ROME– Italia dhe Shqipëria kanë vendosur të krijojnë paketa të përbashkëta turistike me qëllim që të tërheqin sa më shumë turistë nga Kina dhe vendet aziatiake.
Lajmin e ka bërë të ditur sot, Ministri Italian i Kulturë, z. Dario Franceschini, i cili nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministren shqiptare të Turizmit, Eglantina Gjermenin, në Romë.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, – tha Franceschini, – do të shërbejë si një plan pune me hapa konkretë në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve tona si dhe do të krijojë mundësi të reja për promovimin e paketave turistike të përbashkëta veçnërisht për rritjen e numrit të turistëve nga Kina dhe vendet e tjera aziatike”.
Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në këtë sektor ekonomik të rëndësishëm për vendin do të fokusohet në zhvillimin e produktit të turizmit, shkëmbimit të eksperiencave më të mira dhe modeleve të suksesshme të turizmit, rritjen e investimeve italiane në këtë sektor dhe mbi të gjitha përvojës italiane në standardizimin e shërbimeve turistike.
(ar.sh/BalkanWeb)