TIRANË– Kryeministri Edi Rama mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste në orën 17:00 për t’i informuar në lidhje me marrëveshjen e arritur pas mesnate, por me siguri edhe për datën e zgjedhjeve, e cila u kthye në temën e bisedimeve që zgjatën 5 orë mes Ramës e Bashës.

Ashtu si Rama edhe kryedemokrati Basha mblodhi rreth orës 17:00 grupin dhe kryesinë njëherësh për të njëjtat qëllime. Fill pas takimit me Ramën i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi, Basha mbërriti në selinë blu, siç raporton për BalaknWeb gazetarja Elda Menga, ku nisi edhe një takim me aleatët. Bëhet fjalë për një mbledhje me dyer të mbyllura.

Ndërsa gazetarja Marsela Karapanço konfirmon se mbledhja në PS, do të jetë e shkurtër, pasi rreth orës 18:00 deputetët do të shkojnë bashkë tek Piramida, për të çelur zyrtarisht fushatën zgjedhore për Tiranën.

Me interes pritet edhe zbardhja e detajeve të marrëveshjes së arritur mes dy liderëve, pasi edhe pas takimit 5 orësh asnjë detaj nuk u bë publik.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: