NGA KLODJANA HAXHIAJ

DURRES– Edhe pse mban në dorë një urdhër mbrojtje nga gjykata, ajo është e detyruar të bashkëjetojë me burrin e saj dhunues. E divorcuar pas 16 vitesh martesë pas dhunës se vazhdueshme ndaj saj e dy fëmijëve të sëmurë, Gjykata e Durrësit e detyron Bukurien të ndajë sërish të njëjtën banesë me ish-bashkëshortin, Fatmir Murrizi.

Nëna e dy fëmijëve të mitur, të sëmurë me hidrocefali dhe zhvillim të vonuar mendor ka paralajmëruar se do të vetëvritet, duke u hedhur nga kati i tretë i banesës sociale ku ajo jeton.

“Ish-bashkëshorti im mund të më vrasë mua dhe fëmijët. Unë e kam denoncuar disa herë, por policia nuk e arreston, pasi ai ka kartelë mjekësore si i paaftë për punë. Para se të më mbytë apo të më vrasë ish-burri, më mirë do i jap fund jetës vetë”, u shpreh Bukurie Dervishi.

Apeli për ndihmë i 44-vjeçares u drejtohet institucioneve përkatëse, pasi ka pasur një sërë rastesh kur konfliktet mes ish-bashkëshortëve që ndajnë të njëjtën banesë kanë përfunduar deri në vrasje.

E tronditur, Bukurie Dervishi pohoi se ish-bashkëshorti i saj, Fatmir Murrizi e ka dhunuar sistematikisht gjatë gjithë viteve që ka qenë e martuar me të. Ajo thotë se ish-burri nuk ka paguar asnjë detyrim financiar për banesën sociale.

“Që kur jam martuar, Fatmiri më ka gënjyer. Kur po bëja dokumentet e divorcit, mësova se ai kishte kartelë mjekësore. Ish-burri im nuk ka punuar asnjë ditë. Ai ka marrë pensionin e paaftësisë së njërit prej dy djemve. Unë jam kujdesur, i kam ushqyer dhe rritur dy fëmijët, njëri prej të cilëve është i paralizuar. Më parë ka jetuar me ne edhe vjehrra, e cila ka ndërruar jetë. Ne kemi jetuar në shtëpi me qira për vite me radhë. Meqë kam dy fëmijë të sëmurë, para dy vitesh kryebashkiaku Vangjush Dako na dha një apartament këtu tek banesat sociale në lagjen nr.17, pasi ngelëm mes katër rrugëve. Për apartamentin duhet të paguajmë 80 mijë lekë të vjetra në muaj, por ish-burri im nuk ka paguar.

Aktualisht nuk e kemi rinovuar kontratën, pasi jemi debitorë. Nga ana tjetër, Gjykata e Durrësit ka vendosur që ish-bashkëshorti im të kthehet në këtë apartament, për të cilin ai nuk ka paguar lekët. Ky vendim është absurd, pasi Fatmir Murrizi nuk është më i zoti i banesës. Pastaj, si mund të merret një vendim i tillë kur unë kam urdhër mbrojtjeje nga ish-burri. Nuk e kuptoj këtë. Bashkia nuk duhet ta rinovojë kontratën për apartamentin në emrin e ish-bashkëshortit tim. Unë dhe fëmijët nuk mund të jetojmë në një shtëpi me Fatmirin, me të cilin u divorcova para tre muajsh”, tha Bukurie Dervishi.

Shërbimi Përmbarimor ka mbërritur në shtëpinë e 44-vjeçares për të ekzekutuar vendimin që një prej dy dhomave të banesës t’i kalojë ish-bashkëshortit. Por ajo nuk pranon t’ia hapë derën kurrsesi atyre nëse shoqërohen nga ish-bashkëshorti.

Më 5 prill të këtij viti Gjykata e Shkallës së Durrësit vendosi që Fatmir Murrizi të banojë në një nga dhomat e banesës së përbërë nga dy dhoma e një kuzhinë dhe konkretisht në dhomën më të vogël të banesës, që ndodhet në anën e djathtë të hyrjes kryesore të banesës”. Ky vendim ka indinjuar Bukurie Dervishin, e cila dje deklaroi se gjykata po e vret për herë të dytë.

E frikësuar se ish-bashkëshorti mund të rikthehet në banese e ajo dhe 2 fëmijët e saj mund të bien sërish pre e dhunës Bukurija ka një apel.

“Gjykata më riktheu ish-burrin dhunshëm në shtëpi. Ai do të na vrasë. Sa të vijë ish-burri im në shtëpi do të rinisë dhunën ndaj meje e fëmijëve. Nuk di se çfarë të bëj. Më herët ish-bashkëshorti im ka tentuar të më nxjerrë në rrugë si prostitutë. Ma tha troç: “Dil e prostituo se na duhen lekët”. Ai tentoi të më detyronte duke më rrahur, por unë rezistova falë familjes, të cilët më ndihmuan. Edhe nëna e tij ma thoshte, ai nuk të do për grua, por dil e puno në rrugë. Nuk e kam kuptuar si kam qëndruar kaq shumë me atë njeri”, deklaroi Bukurie Dervishi.

VENDIMI I GJYKATËS
Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Fejzo Hysi dhe të shpallur më 5 prill të këtij viti thuhet:

– Të pranojë kërkesën e paditëses Bukurie Murrizi për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes duke marrë këto masa:

I padituri Fatmir Murri të mos ushtrojë dhunë fizike e psikologjike ndaj paditëses Bukurie Murrizi.
– I padituri Fatmir Murrizi të banojë në një nga dhomat e banesës të përbërë nga dy dhoma e një kuzhinë dhe konkretisht në dhomën më të vogël të banesës, që ndodhet në anën e djathtë të hyrjes kryesore të banesës.

-I padituri Fatmir Murrizi duhet të mos kërcënojë, ngacmojë, ofendoj, fyej, cenojë apo kontaktojë me paditësen Bukurie Murrizi, në asnjë moment dhe në asnjë rast.

Ky urdhër lëshohet për një afat 3-mujor.

-Shkelja e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes përbën vepër penale në kuptim të N.320 të K.Penal.

-Kundër vendimit bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës brenda 5 ditëve nga shpallja.

-Palët do të pajisen me dy kopje vendimi, në mënyrë që njërën ta mbajë vetë dhe tjetrën t’ia vejë në dispozicion policisë në momentin që paraqitet nevoja.

-Një kopje e këtij vendimi do t’i dërgohet Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, sektori i Krimeve të Rënda dhe Dhunës në Familje si dhe Drejtorisë së Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Durrës për zbatim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: