ITALI- Në Komunën San Nicola la Strada, Itali, pikërisht në sheshin e qytetit, është mbajtur ceremonia e hapjes së projektit “Pjesëmarrja Qytetare Rinore dhe Ligjshmëria”. Bashkia Kamëz është një ndër partneret kryesore të këtij projekti së bashku me Komunën San Nicola La Strada, si promotor i nismës së këtij projekti evropian. Ky projekt bashkoi praktikat më të mira që promovojnë ligjshmërinë në nivel lokal, barazinë, dinjitetin dhe qëndrueshmërinë. Këto praktika do të jenë të ndërlidhura me sektorët e ndryshëm social–ekonomikë, kulturorë, si dhe me përvojat më të mira të zhvillimit lokal për promovimin e vlerave të tilla si ligjshmëria, solidariteti, pjesëmarrja aktive dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, gjatë fjalës së tij në hapjen e takimit shprehu vlerësimet e tij maksimale për këtë projekt që ka në fokus rininë, të ardhmen e çdo vendi. Ai u shpreh se në këto 26 vite, kanë ndodhur transformime epokale. Po kaq epokalë kanë qenë edhe hapat që ka hedhur Kamza, qyteti më i ri në Shqipëri, por edhe në Evropë. Por, edhe pse me një moshë të re, të vogël, ky qytet, banorët e tij kanë pasur një etje dhe dëshirë të madhe të ecin drejt progresit.

Këtë e dëshmon vetë Kamza, si fryt i lëvizjes së lirë të qytetarëve, të cilët nuk u pajtuan me gjendjen e tyre, por erdhën dhe formuan qytetin e pestë në vend. Madje, ata janë shpërndarë edhe në vende të BE-së, prej nga kanë sjellë të ardhurat për familjet e tyre, kanë ngritur biznese dhe kanë punësuar familje të tëra. Por, mbi të gjitha kanë sjellë kulturën e popujve të qytetëruar evropianë. Dhe për të qenë në një hap me zhvillimin dhe progresin individual të komunitetit të Kamzës, është dashur të ngrejmë një institucion të qeverisjes vendore që t’u përgjigjej kërkesave, nevojave të tyre për shërbim.

Kryebashkiaku Mziu përcolli mesazhin e solidarizimit: “Le të jetë binjakëzimi, bashkëpunimi ynë i deritanishëm themeli i një të ardhmeje të përbashkët në një Evropë të bashkuar, ku secili prej nesh të shpalosë vlerat, burimet, dhe cilësitë më të mira. Ditën e dytë, kryebashkiaku Xhelal Mziu bëri një prezantim të projekteve të zbatuara në Bashkinë Kamëz. Disa nga projektet e zbatuara jane; projekti i KE-së, i OSBE-së dhe Ambasadës Holandeze për luftën antikorrupsion, projekti kundër dhunës në familje UNDP, buxhetimi me pjesëmarrje, Open Day në Bashkinë Kamëz, Java Evropiane e Demokracisë Vendore në Bashkinë Kamëz, partneriteti me shoqërinë civile, projekti JOGGLE i Komisionit Evropian “Breza të Bashkuar për marrjen e ligjshmërisë në Evropë”.

Binjakëzimi San Nicola la Strada, Itali, 28 maj 2016, në orën 19:00, në një ceremoni të shkëlqyer solemne, në Arenën Komunale të Qytetit, në prani të personaliteteve më të larta të të shtatë vendeve, përkatësisht kryebashkiakët: Xhelal Mziu (Kamëz, Shqipëri), Vito Marotta (San Nicola la Strada, Itali), Vincenzo Guida (Cesa, Itali), Michele Sarogni (Casapulla, Itali), Starosta Dabrowski (Powiat Dabrowski, Poloni), Denisa Árvayová (Slowenka Darmoty, Sllovaki) dhe Basir Çupa (Klos, Shqipëri) nënshkruan marrëveshjen e binjakëzimit, si fryt i përpjekjeve dhe angazhimeve të ndërsjella.

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, në fjalën e tij para nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit, vuri theksin se ky akt ka vlera të shumanshme bashkëpunimi e integrimi, jo vetëm midis institucionesh, por sidomos shkëmbim vlerash të përbashkëta historike, arsimore, kulturore, politike, shoqërore midis popujve. Në Arenën Komunale ai tha se kjo marrëveshje e binjakëzimit shënon jo vetëm mbajtjen e marrëdhënieve të përhershme midis vendeve tona, por sidomos në realizimin dhe në përmbushjen e objektivave të përbashkët për shkëmbim të të rinjve, një mundësi e shkëlqyer “Për pjesëmarrjen qytetare rinore dhe ligjshmërinë”.

Nënshkrimi i këtij akti binjakëzimi shënon një moment tjetër të rëndësishëm për Bashkinë Kamëz dhe për gjithë komunitetin e saj.

Në fjalën e tij të plotë kryebashkiaku Xhelal Mziu në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit tha: ”Jam këtu, me emocionet dhe ndjeshmërinë e lartë jo vetëm të qytetarit të parë të Kamzës, por edhe të çdo qytetari shqiptar, në këtë teatër me vlera të shquara historike e me tradita të shquara kulturore, së bashku me delegacionin e ardhur nga Shqipëria, që përfaqëson qeverinë lokale të Kamzës dhe qytetarët e nderuar të saj, për të marrë pjesë në ceremoninë historike të nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit midis qyteteve tona. Kjo është për mua dhe për të gjithë Këshillin përfaqësues të Kamzës e stafin e saj, për të gjithë komunitetin tonë, një ditë e madhe, një ditë që hap një faqe të re historike, atë të vendosjes së miqësisë e të bashkëpunimit, të shkëmbimit të vlerave civile qytetare midis vendeve, popujve dhe komuniteteve tona. Është nder, fat dhe përgjegjësi e madhe që qeverisjet e qytetarëve, që janë votuar dhe gëzojnë besimin e tyre të realizojnë hapa të tillë, që janë vënë sot në rend të ditës dhe me interes të gjerë, siç është nënshkrimi i marrëveshjes së marrëdhënieve të binjakëzimit, si një marrëdhënie me vlera të shumanshme bashkëpunimi e integrimi, jo vetëm midis institucionesh, por sidomos shkëmbim vlerash të përbashkëta historike, arsimore, kulturore, politike, shoqërore midis popujve”.

Në vijim të fjalës së tij Mziu shtoi se: “Në këtë moment solemn dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për të arritur në këtë ngjarje të shënuar dhe në radhë të parë të falënderoj këshillat bashkiakë të qyteteve tona për mbështetjen e tyre për aktmarrëveshjen e binjakëzimit, por një falënderim të veçantë dua të bëj për kolegun tim, z. Vito Marotta, i cili së bashku me stafin e tij ka organizuar gjithë këtë proces përgatitor, që nga shprehja e interesit për të qenë partnere e projektit me Bashkinë Kamëz, konkretizuar me takime zyrtare në këtë konferencë të niveleve evropiane si dhe për të vijuar më tej shkëmbimin e ideve dhe fushave të bashkëpunimit, të projekteve të përbashkëta, duke i bërë tashmë këto marrëdhënie realisht shumë të afërta dhe të prekshme midis qeverisjeve dhe qyteteve tona”.

“Në kuadër të bashkëpunimit mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë për krijimin e kushteve favorizuese të progresit të qytetit Kamza, si në aspektin ekonomik, social, kulturor etj., Këshilli Bashkiak i Kamzës ka miratuar me unanimitet që disa nga rrugët e qytetit tonë të marrin emrin e disa qyteteve te Italisë, si: rruga “Bari”, “Firence”, “Maçerata”, “Milano”, “Napoli”, “Roma”, “Torino”, “Venecia”, “Verona” dhe të personaliteteve të shquara, si: “Leonardo da Vinçi”, “Padre Mateo Riçi”, “Silvio Berluskoni” kjo, si shenjë e miqësisë dhe respektit.

Prandaj shpreh bindjen dhe besimin tim të plotë se aktmarrëveshja e binjakëzimit që nënshkruajmë sot është me vlera shumëdimensionale, me rëndësi jo vetëm për komunitetet lokale, por edhe për miqësinë midis popujve të Italisë, Shqipërisë, Polonisë e Sllovenisë dhe për më tepër për familjen e përbashkët evropiane. Ja pse kjo marrëveshje nuk erdhi spontanisht dhe do të ketë jetëgjatësi të madhe, duke i rezistuar kohës, sepse ajo do të ngjizet edhe më shumë me projekte e aktivitete të gjithanshme, që do të burojnë nga vullneti dhe dëshira e lirë demokratike e popujve dhe zhvillimet e mëtejshme në Evropë dhe në botë.

Duke përfunduar, ju siguroj se firma ime në manifestin e binjakëzimit, miratuar nga këshillat bashkiakë të qyteteve tona, është me rëndësi në periudhën e mandatit tim dhe që do të shoqërohet me angazhimin maksimal timin dhe të të gjithë aktorëve të qeverisjes lokale, por edhe qendrore, për zbatimin e çuarjen e saj sa më përpara në interes të zhvillimit të qytetit tim, Kamza! Ju siguroj gjithashtu, se data 28 maj 2016 do të mbetet në kujtesën e historisë së Kamzës si datë e rëndësishme integruese evropiane. Edhe një herë ju faleminderit për mikpritjen dhe për këtë ceremoni kaq të mrekullueshme!”, përfundoi fjalën e tij kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: