Te Kukësi ka një handikap të madh në ato se çfarë thotë klubi dhe deklarojnë vetë lojtarët. Dje, presidenti Safet Gjici konfirmoi se një prej lojtarëve që do të vazhdojë të jetë pjesë e Kukësit është edhe braziliani Zhan Karioka.

Mirëpo, 28- vjeçari, në një postim në profilin e tij në “Facebook” shkroi se është i lirë dhe që pret oferta, madje shfaqi edhe numrin e tij të telefonit për ata që janë të interesuar.

Nisur nga ky njoftim i fantazistit, u aludua për një prishje të kontratës në mënyrë të njëanshme, mirëpo e vërteta është që palët nuk kanë rënë dakord për termat financiarë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Karioka tregon bisedimet me presidentin Gjici dhe të ardhmen.

“Kam folur me drejtuesit e Kukësit sot (dje), por nuk kemi rënë dakord për kërkesat tona. Pra, nuk kemi arritur një marrëveshje. Tani unë jam lojtar i lirë dhe po studioj ofertat që më kanë ardhur. Do të shoh cila është më e mirë dhe më e përshtatshme për mua dhe familjen time. Nuk mund të flas për emrat e klubeve që më kërkojnë, por kam disa oferta konkrete. Në lidhje me Kukësin, nuk e di si do të shkojë.

Kam bërë historinë me këtë klub, kam fituar tre trofe në dy vite dhe kemi bërë gjëra të mira në Kupat e Europës. Kam zhvilluar më shumë se 100 ndeshje me këtë fanellë, të cilën mendoj se e kam nderuar, pasi kam bërë më të mirën, duke luajtur me shpirt. Unë kam shumë respekt për tifozët e Kukësit dhe dua të qëndroj, por jo çdo gjë varet nga unë.

T’ia lëmë kohës se çfarë do të ndodhë me të ardhmen, duke besuar edhe te Zoti!”, deklaroi Karioka. Ndërkohë, gazeta mëson se presidenti Gjici i ka ofruar brazilianit 5 mijë dollarë në muaj për rinovimin, ndërsa pretendimet e mesfushorit janë më të madha.

Ai ka kërkuar 7 mijë dollarë, por nga burime në klub mësohet se palët mund të bien sërish dakord për një shifër prej 6 mijë dollarësh në muaj. Gjasat janë që braziliani të mbetet sërish pjesë e kampionëve në fuqi./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: