Vera tashmë ka ardhur dhe secili prej nesh pret të shijojë avantazhet që ajo na sjell. Megjithatë, dielli dhe temperaturat e larta ndaj të cilave ekspozohemi mbartin efekte negative, sidomos në lëkurë…Ekspozimi në diell mund të nxisë plakje të parakohshme të lëkurës, theksim të rrudhave, shenjave ose njollave kafe, tharje të lëkurës dhe mund të predispozojë zhvillimin e kancerit të lëkurës.

Dr. Irena, mjeke pranë Spitalit Amerikan/Klinikës Vivia, ju jep disa këshilla shumë të domosdoshme, për një lëkurë të shëndetshme.

Dr-Irena-Savo-

Si ndikon rrezatimi diellor në lëkurë?
Rrezatimi UVA përfaqëson atë pjesë të rrezatimit që ka gjatësinë e valës më të gjatë dhe depërton më thellë në lëkurë (në pjesën e dermës). Aktivizon radikalet e lira dhe përshpejton plakjen e lëkurës. Rrezatimi UVB depërton në pjesën e sipërme të lëkurës (epiderma). Kjo pjesë e rrezatimit është përgjegjëse për djegien nga dielli, reaksionet alergjike dhe zhvillimin e kancerit të lëkurës. Rrezatimi UVC përfaqëson pjesën më të rrezikshme të rrezatimit diellor. Fatmirësisht, kjo pjesë filtrohet nga shtresa e ozonit pas reduktimit të kësaj shtrese vitet e fundit.

Çfarë duhet të ofrojë një produkt mbrojtës ndaj rrezatimit ultraviolet?
Produkti duhet të ketë spektër të gjerë mbrojtje; domethënë të mbrojë në mënyrë të mjaftueshme nga pjesë të rëndësishme të rrezatimit UVA dhe atë UVB të spektrit të dritës.
Mbrojtja ndaj rrezatimit UVB vlerësohet nëpërmjet treguesit SPF ose “Sun Protection Factor”. Ky indeks tregon kohën gjatë të cilës mund të qëndroni në diell pa u djegur. Për shembull, nëse lëkura juaj skuqet normalisht pas 10 min qëndrimi në diell, aplikimi në lëkurë i një kremi me spf 15 bën që kjo kohë të shumëfishohet me treguesin SPF, pra të zgjatet në 150 min. Mbrojtja ndaj rrezatimit UVA vlerësohet nëpërmjet treguesit UVA-PF. Ky tregues përcaktohet nëpërmjet një testi in-vivo, i quajtur Persistent Pigment Darkening (PPD) test.

UVA-PF ka tre shkallë: PA+, PA++, PA+++. PA+ përfaqëson nivelin më të ulët mbrojtës, ndërsa PA +++ atë më të lartë. FDA (Food and Drug Adminstration) ka aprovuar 17 ingredientë mbrojtës ndaj rrezatimit UV.
Disa prej tyre ofrojnë një barrierë fizike, minerale që reflektojnë dhe kthejnë rrezatimin përpara se ky i fundit të penetrojë në lëkurë, ndërsa të tjerë ofrojnë barrierë kimike që përthith rrezatimin ultraviolet dhe e konvertojnë atë në energji.

Të dy tipat janë efikas në mbrojtje dhe të sigurt, nëse përdoren në mënyrën e duhur. Zgjedhja e produktit të përshtatshëm në varësi të kërkesave dhe karakteristikave të çdo lëkure është shumë e rëndësishme. Kështu, bebet dhe fëmijët kanë nevoja të ndryshme për sa i përket përkujdesjes ndaj diellit nga të rriturit ndërkohë që produktet e përshtatura për lëkurë të thatë mund të mos përshtaten ose të krijojnë probleme në lëkurat e yndyrshme ose me akne, rozacea, etj.

SI DUHET KRYER APLIKIMI I PRODUKTIT MBROJTËS
• Aplikoni produktin 30 min para ekspozimit
• Riaplikoni produktin çdo dy orë nëse jeni të ekspozuar
• Riaplikoni produktin pasi dilni nga uji ose pas djersitjes intensive
• Mos bëni masazh të produktit pas aplikimit të tij Konkluzion
• Përdorimi i produkteve me filtër mbrojtës janë pjesë e rëndësishme e regjimit të përkujdesjes së lëkurës gjatë verës, por jo e vetmja. Masa të tjera përfshijnë:
• Evitimi i ekspozimit në diell gjatë orëve të rrezatimit intensiv 10:30 – 16:00.
• Përdorimi i veshjeve dhe aksesorëve mbrojtës: kapele, syze.
• Konsumimi i ujit, frutave, perimeve.
• Sezoni më i nxehtë i vitit kërkon përkujdesje për lëkurën, ndërkohë që i gëzoheni natyrës dhe lirisë së verës

Por si të zgjidhni produktin e duhur për nevojat e lëkurës tuaj?
Produkti duhet të zgjidhet në varësi të intensitetit të ekspozimit. Kështu për një ekspozim minimal, pra disa minuta herë pas here gjatë ditës, aplikimi i një mbrojtësi me SPF 15, që filtron rreth 93% të rrezatimit UV është i mjaftueshëm. Në rastet me ekspozim intensiv rekomandohet të përdoret solar me SPF më të lartë se 30. SPF 30 filtron deri në 97% të rrezatimit ultraviolet, ndërsa SPF 50 filtron deri në 98% të tij. Zgjidhni produktin e duhur në varësi të tipit të lëkurës. Kështu, për lëkurë të thatë rekomandohet produkt në formë kremi, ndërsa për lëkurë mikse e të yndyrshme përshtaten produktet në formë emulsioni, fluidi ose xheli.

Për lëkurat me akne rekomandohet të zgjidhen produkte që shkruajnë “Oil free” ose “Non-comedogenic”. Për lëkurën e fëmijëve substancat kimike mund të jenë irrituese. PABA dhe oxybenzone shoqërohen me reaksione në lëkurë.

Produktet me filtra fizikë; si oksid zinku dhe dioksid titanium tolerohen më mirë dhe janë shpesh ingredientë kryesorë në produktet e përshtatura për këtë grupmoshë.

Në rast të lëkurave sensitive ose që krijojnë problem nga aplikimi i kremit mbrojtës me filtër kimik mund të përdoren kremra me filtër fizik; si me përmbajtje oksid zinku, dioksid titanium, etj.
Gjithashtu lëkurat me tendencë alergjike ose sëmundje si Rozacea duhet të evitojnë produktet që përmbajnë prezervativë, aroma, alkool; si dhe PABA ose oxybenzone. Personat me melazma (njolla kafe ose “maska e shtatzënisë”), histori kanceri lëkure, apo lëkurë të bardhë, duhet të përdorin në mënyrë sistematike produkte me SPF minimum 30.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb