TIRANË- Pak ditë pasi kandidati i LSI-së në zgjedhjet e 2013-ës Petrit Gjoni u betua si deputet duke zëvendësuar Armado Prengën një kundërshtim ka ardhur nga brenda kësaj force politike. Gjok Buna ka paraqitur një ankesë në Kolegjin Zgjedhor, duke kundërshtuar kështu vendimin.

Në padinë e dorëzuar në KQZ, të cilën e disponon “BalkanWeb” Buna, ka kërkuar që të shfuqizohet vendimi që i dha mandatin Gjonit, kjo pasi ai pretendon se i takon atij me ligj ky post.

Ndërkohë, mësohet se seanca për shqyrtimin e kërkesës së Bunës do të mbahet nesër në orën 12:00. Prenga hoqi dorë nga mandati i tij si deputet.

KËRKESË PADI
PADITËS: Gjok Buna, i datëlindjen 10.8.1963, lindur në Krujë dhe banues në Rruga. Rr.Barrikada, nr.2 H7, Tiranë. Cel. 066 2088006.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Tiranë
OBJEKTI: Kundërshtim i vendimit Nr. 92, datë 27.03.2017 “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të listës shumëemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, në Qarkun e Lezhës, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të mbarimit të mandatit të deputetit të z.Armando Prenda.
BAZA LIGJORE: Neni 153 e vijues të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, neni 153 e vijues të Kodit të Procedurës Civile.
DREJTUAR: Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës
së Apelit Tiranë
I nderuar Z. Kryetar,
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin Nr. 92, datë 27.03.2017 ka vendosur:
1. T’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumëermërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Qarku Lezhë, z.Petrit Gjoni.
2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e këtij vendimi.

Duke mos qenë dakord me vendimin e dhënë paraqes këtë kërkesë për kundërshtimin e marrë nga KQZ-ja pasi ky vendim është marrë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor duke shkelur procedurat dhe kompetencat e përcaktuara nga ligji, neni 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike”.

Referuar listës shumëemërore të depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve unë jam në listën shumëemërore për subjektin Partia Lëvizja Socialiste për Integrim për Qarkun e Lezhës, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013 me numrin rendor 3 (tre).

Rezulton se lista shumëemërore e Partisë Levizja Socialiste për Integrim në Qarkun Lezhë, i plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 67, të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë dhe kriterin e gjinisë. Në këto kushte zëvendësimi i vakancës nga ana e KQZ-së, është bërë sipas përcaktimeve të nenit 164, pika 2 të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë edhe kriterin e gjinisë. Në këto kushte zëvendësimi i vakancës nga ana e KQZ-së, është bërë sipas përcaktimeve të nenit 164, pika 2 të Kodit Zgjedhor me kandidatin e radhës, përsa i përket kriterit të gjinisë.
Sipas listës shumëemërore të kandidatëve për deputet për zonë zgjedhore Qarku Lezhë, të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, rezulton se kandidati i radhës është kandidati me numër rendor 2; (dy) z.Petrit Preng Gjoni dhe kandidati me numër rendor 3; (tre) është z. Gjok Buna.

Referuar nenit 11 të ligjit 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, vetëdeklarimi dhe verifikimi i kushteve të të dhënave në përputhej me këtë ligj, kryhet për çdo kandidat të listës shumëemërore për zgjedhjet pararendëse, për Kuvendin, të cilit i takon të marrë mandatin e deputetit për vendin vakant, sipas Kodit Zgjedhor.
Z. Petrit Preng Gjoni, depozitoi formularin e vetëdeklarimit në KQZ si organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksionin publik, deputet i Kuvendit.

Në zbatim të nenit 11 ligjit nr.138/2015 dhe Kreut V, të vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 KQZ bëri publikimin e formularit të vetëdeklarimit në faqen zyrtare të internetit por në kundërshtim me ligjin nuk bëri verifikimin e të dhënave në këtë formular.

Në referim të vendimit të KQZ-së, kjo e fundit është mjaftuar vetëm me një shkresë të dërguar nga ana e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila konfirmon faktin vetëm përsa i përket vendimeve gjyqësore të dhëna nga Gjykatat Shqiptare, kjo në kundërshtim me nenin 2, pika 2 të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione” “Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave:

a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë personale dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji; b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”,”b” dhe “c” të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.

Në këto kushte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim në kundërshtim me procedurat e ligjit, pa verifikuar gjendjen gjyqësore të z.Gjoni për krime të kryera jashtë territorit të Rep. të Shqipërisë.

KQZ në kundërshtim dhe me vetë praktikën e ndjekur për kandidatët e tjerë në funksion të ligjit të “dekriminalizimit” shkel me qëllim afatet dhe procedurat duke mbajtur standarde të ndryshme për kandidatë të ndryshëm. Në këto kushte në referim të ligjit 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” hetimi administrativ i KQZ – është i mangët dhe për pasojë në kundërshtim me ligjin.

Në këto kushte në referim të nenit 158, germa b, gjykimin në themel nga ana e Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë në respektim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të bëhet verifikimi i integritetit të z. Petrit Gjoni i plotë
Bashkëlidhur vendimi i KQZ-së
Paditës Gjok Buna

(m.k/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: