Trajneri Mirel Josa foli edhe për shkaqet që e prunë ekipin deri në këtë pikë. Përtej fajeve që ai i merr përsipër, në mënyrë indirekte lë të kuptohet se “fatura” e dështimit i mbetet edhe pjesës tjetër, pra drejtuesve dhe keqmenaxhimit.

“Problemi nuk është vetëm te ndeshja e sotme (djeshme), por vazhdimësia. Javët e fundit, edhe pse bëmë paraqitje të mirë në lojë apo në pikë, duhej shumë më tepër. Pse ndodhi? Këtë e dinë më mirë të tjerët. Unë nuk mund të jap tani arsye, edhe pse nuk dua që të shfajësoj veten apo lojtarët. Pishmane kam boll.

Ne si skuadër duhet ta kishim menaxhuar më mirë. Mua më takon të flas vetëm për aspektin teknik të lojës apo edhe lojtarëve të caktuar. Futboll nuk luhet kur do ti, por gjithmonë. Futbolli është vazhdimësi, që të ngre edhe psikologjikisht në momente të caktuara dhe unë them që ne humbëm shumë nga mosbesimi që kishim gjatë kësaj periudhe, sidomos individual. Kishte lojtarë të përkushtuar maksimalisht, por edhe të tjerë që edhe pse të impenjuar, duhet të kishin më shumë besim”, shpjegoi trajneri i bardhebluve për TVSH.

E ARDHMJA

Çfarë do të ndodhë me Tiranën në Kategorinë e Parë, duke filluar nga ekipi apo edhe vetë e ardhmja e tij? Paqartësi ka shumë, megjithatë trajneri përgjigjet në këtë formë: “Të ardhmen e Tiranës nuk e vendos unë. Tiranën do e shohim pas finales së Kupës së Shqipërisë. Atëherë do vendosen shumë gjëra sa i përket vazhdimësisë”./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: