NGA GERILINA KODHELI

Në fillim të kësaj jave, të gjithë menduan se Beyonce mbërriti në një skenë shqiptare… E në fakt, Arinda Gjoni u habit edhe vetë që arriti të sillte kaq bukur në skenë divën e muzikës POP. Këngëtarja e re është një nga konkurrentet e spektaklit “Your Face Sound Familiar”, por që në natën e parë të këtij spektakli arriti të evidentohet menjëherë, falë performancës së saj energjike dhe aftësisë për të imituar në mënyrë gati të përkryer Beyonce.

Sidoqoftë, kjo ishte vetëm sfida e parë për Arindën, e cila tregon se javë pas jave do të përballet me personazhe dhe karaktere që as nuk i ka imagjinuar më parë. “Beyonce ka 100 persona që kujdesen për të, dikush e sheh si i rrinë flokët, e dikush tjetër fustani. Ajo bën një vit prova, ndërkohë që ne kemi një javë. Megjithatë, mua më pëlqen shumë…”, tregon këngëtarja për suplementin e Gazeta Shqiptare, “Bluetooth”.

Edhe pse nuk është shumë e njohur në vendin tonë, Arinda nuk pendohet aspak për këtë fakt, përkundrazi. Këngëtarja beson se nëse ia di vlerat vetes, atëherë do të vlerësojnë edhe të tjerët dhe siç thotë ajo, “do të gjejnë”. Teksa thekson se nuk i pëlqejnë skandalet dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e tyre, këngëtarja rrëfen se: “Unë kam investuar, kam bërë 10 vjet shkollë për muzikë, nuk jam thjesht një këngëtare që më ka pëlqyer vetja në pasqyrë dhe hajd të bëj një klip”.

Arinda, je një nga konkurrentet e “Your Face Sound Familiar”. Si u bëre pjesë e këtij spektakli?
Unë jetoj në Itali dhe ata e kanë parë që unë këndoj live, jam këngëtare që kam mbaruar shkollën. Kanë parë klipet e mia, që janë të suksesshme dhe më kanë ftuar. Më telefonuan dhe më thanë që isha përzgjedhur për “Your Face Sound Familiar”. Normalisht unë pranova.

E kishe ndjekur edicionin e parë? E dije ç’të priste?
Po, e kisha ndjekur dhe e kisha menduar veten që të isha pjesë e tij. Megjithatë, nuk mendoja se mund të më thërrisnin vërtetë. Kur më erdhi ftesa, pranova menjëherë.

Është impenjim i madh?
Po, është shumë e vërtetë. Unë kisha shumë koncerte të planifikuara në Itali dhe jam detyruar që t’i anuloj të gjitha dhe të kthehem këtu e të merrem me këtë spektakël. Kërkon impenjim maksimal, nuk ke kohë për asgjë nëse do që të dalësh mirë.

Tani është realizuar edhe nata e parë e spektaklit. Ishte ashtu siç e kishe imagjinuar?
Po, të gjitha kriteret që kisha ishin të realizueshme. Më pëlqen mënyra e organizimit, është çdo gjë shumë mirë, nuk kam asnjë vërejtje në këtë aspekt.

Beyonce konsiderohet si diva e muzikës POP. E kishe të vështirë të vije në rolin e saj?
Në fakt, të kërcesh dhe të këndosh në skenë është e vështirë. Beyonce ka 100 persona që kujdesen për të, dikush e sheh si i rrinë flokët, e dikush tjetër fustani. Ajo bën një vit prova, ndërkohë që ne kemi një javë. Megjithatë, mua më pëlqen shumë kërcimi, jam elastike në trup dhe gjithmonë kam kërcyer ndërsa këndoja. Veç kësaj, edhe kënga më pëlqente dhe e kam kënduar më herët, ndaj nuk e kisha shumë të vështirë.

Artistët që ju duhet të imitoni janë në një farë mënyre të imponuar nga spektakli, përzgjidhen me short. Cili prej tyre do doje që të mos të të binte për pjesë, që është totalisht jashtë natyrës tënde?
Nuk e di, nuk e kam menduar. Por ndoshta atë që mendon se t’i nuk mund ta bësh kurrë është më interesanti. Është e paparashikueshme, sepse këtu edhe veten e sfidon, pra nxjerr nga vetja gjëra që nuk i di. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që edhe Beyonce mund të përshtatej kaq mirë me karakterin tim, që mund t’i jepja atë feminilitetin që ajo shpreh në skenë, që është shumë seksi, apo prezencën që ka në skenë. Nuk e mendoja kurrë që mund ta imitoja aq mirë. Për një artist që mund të mendoj se është larg meje, mund ta bëj më mirë se askënd. Kur futesh brenda karakterit dhe bën prova, fillon e dashuron dhe bëhesh tjetër person.

Si janë raportet me kolegët?
Shumë të mira, nuk e keni idenë sa shumë shkojmë. Ne jemi të gjithë të rinj, pak a shumë në një moshë dhe kemi shije të njëjta, apo këndvështrime të njëjta, mënyrën se si i shohim gjërat. Shkojmë jashtëzakonisht shumë mirë.

Me cilin prej tyre je lidhur më shumë?
Pjesa më e madhe e konkurrentëve janë nga Kosova, vetëm unë dhe Erioni jemi të Shqipërisë. Me të gjithë ndjehem e afërt, edhe me dy vajzat, Flakën dhe Beatrixin, jemi gjatë gjithë kohës bashkë. Nuk kemi xhelozira.

Ende nuk ka nisur ndjenja e garës?
Jo, e kemi diskutuar edhe me njëri-tjetrin. Më shumë e kemi menduar si lojë, si argëtim se sa si garë, apo se mund të fitojmë ndonjë gjë të madhe. Në “YFSF” fitohen kupa çdo javë, nëse nuk e fitova këtë javë, do ta fitoj javën tjetër. Nuk është garë për ndonjë çmim të madh. Mjafton që të argëtohemi dhe të shpalosim vlerat tona, jo të kapemi me njëra-tjetrën.

Të trembi ideja se ndoshta nuk mund t’ia dilje të sillje Beyonce?
Unë jam mësuar me skenën që e vogël, me live-in, me njerëzit dhe kur dal në skenë, nuk jam fare personi që mund të takosh ditën. As vetë nuk e kuptoj, por transformohem komplet. Skena më jep shumë siguri, nuk kam asnjë lloj emocioni negativ që të më pengon, kam shumë energji.

Çfarë ndodh në prapaskenë, përpara se të nisë spektakli?
Është vërtetë “tmerr”, sepse je në presion gjithë kohës, ku është grimierja, si i kam flokët, si e kam fustanin… Gjërat duhet të jenë shumë fikse sepse del jashtë loje. Është shumë e vështirë, ka një super impenjim. Për shembull, tek veshja e Beyonce unë jam impenjuar vetë për gjithçka, edhe për detajet më të vogla sepse doja që të ishte performancë perfekte. Unë ose dal, ose mbyllem në shtatë çelësa dhe nuk më dëgjohet zëri. Por kur dal, dua të shkëlqej.

Në cilat raste mbyllet Arinda në 7 çelësa?
Ka momente që kam dëshirë të rri vetëm, por ndodh shumë rrallë, sepse jam natyrë e shoqërueshme. Nuk jam tipi që mbyllem në guaskën time.

Ke të dashur?
Nuk kam folur kurrë për jetën private dhe nuk dua të flas. Thjesht jam shumë e lumtur.
Në Shqipëri bëhesh e famshme me skandale. Pse nuk e ke zgjedhur këtë rrugë?
Nëse do kisha dashur, do isha bërë me kohë, por nuk kam dashur të bëhesha e suksesshme me budallallëqe. Duke qenë se i di vlerat e mia, nuk më intereson ajo pjesë. Erdhi momenti që unë të tregoj vlerat, por nuk jam natyrë e këtyre gjërave. Nuk jam as e etur për famë, nuk e kam kërkuar kurrë. Kush të më vlerësojë, të më vlerësojë; ja erdhi momenti, erdhën më gjetën, më morën. Kështu vijnë gjërat kur e vlerëson veten. Unë kam investuar, kam bërë 10 vjet shkollë për muzikë, nuk jam thjesht një këngëtare që më ka pëlqyer vetja në pasqyrë dhe hajd të bëj një klip.

(Bluetooth/GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb