TIRANË- Dhjetëra fëmijë, të shoqëruar nga prindërit e tyre, pedaluan sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës “Tirana pa makina”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua pedalimit të fëmijëve në një “kidical mass” që synoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’i përdorur sa më pak makinat e tyre, duke ndikuar kështu në uljen e ndotjes në Tiranë.

Në prononcimin për median, kryebashkiaku Veliaj theksoi se këtë vit po bëhen përpjekjet maksimale që nisma “java pa makina” të përfshijë sa më shumë aktivitete promovuese dhe njerëz që ecin ose përdorin biçikletën a transportin publik. “Në qoftë se një qytet nuk mendon për fëmijët e tij, për mënyrën se si shkojnë në shkollë, si të rriten shëndetshëm, çfarë ajri thithin, atëherë është e kotë të quhemi të përgjegjshëm”, u shpreh Veliaj.

Ai e vlerësoi aktivitetin si një mundësi ndërgjegjësimi që fëmijët të pedalojnë të sigurt në qytet. “Sot kemi një aktivitet ekskluziv për fëmijët, që të sigurohemi që edhe më të vegjlit, të kenë plotësisht për pak minuta në dispozicion qytetin”, deklaroi Veliaj. Ai tha se aktivitetet kushtuar javës pa makina do të finalizohen më datë 22 shtator, edhe me bllokimin e asaj që njihet si unaza e vogël. “Qendra e Tiranës do të jetë totalisht e bllokuar. Sllogani ynë është: ‘Në datën 22 shtator do të kemi 22 aktivitete të ndryshme, deri në orën 22:00’. Kjo do të thotë se Tirana do të jetë plotësisht e bllokuar brenda unazës së vogël nga ora 7 e mëngjesit  deri në 22:00”, sqaroi Veliaj.

Sipas tij, qyteti do të pushtohet nga ata që duan të ecin dhe pedalojnë. Në 364 ditë në vit  qytetin e pushtojnë makinat, por në një ditë do ta pushtojnë qytetarët, ata që vrapojnë të kalojnë nga një trotuar në tjetër. Ai tha gjithashtu se në ditën ndërkombëtare pa makina do të ketë aktivitete për fëmijë dhe të rinj. “Është një mënyrë se si duam ta kthejmë në traditë dhe ndoshta një herë në muaj, të kemi një ditë pa makina”, deklaroi Veliaj.

I pyetur nga mediat mbi eksperiencën personale të të pedaluarit me biçikletë gjatë tre ditëve të fundit, Veliaj iu përgjigj: “Qyteti nuk është gati për pedalim. Ne kemi shumë nevojë të bëjmë disa investime në korsi të dedikuara për biçikletat. Duhet të kemi një qytet që ka hapësirë për të gjithë, edhe për këmbësorët, edhe për çiklistët, sigurisht edhe për makinat. Askush s’po thotë që njerëzit duhet të bëjnë sakrifica, të ecin shumë në këmbë, por në qoftë se nga 800 mijë segmente udhëtimesh me makinë, 400 mijë janë më pak sesa 1 km, këtë segment fare mirë mund ta bësh me biçikletë ose në këmbë. Qyteti ku secili shkon nga kafja në kafe me makinë, nuk është qyteti i ëndrrave tona”.

“Kidical mass” është një nismë për pedalim të sigurt dhe të këndshëm për fëmijët dhe familjet e tyre. Bashkia e Tiranës po organizon aktivitete të tjera për të ndërgjegjësuar njerëzit që të përdorin biçikletën. Këto aktivitete do të kulmojnë më 22 shtator, ku edhe është programuar bllokimi i unazës së vogël dhe zhvillimi i shumë aktiviteteve kushtuar kësaj dite.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: