Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Ish-polici i vrarë, e motra: Nuk di që të ketë pasur probleme, e prisja në shtëpi si çdo natë

Ajet Zeqaj

TIRANE- Motra e ish-efektivit të policisë Ajet Zeqaj, i cili u ekzekutua me armë me silenciator më 16 mars, merret në pyetje nga ekspertët e kriminalistikës. Burime pranë Policisë së Tiranës sqaruan se gjatë dëshmisë që Liljana K. ka dhënë para hetuesve të çështjes, ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni të konflikteve që vëllai i saj mund të ketë pasur me persona të caktuar. Ajo ka treguar se, që prej ditës që Ajeti ishte kthyer nga Franca në Shqipëri, pothuajse çdo natë shkonte në banesën e saj. E tronditur për humbjen e vëllait, Liljana ka thënë se edhe ditën që ndodhi ngjarja ishte duke e pritur Ajetin në shtëpi. “Nuk më ka treguar se mund të ketë pasur probleme me ndonjë person. Ai hapej shumë me mua, por më shumë për çështje familjare. Di që në Francë punonte në një kompani. Që prej ditës që ishte kthyer nga Franca, më së shumti Ajeti flinte në shtëpinë time. Edhe atë ditë, si çdo ditë tjetër, isha duke e pritur në shtëpi për darkë”, mësohet të ketë thënë në polici Liljana. Gjithashtu, ajo ka treguar se jeton shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por humbjen e vëllait të saj e ka mësuar nga mediat. Ndërkohë, pak ditë më parë, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe disa të afërm të 41-vjeçarit, për të hedhur dritë për vrasjen misterioze që ndodhi në rrugën “Nikolla Tupe”.

Burimet e sipërpërmendura sqaruan se policia shqiptare është duke pritur informacion nga Interpoli për sa i përket aktivitetit që kryente Zeqaj në Francë. Po ashtu, policia është duke bërë edhe këqyrjen e disa pamjeve filmike të sekuestruara përgjatë disa rrugëve në zonën e ish-Bllokut, për të zbuluar vendin nga ka kaluar autori. Ky i fundit, i veshur me të zeza, me doreza në duar dhe me një kapele sportive të vënë në kokë, e qëlloi 41-vjeçarin nga Tepelena me 2 plumba në kokë, vetëm 5 metra pasi ai doli nga ambientet e një lotosporti. Pas krimit, autori, ende i paidentifikuar nga policia, u largua nga vendi i ngjarjes nëpërmjet tunelit të një pallati, duke hedhur disa metra larg trupit të viktimës edhe armën e krimit. Nga hetimet paraprake dyshohet se krimi mund të jetë kryer për prishjen e hesapeve të drogës, gjatë kohës që Zeqaj ka jetuar në Tepelenë. Por, nuk përjashtohet edhe mundësia që 41-vjeçari të jetë ekzekutuar për shkak të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur në Francë, apo edhe për çështje hakmarrjeje.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)



KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.