PRISHTINE – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, iu drejtohet qytetarëve të Kosovës në faqen e tij Facebook, duke i siguruar se qeveria e re do të punojë me dinjitet për të nxjerrë vendin nga gjendja e rendë ekonomike. Ai u është përgjigjur edhe akuzave të bëra së fundmi ndaj figurës së tij, duke u shprehur se të kaluarën ua lemë të merren ata të të shkuarës.

“Në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës do të përkushtohem me tërë dijen dhe mundësitë e mia dhe të kabinetit qeveritar për ta nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë ekonomike dhe izolimi dhe për ta forcuar shtetin ligjor. Kemi shumë për të bërë në hapjen e vendeve të punës, në rritjen prodhimtarisë vendore, në ngritjen e cilësisë së arsimit, në riorganizimin e shëndetësisë, në përkujdesjen sociale për qytetarë që këtë e meritojnë”, -shprehet Mustafa.

Po ashtu, Kryeministri Mustafa flet për të kaluarën, duke pohuar se “të kaluarën ua lë të merren ata që e kanë bërë profesion të kukasin, të tmerrohen e të lemerisen. Unë nuk do të humbas kohë me ta. Millosheviqin, Rrahman Morinen, Rankoviqin, UDB-ne, socializmin e komunizmin, përgjimet, shantazhet, mikrofonat, kamerat, montimet, ua le atyre që jetojnë ende me ta dhe kanë dëshirë t’i përkujtojnë, sepse i kanë në ADN-në e tyre . E disa, sa u perket veprimeve, por edhe krimeve të përfolura, nuk janë larg tyre.

“Vetit nuk ia fshi as edhe një shkronjë nga biografia ime. I qëndroj mbrapa çdo veprimi dhe çdo pune që kam bërë në të gjitha periudhat dhe mburrem me punën time. Jam ballafaquar hapur me çdo qytetar dhe jam sjellë në çdo rreth si çdo qytetarët tjetër. Çdo gjë që e posedoj, e kam si trashëgimi të familjes sime ose e kam krijuar me punën time dhe të anëtarëve të familjes sime. Kjo më bën të pavarur që t’i përkushtohem përgjegjësisë të cilën e kam marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të punoj për qytetarin e këtij vendi”, – shkruan kryeministri i Kosovës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: