Pritet finishi i trajnerit që do të pasojë Xhani De Biazin në krye të Kombëtares shqiptare të futbollit dhe një prej alternativave kryesore është Luixhi De Kanio. Ish-trajneri i shumë skuadrave në Serinë A të futbollit, është kryqëzuar gjatë karrierës së tij me një nga ish-bomberët e Kombëtares, që aktualisht drejton Kombëtaren U-19.

Erjon Bogdani, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon se si është të punosh me teknikun italian. Me gjithë kujdesin që tregon gjatë bisedës, për të mos pranuar të japë informacione që nuk i ka se cili do të jetë trajneri pasues i De Biazit, kujton me detaje motivimin nga De Kanio. “Me të kam bërë sezonin më të mirë në Serinë A”, shprehet ndër të tjera Bogdani që rrëfen se çfarë preferon dhe çfarë kërkon më së shumti italiani te futbollistët e tij.

Bogdani, prej javësh, emra të shumtë trajnerësh, mes të cilëve De Kanio, Sedorf, Panuçi e Zenga janë lakuar si pasuesit e mundshëm të De Biazit. Sa dijeni keni për trajnerin e ri të Kombëtares?
I kam lexuar nëpër media dhe vetëm në këtë mënyrë kam informacione rreth kësaj çështjeje. Tani duhet të presim se kush do të zgjidhet. Kam bindjen që presidenti Duka do të bëjë zgjedhjen më të mirë për Kombëtaren shqiptare.

Si ish-bomber që keni luajtur gjatë në Itali, si do t’i rendisnit këto kandidatura. Kush mund të jetë i duhuri për Kombëtaren?
Në fakt, unë nuk e di se çfarë kërkohet nga Federata për trajnerin e ri. Ata kandidatura që ju përmendët, që janë lakuar së tepërmi gjatë kësaj periudhe në media, janë një miks trajnerësh. Mund të them që disa prej tyre kanë eksperiencë dhe disa janë të rinj me personalitet…
De Kanio është lakuar si më pranë zyrtarizmit. Ju e njihni më mirë, si e kujtoni të punuarit me të?
Unë e kam pasur trajner te Rexhina dhe pastaj te Siena. Me të kam bërë sezonin më të mirë në Serinë A. Është një trajner me eksperiencë sepse ka drejtuar shumë skuadra.

Çfarë modeli loje preferon më së shumti De Kanio?
Të gjithë trajnerët në Itali janë të përgatitur. Unë mendoj, që të gjithë ata alternativa që ju i përmendët dhe që janë lakuar si të mundshmit për të marrë drejtimin e Kombëtares, kanë autoritet. Sa i përket De Kanios, ka luajtur me shumë variante. Për shembull ka zgjedhur shpesh variantin 4-3-3 apo 4-3-1-2. Kujtoj te Siena që luanim Lokateli, unë dhe Kieza. De Kanio është shumë kërkues dhe ka autoritet.

Referuar këtij trajneri dhe faktit që ju thatë se keni zhvilluar sezonin më të mirë në drejtimin e tij, mendoni se mund të arrijë të marrë maksimumin nga ky grup lojtarësh që ka Kombëtarja?
Unë nuk mund ta bëj fakt të kryer zgjedhjen e tij, as po as ta mohoj, duke qenë se nuk kam informacione. Megjithatë, mund të them që secili prej atyre alternativave ka aftësinë për të marrë maksimumin nga ky grup lojtarësh i Kombëtares.

Më lejoni të insistoj për De Kanion, duke qenë se raportohet të jetë favoriti. Çfarë pëlqen ai më së shumti te lojtarët?
Nga sa kujtoj unë, ai preferonte që lojtari duhet të japë maksimumin për ekipin dhe të vrapojë. Unë kam pasur një periudhë që nuk bëja gola, por ai sërish më dha besim dhe në fund shënova 11. Jo vetëm kaq, por dhashë edhe shumë asiste në atë periudhë.

Si ju motivoi dhe si vepron ai në këtë aspekt me futbollistët?
Në mënyrën e tij të të punuarit është kryesore që lojtari duhet të bëjë më të mirën që ka për skuadrën. Kujtoj që më thoshte se ‘Mjafton që t’i të luash për skuadrën dhe golat e tu do të vijnë’…

Çfarë nuk toleron te lojtarët ai, diçka që nuk e toleron?
Ka një diferencë, që Kombëtarja nuk është si një klub, por është ndryshe. Megjithatë, ai insiston gjithmonë që të gjithë lojtarët të jenë të bashkuar pavarësisht faktit nëse luan apo jo./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: