KORCE- Pajisja e të gjithë qytetarëve në kohë me Kartat e Shëndetit dhe përmirësimi i procedurave për këtë qëllim, ka qenë kryefjalë e drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Vjollca Braho, gjatë analizës njëvjeçare të punës për drejtorinë rajonale të Korçës.

Braho ka bërë të ditur se pothuajse në të gjithë vendin janë shtuar sportelet për të përballuar fluksin e qytetarëve, çka pritet të japë efektivitetin e saj ditët e ardhshme.

Braho përmendi drejtorinë e Korçës si një nga qarqet ku është punuar fort në harkun kohor të një viti.
FSDKSH është fokusuar edhe në zhvillimin e programeve informatikë, të cilat do të implementohen brenda një afati shumë të shkurtër, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e pajisjes me karta shëndeti për qytetarët. Paralelisht me këtë, Braho ka vënë theksin në kujdesin që duhet të tregojnë mjekët e të gjitha qendrave shëndetësore për informimin e qytetarëve për kryerjen e procesit të check-up-it.

MBI ECURINË E DERITANISHME TË PROCESIT TË SHPËRNDARJES SË KARTËS SË SHËNDETIT
Mbi 941 954 qytetarë janë pajisur me karta shëndeti deri në datën 10 shkurt 2016. Duke e vlërësuar procesin e pajisjes me karta shëndeti të të gjithë qytetarëve si shumë të rëndësishëm si një parakusht për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka marrë një sërë masash në drejtim të përmirësimit të sistemit të shpërndarjes së këtyre kartave.

Në këtë kuadër FSDKSH, bën me dije se vetëm për periudhën 05 janar – 11 shkurt 2016, janë shpërndarë rreth 249,528 karta shëndeti, në të gjithë Shqipërinë, për të gjitha kategoritë përfituese të skemës së sigurimit shëndetësor, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2015 janë shpërndarë rreth 692,426 karta shëndeti. Kategoritë që deri më tani kanë me numrin më të madh të kartave aktive të shëndetit janë fëmijet nga 0 – 12 muaj me 15,666 karta, fëmijët nga 1-18 vjeç me 108,550 karta, të papunë/punëkërkues me 59,928 karta, të punësuarit me 105,883 karta, studentët me 24,109 karta dhe pensionistët me 250,495 karta shëndeti aktive.

Në vijimësi rreth masave që FSDKSH mori në drejtim të përmirësimit të sistemit të shpërndarjes së kartave të shëndetit, ku hapi i parë ishte shtyrja e e afatit të librezës shëndetësore deri më 30 prill 2016, tashmë janë hapur edhe një sërë sportelesh të reja në të gjithë vendin, të cilat kanë ndikuar në eleminimin e radhëve e gjata dhe që qytetarët të pajisen me karta në një kohë sa më të shpejtë. Këto masa do të vijojnë brenda një kohe shumë të shkurtër me aplikimin edhe të sistemeve të reja informatike të cilat parashikohet të ulin ndjeshëm kohën e pajisjes me kartë shëndeti. Bëjmë me dije gjithashtu, se FSDKSH do të jetë në monitorim të vazhdueshëm deri në zbatimin me sukses dhe brenda afateve kohore ligjore të këtij procesi të rëndësishëm, i cili do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor për qytetarët.

karta shendet

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb