TIRANË- Presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka rrëfyer sot një pjesë të jetës së tij me detaje. Ai ka folur në emisionin “Opinion” për rrugëtimin e tij, studimet, ambiciet për të qenë pedagog dhe fëmijërinë.
Meta ka treguar edhe se gjyshja e tij donte t’i vinte emrin Novruz për shkak se ka lindur më 23 mars por nëna e tij nuk kishte pranuar.

“Kam lindur me 23 mars në Çepan, dhe gjyshja donte të ma vinte emrin Novruz se përkonte me festën e Novruzit. Po mamaja ime insistoi shumë për emrin Ilir”, tha Meta.

I pyetur për ambicien e tij për pedagog, Presidenti i zgjedhur tha: “Në atë kohë ishte e vështirë që të mendoje apo besoje, në vitin 88 kur kam filluar studimet që të bëheshe deputet, ministër apo kryeministër. Më shumë në atë kohë isha i fokusuar në këtë linjë për t’u bërë pedagog në Fakultetin e Ekonomisë”.

Kishit ëndërr t’i ngjanit Anastas Angjelit?
Nuk thashë atë gjë, ishte pedagogu im. Në ‘88 ishte e rëndësishme njëherë të bëje shkollën e lartë. E dyta ishte që të fillojë punë në Tiranë. Motra ime u diplomua shkëlqyer në anglisht dhe shkoi në një fshat të largët. Familja ishte gjithmonë e shqetësuar.

Keni qenë ambicioz?
Gjithmonë kam qenë. Edhe në shkollë të mesme isha komandant i togës.

Nga ju vinte?
Nuk e di, ndoshta vinte nga brenda.

Po me Ben Blushin, nuk i keni pasur marrëdhëniet aq të mira?
I kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Në të mesmen kemi qenë tek Sami Frashëri. Në 8-vjeçare nuk e besoj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: