Zbulohet leja me të cilën Aleksandër Frangaj po ndërton tek “Laguna Blu”. Komuna e Golemit e drejtuar nga Partia Socialiste i ka dhënë leje ndërtimi më vitin 2014, sipas udhëzimeve të qeverisë ‘Rama’, ku citohet se, aty ku ka plan rregullues nga KKRT, komuna mund të jap leje ndërtimi.

Frangaj ka mundur të fusë në planin e KKRT të Berishës fushat si shesh ndërtimi, dhe pas kësaj ka marrë leje ndërtimi nga komuna e Golemit.

Ndërkohë që leja duhet të jepet mbi një truall që duhet të jetë pronësi e tij, dhe privatizimi i tokës ka plot dyshime që është i paligjshme.

Po ashtu është e paqartë se si KKRT e Berishës ka quajtur shesh ndërtimi mjediset sportive të një fshati turistik.

QEVERIA: LEJA E DHËNË NGA KOMUNA REZULTON MBI PRONË PRIVATE. STUDIMI I ZONËS, NË KOHËN E BERISHËS
Edhe Qeveria reagon mbi dhënien e një leje ndërtimi në zonën e Golemit. Sipas qeverisë, leja në këtë zonë është dhënë nga komuna dhe rezulton të jetë pronë private. Po ashtu qeveria thotë se leja e komunës është dhënë mbi një studim të miratuar nga KRT , në kohën e Berishës.
“Kryeministri Edi Rama dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk kane asnjë lidhje me ndonjë leje ndërtimi në të ashtuquajturën Laguna Blu. Leja e dhënë nga komuna rezulton të jetë dhënë mbi një truall pronë private, mbi bazën e studimit urbanistik te zonës në fjalë, miratuar nga Këshilli Kombëtar i rregullimit të Territorit, nën drejtimin e kryeministrit të kohës Sali Berisha. Gjithashtu, vendimmarrjet e ndryshme të KKT­së, lidhur me bllokimin e lejeve të ndërtimit në qytetet apo në zonat e mbrojtura, në kuadrin e vendosjes së rendit ligjor mbi territorin, as nuk kanë lidhje me zonën në fjalë, as nuk kanë cenuar ndonjëherë të drejtën e njësive vendore për të dhënë leje ndërtimi për njësi familjare banimi dhe/ose turistike, mbi bazën e studimeve urbanistike të miratuara”,­ sqaron qeveria.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: