TIRANE- Një episod dhune brenda familjes në muajin prill përfundon me dënimin më burg të 26-vjeçares nga Tirana, e cila në sherr e sipër goditi me karrige në kokë gjyshen 79-vjeçare.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Tiranës, e cila thotë se e pandehura Z.D. në ambientet e banesës së saj, ka goditur me karrige druri të moshuarën, teksa në debat ishte e përfshirë edhe nëna e saj.

Për shkak për pretendimeve të mëparshme për dhunë, e moshuara kishte marrë një urdhër mbrojtjeje, që ndalonte të pandehurën dhe nënën e saj t’i afroheshin më shumë se 3 metra të moshuarës që jetonte në një nga dhomat e banesës.

Sipas Gjykatës, dhunimi i të moshuarës ka ndodhur në një kohë që ajo ishte nën efektin e urdhrit të mbrojtjes.

Në përfundim të gjykimit, e pandehura Z.D. u deklarua fajtore për akuzën e “dhunës në familje” dhe “veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe u dënua me 5 muaj e dhjetë ditë burg.

“E dëmtuara i ka kërkuar ta linte të qetë. Meqenëse e moshuara nuk ka pranuar të thërrasë vajzën e saj, e pandehura është afruar pranë dhomës ku ajo rri, dhe i ka hapur derën me forcë. E dëmtuara ka dalë nga dhoma e saj në korridor për t’u sqaruar me të pandehurën, ndërsa kjo e fundit ka marrë një karrige që gjendej aty dhe e ka goditur të dëmtuarën me të në krah dhe te këmbët. E dëmtuara ka rënë në tokë dhe me pas ka njoftuar shërbimet e Policisë”, sqarohej në vendimin e gjykatës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb