TIRANE- Këshilltarët e Partisë Demokratike i kanë bërë ftesë LSI-së që të bojkotojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do të votohet vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Këshilltari i djathtë, Leonard Olli i bëri thirrje anëtarëve të LSI që të mos bëhen pjesë e votimit mafioz.

Nga ana tjetër Olli theksoi se duke mos shkuar në mbledhje nuk mund të krijohet kuorumi për votat. “Ne zhvilluam sërish një takim konsultativ me këshilltarët e djathtë dhe vijojmë të qëndrojmë tek fakti që çfarëdo interpretimi, apo çfarëdo kërkese sado dashamirëse të jetë, në raport me çështjen e rendit të ditës për tarifat e ujit të pijshëm, nuk bën asgjë më shumë vetëm se çon oksigjen tek interesat mafioze e oligarkike të Erion Veliajt, i cili është i prirur të ndërhyjë me çdo kusht, thjeshtë e vetëm në dobi të buxheteve që do të shpërdorohen, dhe jo në dobi të interesit publik. Vlerësojmë padiskutim qëndrimin e kolegëve të LSI përsa i takon çështjes së koncensionit për shkollat që pritet të kalojë sërish, por gjykojmë se nëse bashkë nuk do të arrijmë të pengojmë këtë votim, do të jetë një dëm i madh që do i bëjmë interesit publik e qytetar. Mënyra më e mirë në këto rrethana si zakonisht në mungesë të plotë transparence ku pabesisht paraqiten vendime në Këshill, për arsye kuorumesh, është më e mira që kjo mbledhje të bojkotohet në mënyrë që këto plane dhe interesa mafioze e klienteliste të z Veliaj të mos kalojnë si rezultat i prezencës. E mira do të ishte që ne së bashku të krijojmë mungesë për kuorumin mafioz që do të bënte të mundur kalimin e këtij famëkeq që do të mbahet mend gjatë në historinë e Bashkisë së Tiranës por edhe e gjithë shqiptarëve sepse gjysma e popullsisë jeton në Tiranë. Përfitoj nga ky moment për ti bërë një apel publik jo vetëm kolegëve të LSI-së por edhe kolegëve të PS-së dhe forcave të tjera politike në Këshillin Bashkiak që të mos bëhen pjesë e votimit të këtij akti mafioz. Do të ishte në dobi dhe vetëm në interesa të publikut dhe qytetarëve dhe aspak ndonjë përfitim politik i momentit. Ndaj edhe njëherë përsërisim apelin për kolegët të të gjithë forcave për të bojkotuar votimin e këtyre akteve sepse është forma dhe mënyra më e mirë për të ndalur këtë të keqe që po u kanosët qytetarëve të Tiranës.”, tha Olli.

Dje këshilltarët e LSI-së kundërshtuan propozimin e Bashkisë ndërsa theksuan se duhet të bëhet një ndarje në dy kategori për çmimin e ujit të pijshëm. Sipas tyre familjet e varfra dhe ato që marrin ndihmë ekonomike rritja e çmimit duhet të përjashtohen nga rritja. Po ashtu, LSI në propozimin e saj theksoi se duhet të bëhet ndërprerja e lidhjeve të paligjshme nga ana e bizneseve, për të luftuar kështu informalitetin.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: