SHBA- Ish-drejtori i FBI-së Comey kritikoi ashpër administratën për justifikimin e përdorur në shkarkimin e tij në muajin maj.

comey tha se Presidenti Donald Trump priste besnikëri prej tij dhe i kishte kërkuar që të hiqte dorë nga hetimi për ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Michael Flynn.

Dëshmia për rreth tre orë e zotit Comey para Komisionit të Zbulimit të Senatit ishte paraqitja dhe komentet e para të tij në publik lidhur me nëntë bisedat që ai tha se kishte patur me Presidentin Trump në muajt para shkarkimit të tij.

Presidenti e shkarkoi zotin Comey muajin e kaluar, lidhur me atë që ai ju referua si “çështja e Rusisë”. Ish-shefi i FBI-së po udhëhiqte në atë kohë hetimin e agjencisë së drejtuar prej tij, mbi mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Comey i tha ligjvënësve se ai ishte ndjerë konfuz nga shpjegimet e ndryshme që ndihmësit e zotit Trump i patën dhënë për shkarkimin e tij, duke shtuar se administrata zgjodhi rrugën e diskreditimit të tij dhe të FBI-së, duke përdorur gënjeshtra të pastra, siç u shpreh ai. Ai tha se i vinte keq që njerëzve që punojnë për FBI-në iu desh të dëgjonin këto gënjeshtra.

Në seancën e pazakontë në Kongresin amerikan, kreu republikan i Komisionit të Senatit për Zbulimin Richard Burr bëri thirrje për një diskutim të hapur dhe të sinqertë lidhur me marrëdhëniet e tensionuara mes Presidentit Trump dhe zotit Comey.

Demokrati më i lartë në komision, Senatori Mark Warner, duke iu refereuar komenteve të Presidentit Trump tha se në gjithë këtë histori nuk bëhet fjalë për një gjueti shtrigash dhe as për lajme të rreme. Kjo, tha ai, është një përpjekje për të mbrojtur vendin nga një kërcënim i ri, i cili nuk pritet të eliminohet brenda një kohe të shkurtër. Senatori e kishte fjalën për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Gjatë seancës, senatorët i drejtuan zotit Comey pyetje të shumta rreth bisedave të tij me Presidentin Trump.

Zoti Comey, i cili ka përvojë të gjatë me dëshmitë përpara komisioneve të Kongresit dhe është i kujdesshëm në zgjedhjen e termave që përdor, në disa raste refuzoi të përgjigjej publikisht dhe ofroi ta informonte komisionin pas dyerve të mbyllura.

Vemendje të veçantë ka shkaktuar deklarata e zotit Comey se Presidenti Trump i kërkoi atij besnikëri dhe demokratët e kanë parë këtë si shenjë se zoti Trump ka dashur të ndikojë mbi hetimet e zotit Comey për çështjen e Rusisë.

Por kreu i komisionit Burr tha se nuk është gabim të kërkosh besnikëri nga një zyrtar i administratës. “Unë nuk shoh ndonjë shkelje këtu”, – tha senatori.

Ndërkaq, Senatori demokrat Warner tha në seancë se sjellja e Presidentit Trump është padyshim dëshmi ndërhyrjeje ose pengimi, gjë që ai e cilësoi si shumë shqetësuese.

Ndërkohë që zoti Comey po i jepte fund dëshmisë në Kongres, Presidenti Donald Trump reagoi, duke paralajmëruar mbështetësit e tij evangjelistë se ata duhet të mbrojnë besimet e tyre fetare nga struktura politike në Uashington.

“Ne jemi nën rrethim,” tha zoti Trump në një fjalim të mbajtur në Uashington para Koalicionit Konservator të Besimit dhe Lirisë. “Interesat politike të rrënjosura dhe zërat e dështuar e të hidhur në Uashington do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të na ndalur nga kjo kauzë e drejtë,” – tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb