NGA ELDA MENGA

Lulzim Basha nuk është i vetmi që nuk bie dakord me Federica Mogherinin, kur thotë se bojkoti i reformës në drejtësi vonon integrimin, duke bërë në këtë mënyrë përgjegjëse Partinë Demokratike. Senatori italian i qendrës së djathtë, Mario Mauri kritikon qëndrimin që përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian mbajti në Tirane pak ditë më parë.

“Dua të kujtoj se ato që përfaqësojnë institucionet europiane, e kanë për detyrë të jenë të paanshëm dhe për detyrë që të shohin me vëmendjen e duhur problemet e brendshme të një vendi, që populli të ndihet i respektuar. Pikërisht për këtë mendoj që nuk është opozita që po bllokon institucionet, parlamentit dhe procesin e integrimit, por është qeveria që po rrezikon të bojkotojë demokracinë”, thotë Mauri.

Opozita ka zbritur në shesh dhe kërkon që zgjedhjet të realizohen vetëm përmes një  qeverie teknike. Por a krijohet në këtë mënyrë një precedent i rrezikshëm që çdo opozitë që do vijë të ketë një kërkesë të tillë?

“Nuk është precedent i rrezikshëm në rastin kur vendi është dukshëm në gjendje të jashtëzakonshme. Fakti që kemi të bëjmë me një situatë të tillë, e konfirmon qëndrimi në pushtet i atyre personave që janë të lidhur me krimin. Është detyrë e shoqërisë që të zgjidhë këtë situatë dhe detyrë e institucioneve që të mos lejojnë që në zgjedhje të futen financime të dyshimta që mund të ndihmojnë njërën apo tjetrën palë”, deklaron ai.

Qëndrimin e tij se kush po e bllokon integrimin, senatori italian ia tha virtualisht zonjës Mogherini dhe kryeministrit shqiptar, kur i bëri ‘tag’ në rrjetet sociale një tweet: “Nuk bojkotoi opozita Kuvendin, por qeveria bojkotoi standardet demokratike” @Federica Mogherini@Edi Rama@ Lulzim Basha”, shkruhej në statusin e tij në Twitter.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb