Bajram Jashanica ka hedhur poshtë një interesim të mundshëm të Kukësit për të. Një ditë më parë, u bë i ditur lajmi për interesimin e klubit kampion të Shqipërisë për shërbimet e mbrojtësit. Por, Jashanica ka hedhur poshtë gjithçka. Duket se dy rivalët që luftuan fort për titullin gjatë kampionatit të kaluar do të garojnë edhe në këtë merkato vere. Fillimisht u mësua se korçarët kishin arritur akord me Koliçin, ndërsa tashmë Kukësi hidhet në “sulm” për Jashanicën.

MBROJTËSI
I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, mbrojtë- si shtatlartë i Skënderbeut ka bërë me dije se nuk ka asnjë ofertë konkrete nga Kukësi dhe për pasojë nuk ka çfarë koment të bëjë. “Janë thjesht zëra merkatoje që duan të shpërqendrojnë ekipin në këtë periudhë ku po marrim pjesë në Ligën e Europës.
Nuk kam pasur asnjë interesim të Kukësit dhe këtë e them me bindje. Jam i përqendruar në Europë dhe këto zëra mund të na shpërqendrojnë. Unë jam vetëm i fokusuar tek Europa dhe dua të bëj më të mirën për Skënderbeun”, theksoi fillimisht Jashanica që në pas komentoi edhe të ardhmen e tij tashmë që është në fund të kontratës.

“Jam në vitin e fundit të kontratës dhe mund të them që do të pres të mbarojnë ndeshjet e Europës dhe më pas do flas me presidentin për të ardhmen. Besoj se është diçka që do të mbyllet shpejt. Kam pasur edhe disa oferta në të kaluarën dhe nëse vjen ndonjë tjetër e tillë nga jashtë, mund të shohim se çfarë do të ndodhë.

Në Shqipëri nuk besoj se ka klub tjetër më të mirë se Skënderbeu”, mbylli Jashanica prononcimin e tij. Ndërkaq, edhe presidenti Takaj qe ishte i pranishëm dje në stërvitje dhe ka dashur të bëjë vetëm pak batuta me lojtarin në fjalë pa u prononcuar për mediat. Në batutë e sipër, Takaj u thotë miqve se Jashanica vlen për të 500 mijë euro.

KELMENDI
Ndërkaq, ka mbërritur dje në Korçë edhe sulmuesi Shend Kelmendi, i cili vjen nga Prishtina. Futbollisti është afrimi i radhës i korçarëve dhe konsiderohet si një lojtar i rëndësishëm për sezonin në vazhdim./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb