Kristian Panuçi ka marrë sot zyrtarisht drejtimin e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Por tekniku i kuqezinjve është një figurë krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim në 5 vitet e fundit me Xhani De Biazin.

Panuçi është më impulsiv dhe emocional. Këtë nuk ka ngurruar tregojë në pjesëmarrjen e tij te emisioni “Ballando con le stelle 2011” (Vallëzim me yjet) në Itali. Që atëherë, në këtë emision, qarkullon ende ajo që quhet “Panucci Dance”.

Por Panuçi është shfaqur impulsiv edhe për çështje që kanë lidhje me futbollin. Kur ishte futbollist te Parma, ai u bë i famshëm për një zënkë në parkingun e stadiumit me presidentin e Xhenoas, Enriko Preciozi.

“Ta këpus kokën, ta bëj kokën si top futbolli. Mëso të flasësh!”, ishin disa nga frazat e lëshuara nga Panuçi gjatë asaj zënke e cila u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së disa policëve të pranishëm.

Ndërkaq, së fundmi Panuçi është përfshirë në një debat edhe me trajnerin Luçiano Spaleti, i cili asokohe drejtonte Romën. Pasi trajneri i ri i Shqipërisë e kritikoi për zëvendësimin e Xhekos në sfidën ndaj Peskarës, Spaleti e cilësoi “të limituar” trajnerin e kuqezinjve që nuk ia përtoi t’i kthente përgjigje në lidhje direkte.

Duke pasur parasysh këtë natyrë të trajnerit të ri, Xhaka & Co. duhet të mendohen mirë para se të deklarojnë apo bëjnë ndonjë gjë të nxituar./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: