Nga VALENTINA MADANI

Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm i jap të drejtë Presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump kur kritikon NATO-n. Sipas tij, Aleanca Ushtarake nuk ka qenë sa duhet aktive në luftën kundër radikalizmit islamik, si rreziku më i madh i njerëzimit. Z.Shehu përmes “Gazeta Shqiptare” flet edhe për ndikimin që do të ketë në Evropë dhe në mënyrë të veçantë në Shqipëri, presidenca e Donald Trump. Dhe kur bëhet fjalë për PD-në, Tritan Shehu thotë: “Ka një ndryshim shumë pozitiv për të djathtën, që pa dyshim të bën më optimistë për rezultatet e qershorit”.
Z.Shehu, si ish-ministër i Jashtëm, si e shikoni vendosjen në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Trump?
Është një rotacion pushtetesh në ShBA, ashtu siç ndodh, veçanërisht po të marrim në konsideratë faktin që demokratët drejtuan për dy mandate aty. Pra, realisht për mua është një proces normal dhe në përputhje me principet e demokracisë. Presidenti Trump fitoi zgjedhjet presidenciale, realizoi një fushatë shumë energjike, novative e depërtuese deri tek amerikani i fundit, duke treguar që është një mjeshtër i marrëdhënieve publike. Unë jam i bindur që ai do të jetë një president që do t’i zhvillojë SHBA-të, ekonominë e tyre, do të impostojë reforma të rëndësishme në vend si ajo në shëndetësi, do të rrisë rolin e SHBA-vë në botë. Që sot z.Trump nuk është vetëm President i SHBA-ve, por është edhe figura më e rëndësishme e rruzullit, determinuese në mbrojtje të vlerave, demokracisë, paqes e stabilitetit. Në fakt, ky është edhe roli atij vendi të madh.

Tritan_Shehu22shkurt
Mendoni se z. Trump do të jetë një faktor pozitiv për reformat e brendshme amerikane?
Gjykoj se ai së pari, ashtu siç theksoi dhe mbrëmë në fjalën e tij, do t’i japë një shtytje pozitive ekonomisë amerikane, e cila nuk është se nuk ka probleme. Psh., një nga këto janë shifrat e larta të borxhit të saj, pavarësisht uljes së papunësisë në këto vite. Politikat e tij financiare do të bazohen në taksat e ulëta si dhe në investime të mëdha në infrastrukture. Nga ana tjetër, reforma në shëndetësi, për të cilën ka shumë vite që flitet e punohet, nuk po implementohet. Republikanët së shpejti së bashku me largimin nga disa principe të saj të viteve të fundit, do të paraqesin edhe kolonat e tyre, që për mendimin tim, nga sa dihet deri më tash, duken realiste, incentivuese për sistemin, të përputhshme me parimet e përgjithshme të ekonomisë amerikane dhe më të përballueshme nga ana financiare.
Besoni se mund të realizojë një mbyllje të kufijve?
Personalisht nuk e kam kuptuar kështu. Unë e kam kuptuar si një përpjekje për të disiplinuar e kontrolluar më tej imigracionin e paligjshëm. Të mos harrojmë se ky lloj imigracioni për SHBA-të është një problem serioz, i lidhur me shumë pasoja negative si shfrytëzimi në të zezë i emigrantëve, informaliteti, kriminaliteti, çështje të terrorizmit, sigurisë kombëtare etj.. Unë i shoh në këtë sens idetë e transmetuara deri më tani, por nga ana tjetër, jam i bindur që vlerat dhe principet e përgjithshme të demokracisë do të jenë shtyllat kryesore të çdo reforme aty, se mbi të tilla parime bazohet ai vend.
Atëherë, z. Trump mund të zbatojë një politikë më “izolacioniste” për SHBA?
Z.Trump ka deklaruar se ai do të përqendrohet fort te problemet e brendshme amerikane, te zhvillimi ekonomik aty, sigurisë, reformat etj. dhe kjo është krejt normale. Por të mos harrojmë se interesat e SHBA-ve e roli i tyre janë shumë më të gjera se hapësirat e atij vendi. Po kështu, edhe bota ka nevojë për rolin lider amerikan. Në shumë gjëra bota është bërë tashmë shumë e gjerë dhe e hapur. Pra, unë nuk gjykoj për një “mbyllje” të SHBA, sepse kjo do të ishte edhe në kundërshtim me interesat jetike amerikane dhe vetë idetë e z.Trump “për ta bërë Amerikën të Madhe”. Këtu do të ndaloja edhe në një pikë. Z.Trump ka zgjedhur një grup të shkëlqyer bashkëpunëtorësh, qoftë si Sekretar Shteti, të Mbrojtjes, sektorëve ekonomikë, shëndetësisë etj. Janë njerëz me personalitet e hapësira mendimi, njerëz që kanë ditur të punojnë ngushtë edhe deri më tani me partneret ndërkombëtar. Po kështu, ai ka përfshirë në nivele të larta edhe disa ushtarakë me shumë përvojë e integritet, që nuk mund ta pranojnë “mbylljen”. Unë dëgjova fjalën e Sekretarit të Shtetit dhe atij të Mbrojtjes në Kongres, ishin me shumë tejpamje dhe premtuese për forcimin e rolit amerikan në botë dhe jo për të kundërtën.
Megjithatë, Presidenti i ri SHBA ka bërë kritika të forta ndaj BE-së e NATO-s?
Unë nuk shoh këtu asnjë të keqe. Pa dyshim BE për vetë ecurinë e saj në këto vite ka lënë vend për shumë kritika ndaj saj si dhe domosdoshmërisë së ndryshimeve energjike brenda saj, në rast të kundërt rrezikon seriozisht dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe botërore. Unë kam krijuar përshtypjen se z.Trump do e shtyjë BE-në që të marrë përgjegjësitë e saj, të zgjidhë problemet që ka dhe këtë duhet ta bëjë ajo vetë. SHBA, aleatin më të fortë e të sigurt në botë ka BE-në e kjo nuk mund të ndryshojë kurrë. Në lidhje me NATO-n, gjithashtu Z.Trump kërkon më shumë përgjegjësi e pjesëmarrje nga aleatët, se nëse duhet ndërhyrë në vende të ndryshme në luftë me terrorizmin, agresionet, aty nuk ka pse të shkojnë vetëm forcat amerikane dhe jo të gjithë. Z. Tump për mendimin tim me të drejtë kritikoi NATO-n për mosqenie aktive në luftë me radikalizmin islamik në zonat e nxehta. Sot rreziku më i madh për njerëzimin e vlerat, siç ai theksoi mbrëmë me të drejtë, është terrorizmi i lidhur me këtë burim ideologjik e politik. Është ajo që ka thënë Papa Françesko, Lufta e Tretë Botërore e fragmentuar. Dhe nëse z. Trump kërkon përfshirje direkte të NATO-s aty e jo vetëm të SHBA-ve, ka shumë të drejtë, se ndryshe roli i NATO-s zhbëhet. Dhe këtë ai e kërkon pa përjashtuar veten, përkundrazi deklaroi se do të forcojë shumë më tepër ushtrinë, mbrojtjen e sigurinë, gjë që detyrimisht kërkon bashkëpunim. Pra, unë gjykoj se qëndrimi realist ndaj problemeve, vënia e gishtit të ato, kritikat direkte janë të vlefshme. Ashtu siç gjykoj se lidhjet e Trump me liderët perëndimorë, pavarësisht disa objeksioneve, do të jenë përherë e më të forta se të tilla janë lidhjet e Amerikës me këtë Europë.
Si e shikoni afrimin me Rusinë?
Duhet të kuptojmë diçka, që pavarësisht diferencave ideologjike, në interesa, niveleve të demokracisë etj., roli i Rusisë është i rëndësishëm në zhvillimet botërore. Në fakt, afrimi i Perëndimit me Rusinë ka filluar që në kohën e Reganit e Gorbaçovit, ndoshta që nga Hrushovi e Kenedi. Përpjekje të tilla me sukses kanë bërë edhe liderë europianë si gjermanë, italianë, francezë etj.. Pra, është e pakuptimtë të kritikohet presidenti i SHBA-ve kur deklaron se kërkon marrëdhënie të mira e dialog me Rusinë. Kjo është gjëja më normale dhe e frytshme. Aq më shumë në këto periudha kur rreziku më i madh për të gjithë është terrorizmi e ekstremizmi, të cilat për t’u luftuar kërkojnë një bashkëpunim me Rusinë. Të tërheqësh Rusinë në këto përpjekje, pavarësisht diferencave, është mençuri dhe racionalitet. Në diçka duhet të jemi të qartë të gjithë: në atë që Presidenti i SHBA-ve e institucionet e atij vendi dinë e do të veprojnë në përputhje me interesat globale të vlerave dhe mbrojtjes edhe të atyre parimeve e çështjeve, që janë të panegociueshme.
Po për qëndrimet ndaj myslimanëve?
Kam dëgjuar disa komente jo serioze nga disa për këtë çështje si “kritika” ndaj Trump, që në fakt ofendojnë myslimanët në tërësi. Terrorizmi, radikalizmi islamik, islami politik nuk kanë të bëjnë me fenë islame, ose më mirë kërkojnë të përdorin atë fe për qëllime pushtetesh, pasurimesh, si justifikim për shkelje të demokracisë e deri në krime monstruoze. Dhe jam i bindur se z. Trump kur kërkon masa, kontrolle, goditje e ka fjalën për këto kategori e jo për fenë islame. Interpretimet e tjera i konsideroj si spekulime dashakeqe, aq më shumë kur presidenti kërkon me këmbëngulje forcimin, zgjerimin e koordinimin e plotë të luftës me terrorizmin si betejën më të rëndësishme të njerëzimit tashmë në mbrojtje të vlerave.
Si do të ndikojë zgjedhja e tij në marrëdhëniet me Shqipërinë?
Gjykoj që marrëdhëniet tona me SHBA-të do të jenë stabël e në zhvillim pozitiv. Për ne, ai vend është partneri kryesor e garancia më e madhe për të gjithë shqiptarët, sepse ai vend është garant i drejtësisë e demokracisë. Gjithashtu, mendoj se dhe rajoni ynë ku roli i shqiptarëve është i rëndësishëm do të jetë një pikë shumë sensibël edhe për administratën e re amerikane. Dhe në këto çështje nuk shikoj probleme për neve, nëse edhe ne do të dimë të impostohemi drejt për stabilitetin e rajonit, në marrëdhëniet me SHBA-të, pa kërkuar të ndërrojmë “qendrat e gravitetit” dhe pa bërë aventura politike a improvizime diletanteske, siç janë konstatuar 2-3 vitet e fundit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë faze të parë të instalimin të administratës së re.
Po lidhur me ato çfarë ka thënë z.Rama për presidentin Trump…?
Ajo është një çështje tjetër, që ka të bëjë me marrëdhëniet e z.Rama me stafin e z.Trump e jo me qëndrimin, pozicionimin e Shqipërisë apo të shqiptarëve, që absolutisht janë shumë larg të tillave deklaratash aventureske. Ishte pa dyshim një gafë e rëndë politike, të cilën unë e kritikova publikisht që më 10 prill dhe sot nuk mund të parashikoj se çfarë pasojash mund të ketë për vetë z.Rama, por jam i bindur që nuk mund të cenojë marrëdhëniet tona me z.Trump apo me SHBA-të, aq më shumë tashmë që jemi në prag të zgjedhjeve.
Pas pak muajsh zhvillohen zgjedhjet politike në vendin tonë, PD-ja e bazon fitoren e saj tek ardhja në pushtet e Z.Trump?
Ne si PD e shohim me kënaqësi fitoren e republikanëve dhe të Z.Trump qoftë në Presidencë, qoftë në Kongres e Senat. Po kështu, ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira dhe falënderojmë edhe administratën e mëparshme për mbështetjen ndaj vendit tonë e shqiptarëve. Megjithatë, me republikanët ne jemi më afër si “familje” politike e ideologjike, pra pa dyshim bashkëpunimi me ata do të jetë edhe më i ngushtë se deri më tani. Gjithashtu, ne shohim me simpati një varg suksesesh të qendrës së djathtë edhe në Europë si ajo në Spanjë, Presidenti i PE, fitorja e ardhshme e Fillon në Francë dhe Merkel në Gjermani etj. Pra, ka një ndryshim shumë pozitiv për të djathtën, që të bën më optimist për rezultatet e qershorit. Megjithatë, ne fitoren tonë e bazojmë kryesisht tek ajo që do bëjmë, transmetojmë, programet, idetë e figurat tona.
Pra, ju prisni ndryshime që nga dita e djeshme?
Pa dyshim ndryshime do të ketë në tërësi, në SHBA, Europë, tek ne, por këto do të jenë për të mirë dhe në përputhje me ato që përmenda më sipër, ndryshe nga sa spekulojnë pa ndërprerje disa grupe majtiste tek ne. Mendoj se së pari do të komunikohet më direkt me qytetarët, do të flitet më hapur e do të përforcohet roli i tyre. Trump mbrëmë qartësoi se të parët do jenë qytetarët e roli i tyre në qeverisje. Gjithashtu, gjykoj se bashkëpunimi në tërësi do të përmirësohet brenda vendit apo në rang botëror edhe midis Perëndimit, duke u bërë ky më konkret në parametrat e tij, më i prekshëm, duke u tentuar të largohemi nga “fasadat” e duke u bazuar të përmbajtja. Pra, shikoj një forcim të rolit e “prakticitetit” amerikan, determinimit të tij duke u afruar me filozofinë e Reganit apo të Thaçerit, që janë filozofi të suksesshme, solide e konservatore të qendrës së djathtë. Dhe këto në këto plane të mëdha do të reflektohen edhe në Europë, gjë që ka filluar, gjithashtu dhe në vendin tonë, duke shtyrë drejt ndryshimeve të domosdoshme e të shumë pritura. Kjo është e paevitueshme dhe e dobishme për të gjithë si dhe për zhvillimin vetë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: