Është një nga mesfushorët më të rëndësishëm në skuadrën e Zemanit, mirëpo sirenat e merkatos e transferojnë drejt Zvicrës. Me gjithë interesimet e shumta nga skuadra në Serinë A, duket se Memushaj është bindur së tepërmi nga ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares, Tramexani. Mediat italiane pranë ekipit të shqiptarit bëjnë me dije se gjatë kësaj jave pritet që të zhvillohen edhe diskutimet finale për të saktësuar të ardhmen e vlonjatit.

TAKIMI
Mediat pranë skuadrës së “Delfinëve” kanë bërë me dije se Peskara do të ketë një takim gjatë kësaj jave me përfaqësuesit e Sionit, për të vendosur përfundimisht nëse do të mund të kryhet një transferim apo jo. Skuadra e drejtuar nga Tramexani në Zvicër është interesuar për shërbimet e kapitenit të Peskarës, për të cilin duhet një pagesë jo e vogël ekonomike. Në një deklaratë dhënë për mediat disa ditë më parë, presidenti i Peskarës bëri me dije se shqiptari është shumë i rëndësishëm për ekipin dhe se nuk do të shitet lehtë, pavarësisht interesimeve.

Në fillim të merkatos, për Memushajn u bë një ofertë nga Bolonja, e cila, sipas mediave italiane, bëri ofertë zyrtare prej dy milionë eurosh. Mbetet për t’u parë se çfarë do të jetë në gjendje që të ofrojë skuadra e Sionit, që tashmë drejtohet nga Tramexani, i cili kërkon me çdo kusht shërbimet e shqiptarit për repartin e mesit të fushës.

LOJTARI
Disa ditë më parë, vetë Ledian Memushaj u pyet nga një prej tifozëve të Peskarës në përfundim të një seance stërvitore se çfarë do të vendoste gjatë merkatos. Tifozi u interesua te kapiteni nëse do të qëndronte te Peskara edhe këtë sezon apo do të largohej dhe përgjigjja e shqiptarit ishte e tillë që do të qëndrojë te Peskara. Memushaj është nën urdhrat e trajnerit Zeman prej disa ditësh dhe po kryen fazën përgatitore për sezonin e ri./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: