KORÇË- Megjithëse fenomeni i kultivimit të kanabisit po shkon drejt zhdukjes sipas zyrtarëve të policisë, mbjelljes nuk i ka shpëtuar as vendi turistik i Voskopojës në Korçë.

Policia e këtij qarku bën me dije se sot specialistët e Seksionit për Krimet, në vijim të zbatimit të planit të masave për kontrollin e territorit kanë goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Nga informacione të siguruara në rrugë operative, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Voskopojë, konkretisht pranë vendit të quajtur “Përroi i Qershisë”, u gjetën dhe asgjësuan në vend me anë të djegies 120 rrënjë bime të dyshuara si narkotike Cannabis Sativa.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin, kapjen e autorit/ëve si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: