RUSI- Rusia, por edhe Irani, dy aleatë të regjimit të Bashar al Assad në Siri duket se nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq pas vendimit të SHBA-ve për të bombarduar bazën ajrore në Siri, madje këto dy shtete kanë kërcënuar SHBA-të, se do t’i përgjigjen me të njëjtën monedhë, nëse kalojnë sërish, vijën e kuqe, siç raporton “The Independent”.

“Agresioni i Amerikës ndaj Sirisë konsiderohet si kalim i vijës së kuqe. Nga sot e tutje ne do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo agresori apo ndonjë tjetër shkelje të vijave të kuqe nga kushdo qoftë. Amerika i di mirë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur”,- thuhet në një njoftim për shtyp.

Po sot, Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Michael Fallon akuzoi Rusinë për lidhje me Assad dhe tha se ata janë “përgjegjës për çdo vdekje” në Khan Sheikhoun.

Michael tha se sulmi kishte ndodhur “në syrin e tyre” dhe se Vladimir Putin tani duhet të tërheqë deklaratat e tij se, armët kimike të Assad ishin shkatërruar. Britania, SHBA dhe Franca akuzuan regjimin e Assad për hedhjen e gazit mbi popullsinë civile, ndërsa Rusia tha se i kishin hedhur rebelët.

Tre ditë më parë trupat ushtarake amerikane vendosën të hedhin 59 raketa mbi bazat ushtarake sirane nga ku nisën sulmet kimike mbi popullsinë e pafajshme, duke lënë të vrarë 80 persona mes tyre edhe fëmijë.

Menjëherë pasi fotot e fëmijëve të vdekur bënë xhiron e mediave botërore, ishte vetë Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump që dha urdhër të nisjte sulmi ndaj regjimit të Assad dhe lëshoi 59 raketa Tomahawk. Trump deklaroi se nuk do lejonte më që fëmijë të pafajshëm të vriteshin në këtë mënyrë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb