TIRANË- Pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se pret që ministrat e teknikë të PD-së të largohen, pati një debat publik për arsyet që kjo gjë nuk ndodh. Por sot ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka listuar disa arsye sipas tij, kushtetuese se pse ministrat e PD apo të LSI nuk mund të largohen.

Manjani shkruan në “Facebook” se edhe pse politikisht ata duhet të largohen, qëndrimi i tyre është detyrim kushtetues.

Nga ana tjetër, Manjani e quan antikushtetuese mosmbledhjen e qeverisë apo vendimmarrjen e saj qarkulluese.

STATUSI I MANJANIT
Pse nuk mund të ikin ministrat. Debati publik mbi qëndrimin ose jo në qeveri të ministrave të PD dhe LSI, bëhet shpesh në injorim total të Kushtetutës së Republikës.
Inati, mllefi apo edhe ndjenja e hakmarrjes politike është shumë më e fortë se arsyeja kushtetuese e funksionimit të shtetit.

Qeveria e dizenjuar në kushtetutë si një institucion që funksionon pandërprerje. Ajo mblidhet rregullisht për të diskutuar dhe vendosur (shih nenet nga 96- 100 të kushtetutës), ashtu sikurse Kryeministri dhe ministrat vijojnë rregullisht pa ndërprerje detyrat e tyre.

Qëndrimi në detyrë për Kryeministrin dhe ministrat është detyrë! Shiheni çfarë shkruhet në nenin 106 të Kushtetutës:
“Neni 106- Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.”
Pra qëllimi është të mos lihet vendi pa qeveri asnjë minutë!

Formulat apo lëvizjet politike vijojnë punën e tyre, por vendi duhet të ketë qeveri. Askush nuk mund të braktisë detyrën kushtetuese! Kjo do të thotë se edhe nëse për arsye politike apo personale ministri jep dorëheqje, Ai/ajo është i detyruar të qëndrojë në detyrë derisa të vijë pasardhësi/sja. Kjo është detyrë kushtetuese!

Ministrat e PD dhe LSI mund të dorëhiqen për arsye politike (personalisht mendoj se duhet ta bëjnë një orë e më parë), por qëndrimi i tyre në detyrë është urdhër i Kushtetutës!

Qeveria aktuale siç e katranosi Kryeministri, ka nevojë për një kuorum minimal që të mblidhet e të funksionojë. Ministrat e PD dhe LSI janë shumica ndaj qëndrimi i tyre bëhet edhe më i detyrueshëm!
Por mos mbledhja e qeverisë dhe vendimmarrja e saj qarkulluese është kulmi i paligjshmërisë dhe i anti-kushtetushmërisë. Nuk ka askund asnjë nen, paragraf apo qoftë dhe një fjalë të vetme që të ligjërojë vendimmarrjen qarkulluese! Nuk ka!

Qeveria prandaj ka rregulla detyruese për qëndrimin në detyrë, pikërisht për të garantuar vendimmarrjen solide e solemne të saj!

Nëse dikush ndonjëherë do jetë i interesuar për të hetuar një shkelje të rëndë të Kushtetutë, duhet ta fillojë nga kjo qeveri që është në dhunim permanent të saj!

Ndërkohë njerëzit kontribuojnë ose thjesht shohin spektaklin e kultit të individit që braktis qeverinë dhe Kushtetutën duke u shitur si shtetar! Kulmi!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: