Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e konsideron të frikshme fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-bashkëpunëtori i Ramës, thotë se me fitoren e thellë të PS-së dhe me një kryeministër i gjithëpushtetshëm ekziston rreziku i vendosjes së një pushteti personal të tij.

Si e konsideroni fitoren e Partisë Socialiste? U bë një fushatë me dështime dhe sulme për kanabisin dhe krimin por populli i besoi Ramës 74 mandate, e bëri timonierin e vetëm siç e kërkoi?
Do ta quaja fitore të frikshme. E konsideroj të tille për shkak se ajo nuk erdhi si rrjedhojë e një ballafaqimi midis premtimeve dhe realizimeve, që normalist në një vend demokratik do të mund të justifikohej në rast se do të kishte një kënaqësi të përgjithshme. Kjo fitore erdhi si rezultat i një mobilizimi maksimalist të të gjitha burimeve njerëzore, financiare, legjitime dhe jo të tilla, nga ana e PS-së, erdhi si rrjedhojë e një agresioni të pashembullt mediatik i lidershipit të PS-së, erdhi si rrjedhorja e një shit-blerjeje masive të votës, e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar. Këtë fitore e ndihmoi edhe bujaria e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës që shkoi dhe nënshkroi një marrëveshje kapitulluese me kryetarin e PS-së, gjë që ç’mobilizoi një pjesë të madhe të elektoratit të djathtë, që nuk shkoi për të votuar dhe ndikoi në fitoren e socialistëve për shkak të uljes drastike të votuesve të djathtë.
Kjo fitore i jep mundësi Edi Ramës të përqendrojë të gjithë pushtetin në duar të tij, ashtu siç e ka dëshiruar dhe ëndërruar prej vitesh për të vënë në jetë një platformë personale, që më e pakta do të thosha, një regjim të fortë në një demokraci të dobët.

Si e parashikoni qeverisjen e ardhshme të Ramës në kushtet kur kabineti qeveritar do të jetë vetëm socialist?
Rama ka ide dhe projekte në stilin e tij, në shijen e tij. Dihet tashmë që stili i qeverisjes së Ramës dhe shijet e tij për pushtetin, për qeverisjen dhe për reformat, janë tipike të veçanta që rrjedhin nga konstruksioni i tij psiko analitik, nga formimi i tij profesional, kulturor, qasje e veçantë për nga natyra por jo e veçantë nga rrjedhojat që mund të sjellë. Ka një natyrë të dukshëm të shfaqur, e njohin gati të gjithë, nuk i pëlqejnë alternativat dhe mendimet që shkojnë kundër shijeve të tij për rrjedhojë do të mbajë afër vetes në qeveri, në qeverisje dhe rreth e rrotull ata njerëz që do të kenë shijet e tij, që do të jenë të bindurit e tij të verbër, që nuk do të bëjnë vërejtje.

Këto shijet e kryeministrit siç thatë ju, me pushtet të përqendruar do të sjellin gjëra pozitive për qytetarët?
Qeveritë ose qeverisje me pushtet të përqendruar, e thënë ndryshe autoritariste, kanë mjaft elementë të dobishëm të tipit centralizues në vendimmarrje që bëjnë progres, që nuk krijojnë diferenca të mëdha midis asaj që thuhet dhe asaj që bëhet. Në këtë rast siç ka treguar përvoja botërore por edhe aktuale në disa shtete, kryeministri apo presidenti në varësi të regjimit, e njëson veten me kombin, me shtetin dhe në momentin që kjo ndodh, siç po bëhet tani edhe në Shqipëri, ekziston rreziku i vendosjes së një regjimi personal, që mund të rrezikojë seriozisht demokracinë shqiptare, të zhduk pluralizmin. Me faktin që në këto zgjedhje pluralizmi mori një goditje shumë të rëndë është një paralajmërim dhe një rrezik serioz për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Shqipërisë.

Mund të ndodh kjo në një kohë që përballë Rama do të ketë një opozitë të fortë PD dhe LSI?
Opozita për nga numri që ka mendohet që mund të jetë e fortë por për nga gjendja në të cilën ndodhet mund të mos rezultojë e tillë. Përse? Opozita nuk është unike, ka dy forca kryesore tashmë opozitare, PD dhe LSI. E para, ndodhet në një amulli thuajse të plotë dhe nuk i dihet fati i saj pas datës 22 korrik kur do të bëhen zgjedhjet për kryetarin. Ajo rrezikon edhe të copëtohet, ajo rrezikon që edhe numrat që ka në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë të mos jenë të bashkuar dhe për rrjedhojë të mos ketë atë forcë dhe atë kohezion që duhet të ketë një opozitë që duhet ta kryejë funksionin e saj. Mund të ndodh edhe e kundërta që me zgjedhjen e kryetarit të PD-së, nëse do të jetë një zgjedhje e besueshme, mund të dalë një Parti Demokratike më e fortë. Kjo mbetet për tu parë. Ndërkohë që LSI-ja me 19 deputetë padyshim që mund të jetë një opozitë e fortë e cila nuk ka rrugë tjetër veç ta kryejë atë mision që ta zhduk mjegullën që është krijuar rreth saj por edhe për t’u përgatitur për betejat e ardhshme elektorale.
Por unë jam optimist që nëse PD-ja e kalon pa truma të mëdha zgjedhjen e 22 korrikut, ajo do ta rimarr veten dhe pastaj edhe në bashkëpunim me LSI në Parlament, do të mund të bënin një opozitë shumë të fortë. Madje, parashikoj që PD dhe LSI në opozitën e tyre të përbashkët me kalimin e kohës do të afrohen edhe më shumë me njëratjetrën për të shkuar drejt një koalicioni të përbashkët në zgjedhjet për pushtetin vendor në 2019 dhe për të rrezikuar seriozisht, në mos për të përmbysur pushtetin vendor në bastionet e PS-së, duke filluar nga kryeqyteti. Ky është për mendimin tim një synim strategjik i opozitës së ardhshme shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb