Japonia është bërë gati për luftë dhe ka vendosur në gadishmëri sistemet kundërajrore për të rrëzuar raketat e Koresë së Veriut. Ndërsa Koreja e Jugut bën thirrje për dialog.

Përshkallëzimi i krizës mes Uashingtonit dhe Penianit shqetëson pa masë Japoninë, e cila ka filluar me përgatitjet për luftë dhe ka vendosur në gadishmëri sistemin kundërajror në pjesën perëndimore si kundërpërgjigje për hipotezat e mundshme të një sulmi kundër ishullit amerikan Guam nga ana e Koresë së Veriut.

Forcat ajrore të mbrojtjes japoneze, të pajisura me raketa kundërajrore u angazhuan për mbikëqyrjen e katër bazave ushtarake.

Gjatë ditës së shtunë janë montuar edhe njësitë operative në trajektoret ku priten të kalojnë raketat e Koresë së Veriut që mund të nisen për të goditur bazën amerikane Guam në Paqësor. Sistemet kundërajrore janë kombinuar me radarë tokë-ajër në mënyrë që të shmanget rënia e ndonjë pjese raketore të nisur nga Peniani në territorin japonez.

Gjithashtu edhe Koreja e Jugut ka vendosur në gadishmëri forcat ushtarake dhe është përgatitur për luftë, siç njoftojnë autoritetet vendase. Por, presidenti Mon Xha In bën thirrje për rikthim në tavolinën e negociatave, në mënyrë që kjo krizë me Korenë e Veriut të zgjidhet me anë të diplomacisë.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb