ne kemi problem tjetër, kemi problemin e shqiptarëve, kemi problemin e zgjedhjeve, kemi problemin e demokracisë, halleve pafund që kanë njerëzit, se për sa u takon dritave që thua ti, nuk është zgjidhje.

Edhe atë e mban poshtë, i thotë Zhulietë.

Ashtu e ka caktuar rolin.

Edhe pse ka pasur thashetheme për z. Rama në këtë pikëpamje, ju e dini, ka marrë rolin e Romeos. Këtë e ka shpallur si Zhulietë. 

Është i kënaqur ai. Mjafton të zhdukë partitë e vogla.

Pra, marrëveshja u bë. Kishte filluar një fushatë edhe para marrëveshjes. PS kishte dalë në fushatë për të hyrë vetëm në zgjedhje, ju e kishit filluar fushatën. Tani, z. Rama e mori përkrahu z. Basha dhe e nisi drejt fushatës. Edhe ai e filloi fushatën. Marrëveshja po jep frytet e veta. Ata nuk thanë: “Të përpiqemi të asgjësojmë Ilir Metën”, sepse mund të “vrasë” edhe Meta ata, e themi në mënyrë figurative, por kanë hyrë menjëherë në veprim, pa thënë se çfarë. Si e konsideroni? 

Duhet të kemi parasysh se situata e tyre në terren është mjaft e rëndë. Situata e PD-së nuk diskutohet, sepse është një parti pa strukturë. Ai ka qenë në Dibër dhe ka gjetur si target PDIU-në, sepse e ka vërtet luftën me PDIU-në për vend të tretë. Më duket se ia ka dhënë përgjigjen edhe kandidatja e PDIU-së. Unë nuk e dija, dje e dëgjova. Nuk e di, shikoje dhe dëgjoje ti, ka dhënë një përgjigje, që mendoj se është shumë të saktë, por atij fajin nuk ia ka as PDIU-ja, as LSI-ja as në Dibër dhe askund, sepse ai e ka shpartalluar PD-në atje në një mënyrë të tmerrshme, me 28 kandidatë për kryetar partie.

Kjo situatë është në të gjithë Shqipërinë, por unë nuk dua te merrem me çështjet e PD-së, sepse nuk është e hijshme. Të vetmit demokrat, që unë i kam dhënë një triskë në jetën time është Lulzim Basha, i kam dhënë triskën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse ai pa 25 mijë votat e LSI-së nuk do ta merrte, por edhe me ato mezi e mori, për 10 vota.

Ju edhe Lali Erin e keni bërë. Domethënë ju i bëni me 4-vjeçar?

Të vetmen triskë që i kam dhënë një demokrati është Luli. Në qoftë se demokratët ia kanë parë hairin Lulit, sepse Tirana nuk besoj se ia ka parë hairin si kryetar bashkie, kjo është një çështje tjetër. Unë do të isha shumë i lumtur që ai t’i ketë bërë disa demokratë të kënaqur me triskën që mori prej meje.

Por, siç e thatë edhe ju, kjo është një fushatë e sinkronizuar e dy njerëzve në dëshpërim të plotë, të cilët ndiejnë sot, pas 4 vjetësh, që nuk kanë bërë asgjë për njerëzit e thjeshtë të partive të tyre, që nuk kanë arritur t’i mbajnë ata të bashkuar dhe të motivuar. Tani z. Rama e ka shumë të thjeshtë, do t’ia vërë fajin LSI-së, sepse mendon se në këtë mënyrë ai thotë se është hequr një grua socialiste këtu apo aty, ndërkohë që këto gjëra ka pasur mundësi të m’i thotë mua apo kujtdo nga LSI-ja me kohë, por një gjë e tillë nuk kanë ndodhur.

Kjo ndodh për një arsye: që t’u thotë socialistëve që janë larguar (për shkak se kanë parë që ai i ka zëvendësuar kudo me rilindës pa kontribute, si në qendër, ashtu edhe në rrethe): “Shikoni, do t’ju rregullojmë juve, por ejani na ndihmoni që të heqim LSI-në dhe ta marrim të gjithë tepsinë për vete”.

Kjo është tërësisht e pamoralshme, pasi LSI-ja nuk i ka vënë asnjëherë asnjë kusht, që mund ta pengonte z. Rama të mbante drejtimet e tij, por ai është shumë i hidhëruar për disa çështje. Ai është hidhëruar për arsye se LSI-ja prej 2 vjetësh ka çuar një projektligj për koncesionet në parlament, që çdo koncesion të kalojë në parlament me transparencë të plotë dhe kjo nuk është në kundërshtim me premtimet dhe angazhimet e PS-së, përkundrazi.

Ajo, para se të vinte në pushtet në vitin 2013, e mbani mend se çfarë thoshte për koncesionet e Berishës, dhe për një pjesë prej tyre kishte shumë të drejtë. Ne kemi kërkuar që kjo gjë të bëhet transparente, siç e ka kërkuar vetë Partia Socialiste para vitit 2013, por kjo ishte një kërkesë para se ai të bëhej Kryeministër, sepse tani që u bë Kryeministër nuk do që këto të bëhen me transparencë.

Së dyti, për ligjin e mbetjeve, ju e dini se një nga kërkesat dhe iniciativat e para që mori vetë z. Rama ishte miratimi i ligjit për ndalimin e importit të mbetjeve dhe tani u krijua një problem i madh për arsye se…

Zoti Meta, unë kam përgatitur një pjesë pyetjesh për qeverisjen. Ndërkohë duket se ju jeni një hap mbrapa, ju reagoni… Domethënë, ata bënë marrëveshjen, ju nuk e pranuat atë, thatë që… 

Cilën marrëveshje të pranojmë ne?

Marrëveshjen 5-orëshe, ku ata u ulën bashkë dhe nuk thanë asgjë. 

Ne e thamë shumë mirë që opozita hyn në zgjedhje.

Ju reaguat në një mënyrë tjetër, në mënyrë të ftohtë, domethënë u hoqët sikur nuk ju bënte përshtypje, ndërkohë sulmi i tyre sa vjen dhe rritet. 

Po pse rritet? Kam një pyetje për ju: në qoftë se LSI-ja qenka një parti e vogël, në qoftë se edhe kjo PDIU-ja është parti e vogël, pse ata janë kaq të shqetësuar dhe merren me to? A mund të më jepni një përgjigje?

Sepse është një shqetësim. Shqetësimi për ju, pra frika. 

Pra është frika, sepse realiteti është krejt tjetër.

Është pyetje tjetër kjo?

Po dhe kjo është e vërtetaAto janë zvogëluar nga arroganca e dy kryetarëve të tyre, nga drejtimi arbitrar që kanë bërë partitë e tyre, nga shkatërrimi i strukturave të partive të tyre në terren, partia më e organizuar në terren, me strukturat më demokratike dhe më aktive, është LSI-ja.

Tani ata mendojnë se duke manipuluar televizionet, siç e keni parë nga mëngjesi deri në darkë, po të hapësh televizorin, vetëm ata të dy shikon. Sa mirë e tha ai kolegu juaj, edhe po të hapësh frigoriferin, përsëri ata të dy do të shikosh.

Po ju bëj një pyetje shumë thelbësore. Sulmi i Ramës dhe Bashës sa vjen dhe ashpërsohet dhe kërkon… 

Po pse?

T’ju shpall juve…Pse-në do të ma thoni ju.

Jo, kërkon pse, prandaj i ka punët mirë kur janë parti të mëdha, kur sondazhet që porositin vetë…

Është edhe qesharake…

Pse?

Sepse këto parti ose janë klienteliste të dyja ose ato po përpiqen t’ju ndajnë ju si parti klienteliste.

Më thuaj një koncesion që ka dhënë LSI-ja në kohën e PD-ës! Më thuaj një koncesion që është dhënë në kohën e PS-së! Shikoji emrat e personave! Është i njëjti kartel…

Kjo është një përpjekje për të marrë votat. Kjo po bëhet fushatë.

Jo, jo, është i njëjti kartel koncensionar, si atëherë, edhe tani.

E keqja nuk është LSI-ja, por është oligarkia dhe ajo i ka detyruar të bëjnë një marrëveshje okulte. Kjo nuk është marrëveshje kundër LSI-së. Kjo është marrëveshje kundër demokracisë dhe kundër shqiptarëve. Është kundër LSI-së, sepse LSI-në e shohin si pengesën kryesore.

Ju duhet të na thoni tani, nga përpjekja për të rrëzuar Edi Ramën, për të shkuar në zgjedhje pa Edi Ramën…

Edhe për ta arrestuar nga çadra.

… nga lufta e madhe kundër korrupsionit, ai merr një “big mac”, siç i thotë ai me tallje, merr OSHEE-në, merr burgjet, ALUIZNI-n, i merr këto dhe ty të shpallin si parti klienteliste. Më thuaj, pse ti nuk i përgjigjesh?          

Unë përgjigjen e kam thënë. Përgjigjen e kam: 600 mijë vota të reja në Shqipëri janë për LSI-në. Këta 600 mijë të rinj e të reja në këto dy javë do të punojnë me prindërit e tyre, me gjyshërit e tyre, me hallat e tyre, me tezet e tyre, që të bëhen 1 milionë vota, sepse 56% e shqiptarëve kërkojnë të largohen. Pse duan të largohen? Nga kjo arrogancë, nga ky konflikt, nga kjo energji negative, nga ky teatralitet i shëmtuar.

Zoti Meta, ju mund t’i shtoni këto 400 mijë vota…?

Do të punojmë të gjithë bashkë.

Duhet t’iu thoni shqiptarëve (ja, ku jemi në këtë tryezë) që nuk jeni ju klientelistët, por janë ata.

Absolutisht! Asnjëherë!

Pse?

Vetëm kaq: unë asnjëherë nuk kam gënjyer njeri, aq më tepër ata të dy.

Ata kanë një problem, sepse ata kanë ardhur në pushtet me lugë në brez të dy. Nuk e kanë filluar si puna ime, që 20 vjeç në Partinë Socialiste, në kohën më të vështirë të saj. E ke parasysh vitin ‘91-’92, kur Edi Rama gjuante me gurë dhe bënte si demokrat dhe si antikomunist i madh?

Me thënë të drejtën, ky Lulzim Basha merr dhurata të panumërta.

Edhe ai i ka marrë.  Të dy me lugë në brez, njëri erdhi ministër nga emigracioni, tjetrin e mori një muaj zëdhënës Doktori, e bëri ministër gjithë kohën. I dha edhe partinë. Këta mendojnë se njerëzit duhet të votojnë për ta edhe kur nuk i takojnë, kur nuk i dëgjojnë, edhe kur i gënjejnë, edhe kur i mashtrojnë, sepse mendojnë që janë parti të mëdha. Mendojnë se partitë e mëdha lindin të tilla dhe ashtu do të jenë përgjithmonë. Ata harrojnë se kanë marrë dy dhurata, të cilat nuk mbahen dot me pahir dhe nuk mundet t’u imponosh shqiptarëve me dhunë, me presion, me “do të heqim, do të bëjmë…”.

Më 25 qershor do t’i shkarkojmë këta të dy. Nuk ka nevojë Shqipëria për rilindje, që pjellin vetëm zhgënjim, vetëm mashtrim, që e çojnë atë 27 vjet mbrapa.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb